Malltezi fitoi të drejtën në Strasburg për shpifjen e Taulant Ballës.
Në 2012-2013 hodha në gjyq civil Taulant Ballën për shpifje pasi gënjeu publikisht duke pretenduar sikur Jamarbër Malltezi kish vjedhur tokën ku ishte ish Klubi i Ministrisë së Mbrojtjes, Partizani, apo sikur ajo tokë (që hajdutët komunistë ia grabitën familjeve të nderuara themeluese të Tiranës si Begeja, Llagami, Vaqaqi, Alimehmeti e Saliaga) të ishte shpronësuar nga Italia.
Gjykata civile e shkallës së parë e ftoi të paraqiste fakte apo prova por ai nuk paraqiti dot gjë. Për pasojë në 2013 Gjykata e shpalli Taulant Ballën fajtor për shpifje dhe e dënoi me gjobe.
Në 2014, ndonëse Taulanti nuk paraqiti dot asnjë fakt, Gjykata e Apelit e rrëzon vendimin pasi deklaroi se Balla ka të drejtën e shprehjes së lirë dhe se “shpifja mund të jetë civile ose penale dhe meqë është kështu, le të vlerësohet si penale dhe barrën e provës ta ketë i dëmtuari e jo shpifësi!” Gjyqtari iku me dorëheqje kur filloi vetingu se këta i keqpërdorin e pastaj i tallin.
2014-2022 dosja mbeti në Gjykatë të Lartë dhe askush nuk guxoi ta prekë me dorë.
2021-2022 Soros dhe Delina Fico (gruaja e ministrit dhe ish-gruaja e kryeministrit) marrin përsipër të shqyrtojnë dosjet që janë në Gjykatë të Lartë për të lehtësuar (!) punët.
2022: Gjykata e Lartë njofton në website të saj së më 25 Maj 2022 do shqyrtojë rekursin. Në të njëjtin njoftim thuhet se seanca e datës 25 Maj 2022 nuk do mbahej dhe do shtyhej për një datë tjetër.
Asnjë njoftim i mëtejshëm nuk u bë. As nuk ju njoftua palës vendimi i marrë nga GJL.
Në mes të Shtatorit 2022 avokati im shkon në Gjykatë të Lartë të interesohet se kur do mbahet seanca dhe i thonë se seanca u mbajt me 09 Qershor 2022. Gjithashtu ju tha se Gjykata vendosi rrëzimin e rekursit pasi kanë hyrë dispozita të reja të kodit të procedurës civile, ndonëse kjo çështje kish 8 vjet pritje dhe vetë ligji e kish përcaktuar se për dosjet që janë në shqyrtim do vijohet të gjykohen me të njëjtën procedurë.
Asnjë shpjegim se pse, as nuk u njoftua se kur do mbahej dhe as nuk u njoftua zyrtarisht pala për vendimin e gjykatës!
Avokati kërkon dosjen që ta konsultojë dhe t’a çojë për ankim në Gjykatë Kushtetuese, por merr përgjigje me shkrim se “dosjen e çështjes civile e ka sekuestruar SPAK“.
Nëse nuk depoziton dosjen Gjykata Kushtetuese nuk të shqyrton ankimin ndaj avokati im priti përmbi 2 muaj që të merrte dosjen. Në Dhjetor 2022 avokati im çoi ankimin në Gjykatë Kushtetuese pa dosjen. U cenua e drejta e aksesit në Gjykatë Kushtetuese!
Me 8 Mars 2023 Gjykata Kushtetuese më nisi një zarf me vendimin për mosshqyrtimin e dosjes pasi ka kaluar afati 4 mujor i ankimimit që e nisnin nga data 9 Qershor 2022 kur Gjykata e Lartë kish marrë vendimin, e jo nga data kur pala u njoftua për vendimin! Ka të paktën 3 vendime të Gjykatës së Strasburgut që njofton Gjyqësorin Shqiptar se llogaritja e afatit fillon nga data e njoftimit të palës e jo nga dalja e nxjerrjes së vendimit.
Në 2023 depozitova ankesë pranë Gjykatës Evropiane të Drejtave të Njeriut.
Sërish kërkova me shkrim nga gjykata kopjen e dosjes por sërish gjykata me shkrim sqaroi se vijon ta mbajë të sekuestruar SPAK. Pra sërish u dërgua ankimi në Strasburg pa akses në dosjen gjyqësore!
GJEDNJ shpalli me 31.03.2026 se Shqipëria ka shkelur të drejtat konventore dhe kushtetuese të Malltezit për aksesin në Gjykatën Kushtetuese dhe kërkoi që kjo gjykatë detyrohet ta shqyrtojë ankesën.
Disa pyetje për drejtësinë me regji të Edi Ramës dhe Soros reformës:
1. Mos vallë nuk e dinte dallimin mes çështjes civile dhe asaj penale ish-gjykatësi i apelit me eksperiencë mbi 30 vjeçare?
2. Pse mbi 8 vjet Gjykata e Lartë nuk guxoi të shqyrtonte çështjen?
3. A ka ndonjë vend tjetër në bote ku Soros reforma, ish gruaja e kryeministrit dhe gruaja e ministrit të brendshëm të vendosë për çështjet gjyqësore?
4. Cila është baza ligjore mbi të cilën Gjykata e Lartë vendosi t‘a shqyrtojë dosjen sipas Procedurës Civile të re ndërsa kjo çështje kish 8 vite në pritje dhe çdo jurist e di se një çështje vijon me procedurën që ka nisur?
5. A mos vallë janë kaq të paafte gjyqtarët e GJL sa të mos lexojnë nenin e ligjit apo u detyruan? Apo ju dha e gatshme nga Delina dhe Edi Rama?
6. Pse Gjykata e Lartë nuk njoftoi palën me shkrim as për seancën e as për vendimin?
7. Pse u desh që prokurorja që ka promovuar Taulant Balla nga Elbasani në SPAK të sekuestronte dosjen gjyqësore? Pse mos bënte kopje? Apo e din veten mbi gjykatën?
8. Pse Gjykata Kushtetuese injoron 3 vendime të Gjykatës së Strasburgut lidhur me llogaritjen e afateve?
Gazeta RD