Partia Demokratike ka nxjerrë një udhëzim të ri për angazhimin e strukturave të saj në diskutimet mbi reformën administrative dhe territoriale në të gjithë qarqet e vendit.
Dokumenti, përcakton një plan konkret veprimi për degët lokale të PD-së, duke synuar përfshirjen e qytetarëve dhe ekspertëve në hartimin e një ndarjeje të re territoriale.
Sipas udhëzimit, strukturat e partisë do të organizojnë dëgjesa me komunitetet vendore, ndërsa brenda datës 15 prill duhet të zhvillohen mbledhjet e kryesive në çdo degë për të diskutuar variantet e mundshme të reformës.
PD kërkon që propozimet të finalizohen dhe të raportohen deri më 20 prill, të shoqëruara edhe me dokumentim nga takimet në terren. Gjithashtu, në proces do të përfshihen këshilltarë vendorë, ekspertë dhe përfaqësues të zgjedhur lokal.
Në dokument theksohet se një ndarje e re territoriale më pranë qytetarëve konsiderohet një çështje me rëndësi politike, ndërsa ky proces shihet si një hap i rëndësishëm për riorganizimin e qeverisjes vendore.

Gazeta RD