Kryetari i PD, Sali Berisha nga Durrësi ku po mban dëgjesën për Portin e Durrësit hodhi akuza të forta në adresë të kryeministrit Edi Rama, mbi refuzimin që ky i fundit i bëri projektit të marinës për qytetin bregdetar.
Gjatë fjalës së tij, Berisha tha se refuzimi erdhi për shkak se Rama kërkoi ryshfet prej 10 milionë euro në mënyrë që të niste ndërtimi i portit të marinës për Durrësin.
Berisha: Ishte bërë projekti, ishte bërë tenderi, ishte shpallur fituesi dhe do fillonte puna dhe Durrësi do bëhej me portin e marinës që i takonte, që i mungonte.
Cila është historia?
Historia është kjo, është e regjistruar biseda e Edi Ramës me Ylli Ndroqin, në të cilën Edi Rama i thotë Ylli Ndroqit, i thuaj atij arabit tënd që pa 10 milionë euro nuk fillon punën.
Ylli Ndroqi i thotë, unë për 10 milionë nuk i them dot.
Kjo është e vërteta. Kjo është në dosje.
Këto i ka denoncuar Ylli Ndroqi.
Dhe ky refuzim rrëzoi projektin e shkëlqyer të portit të marinës për Durrësin, sepse Edi Rama donte së paku ryshfet 10 milionë.
E kemi denoncuar shumë herë, publikisht dhe në të gjitha mënyrat.
Dhe pastaj i vuri syrin portit mijëravjeçar.
Port, i cili kishte mundësi thellimi dhe një tender ishte bërë për ta thelluar në mënyrë që të merrte anije gjer në 50 mijë ton.
Dhe një nga kompanitë gjermane më të mëdha të fushës ishte prokuruar për këtë thellim të portit.
Ky del tani e thotë porti është pronë e imja.
Nuk ka njeri të pangopur, nuk ka njeri si ky.
Jo, thotë, do ta çoj në Porto Romano dhe këtu do ndërtohet Dubai i 1001 netëve i Edi Ramës.
Me armën e tij më ordinere, më të turpshme, mashtrimin, u tha shqiptarëve se do e ndërtojë arabi, do e ndërtojë Alabari.
Alabari, një person kontraversal, duhet ta pranojmë, por investitor, deklaroi se unë do investoj gjithsej 70 milionë, kaq është kapitali im.
Tjerat del se do investonte Franc Çopja për Edi Ramën.
Kush do investojë paratë për ndërtimin e 12.600 apartamenteve, e pesë-gjashtë hoteleve, për ndërtimin e marinës, për ndërtimin e pishinave?
Këto do i investonte Edi Rama me Troplinët, me Çopjat, me Çelët e tij.
Ata kanë miliardat, i kanë të groposura në kontejnerë dhe ata i nxjerrin.
Gazeta RD