Ata duan që ju të largoheni/ Grimçi thirrje qytetarëve: Të dalim në protestë më 17 prill

Kryetarja e degës së PD nr.9 në Tiranë, Eda Grimçi, gjatw fjalws në foltoren para kryeministrisë u ndal tek situata politike në vend dhe akuzoi qeverinë për instalimin e një sistemi të bazuar në vjedhjen e votave, korrupsion dhe patronazhim, i cili sipas saj ka zhdukur meritokracinë dhe ka detyruar qytetarët të largohen nga Shqipëria.

Ajo theksoi se pushteti mbahet përmes frikës dhe manipulimit, ndërsa bëri thirrje për reagim qytetar dhe pjesëmarrje në protestë kundër, siç e cilësoi ajo, “uzurpimit të vendit nga një kastë politike”.

Eda Grimçi: Të dashur qytetarë, të dashur vëllezër dhe motra demokratë. Kur po vija këtu, shumë prej jush po më uronin fitoren. Faleminderit. Me thënë të drejtën, ju falenderoj secilin prej jush për fjalët që më thatë, por nuk e shoh si një fitore. E shoh si një përgjegjësi shumë të madhe ku ata që më votbesuan, më kanë votbesuar jo të dal si triumfuese, po më kanë votbesuar t’i pri atyre dhe të triumfojmë kundër të keqes së madhe që është Edi Rama dhe gjithë hajdutët që rrinë këtu në këtë godinë dhe në të gjitha godinat e kësaj qeverie. Unë nuk kam ardhur sot për një fjalim, po kam ardhur t’u marr të gjithë juve një betim. Një betim që ne nuk do të ikim kurrë nga ky shesh pa e zhdukur gjithë kastën komuniste që ka uzurpuar këtë vend. Sepse kjo që po ndodh të nderuar miq, nuk është më politikë. Është grabitje e organizuar.

Është vjedhje votash për të mbajtur pushtetin, vjedhje taksash për të pasuruar një grusht njerëzish dhe mbi të gjitha është vjedhja e shpresës së një populli të tërë që po ikën çdo ditë e më tepër nga ky vend ku shpresa dhe e ardhmja vriten çdo ditë. Po na vrasin besimin. Sepse asgjë këtu në këtë vend nuk fitohet me meritë. Po na detyrojnë të rinjtë, fëmijët tanë të largohen sepse këtu asnjë vend pune, asnjë bursë nuk fitohet me meritë, por fitohet me mik, fitohet me patronazhim. Kjo është padrejtësia më e madhe që po i bëhet këtij vendi. Dhe unë sot kam një thirrje për çdo të ri të këtij vendi. Ju lutem, mos e lini këtë vend. Mos e lini në duart e atyre që ju vranë ëndrrën dhe shpresën.

Ata duan pikërisht këtë. Të bëjnë juve të largoheni, t’ju bëjnë juve të mos shpresoni, t’ju bëjnë juve të nënshtroheni dhe të mos ngriheni. Kam një thirrje për pensionistët dhe sidomos për ata pensionistë të cilët jetojnë vetëm në shtëpitë e tyre dhe nuk kanë asnjë nga fëmijët e tyre që t’u japin një gotë ujë. Po po pikërisht atyre, atyre të harruarve. Të harruarve nga sistemi, të harruarve nga strukturat, të harruarve nga shërbimet, të harruarve nga kryeministri, të harruarve nga çdo gjë. Atyre që dhe pse janë të harruar, vazhdojnë të votojnë këtë hajdut. Ju bëj një thirrje dhe ju them, mos mendoni për hajdutët, por mendoni për fëmijët tuaj, të cilët janë të detyruar që atë pension qesharak që ju merrni, t’ua plotësojnë me para gjaku që bëjnë në emigracion. Mendoni për fëmijët tuaj atë ditë kur të shkoni të votoni dhe mos votoni hajdutin, por votoni atë që do t’ju japi pak shpresë, pak frymëmarrje, pak shpërblim dhe pak dinjitet.

Kam një thirrje për prindërit. Për ata prindër që i dërgojnë fëmijët në shkolla, në ato shkolla ku nuk ka ngrohje, nuk ka kushte, nuk ka arsimdhënie cilësore, në ato shkolla ku ndoshta fëmija mund të humbasi edhe jetën siç ka ndodhur. Atyre prindërve, nëse nuk e bëjnë për vete, nëse nuk e bëjnë se janë lodhur nga reagimi, të paktën të reagojnë për të ardhmen e fëmijëve të tyre. Nëse ne nuk reagojmë për të ardhmen e fëmijëve, atëherë për çfarë jetojmë akoma? Ju bëj thirrje nënave, grave, motrave, atyre të cilat, të cilave të drejtat ju nëpërkëmben çdo ditë. Ato që kur nuk kanë ku të përplasen dhe u drejtohen institucioneve, atje i gjejnë vetëm tallje, bullizim, përbuzje dhe pa rryshfet nuk u jepet as shërbimi më minimal njerëzor. Pikërisht atyre nënave, ju bëj thirrje që në datën 17 të vijnë këtu në shesh dhe të protestojnë së bashku me familjet e tyre, së bashku me fëmijët e tyre, për të ardhmen, për veten, për çmimet, për dinjitetin, për shërbimet, jo për partinë politike, jo për Partinë Demokratike, po për veten e tyre. Prandaj, ju bëj thirrje që çdo qytetar, ai që është sot këtu, po dhe ai që po na dëgjon, të dijë që e vërteta e hidhur që ne jetojmë sot është kjo.

Ata vijnë në pushtet me mashtrim dhe qëndrojnë në pushtet duke mbjellur terror e frikë. Mos ju frikësoni atyre. Është e vetmja mënyrë që ata kanë për t’ju nënshtruar. Vriteni frikën. Vriteni frikën në emër të të ardhmes së familjeve tuaja. Prandaj, nuk po ju bëj thjesht një thirrje për protestë, po ju bëj një thirrje për zgjim. Zgjohu Shqipëri. Zgjohu qytetar. Vrite frikën, sepse frika është arma e vetme që kanë akoma në dorë maskarenjtë që e mbytën këtë vend. Dikush duhet të reagojë, dikush duhet të ngrihet, sepse kur qytetarët ngrihen, kur zëri i tyre bëhet një, kur guximi e mposht frikën, atëherë, atëherë dhe vetëm atëherë vjen ndryshimi. Prandaj, dilni në shesh, reagoni, mos kini frikë. T’ia marrim vendin këtyre maskarenjve që e kanë uzurpuar. Në datën 17, çdo qytetar i ndershëm, i cili ka qoftë një arsye për të protestuar, duhet të jetë këtu në shesh së bashku me ne, në udhëheqjen e Partisë Demokratike, e cila është e vetmja forcë politike që mendon për qytetarët dhe për këtë vend.

About Redaksia

Check Also

Pastrimi i parave/ Karteli i kokainës me dhjetra milionë euro nga Rama

Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion ka ndërmarrë një hap goditës duke shpallur zyrtarisht në kërkim ndërkombëtar …