Zjarri që shpërtheu sot në kompleksin e pallateve të ndërtuar nga kompania në pronësi të Armand Lilos, Arlis SHPK, afër zonës së Farmacisë nr. 10, është paralajmëruar nga profesionistët, por askush nuk ka pasur vullnetin të dëgjojë.
“E kemi paralajmëruar këtë situatë, por vazhdojnë me papërgjegjshmemëri tē mos degjojnë. E keqja është që nuk dëgjojnë as inxhinieret, kur kapin ndonje post drejtues”, shkruan inxhinieri Romeo Nazarko teksa ka publikuar një kërkesë për informacion të drejtuar Kuvendit lidhur me djegien e fasadës së një pallati tjetër në Tiranë.
Zjarri i përmasave të mëdha ka përfshirë një pallat në zonën e kompleksit të banesave pranë QSUT, në zonën e 5 Majit, pranë farmacisë nr. 10, duke shkaktuar situatë të rënduar dhe panik mes banorëve.
Sipas burimeve nga vendngjarja, numri i të lënduarve ka shkuar në 7, 4 qytetarë dhe 3 zjarrfikës janë transportuar drejt spitalit për ndihmë mjekësore në QSUT si pasojë e asfiksimit dhe përballjes me flakët e mëdha.
Bëhet fjalë për një pallat shumëkatësh të ndërtuar së fundmi, i cili është përfshirë plotësisht nga flakët në fasadën e jashtme.
Pallati është pjesë e kompleksit ‘Arlis’ të Armand Lilos.
Forcat zjarrfikëse po vijojnë punën për evakuimin e banorëve dhe vënien nën kontroll të zjarrit, i cili është përhapur me shpejtësi në të gjithë godinën.

Gazeta RD