Rritja e çmimit të naftës ka sjellë pasoja të menjëhershme në transportin publik në Tiranë, duke shkaktuar reduktim të ndjeshëm të flotës së urbanëve dhe kaos në stacionet kryesore të qytetit.
Që prej mëngjesit të sotëm, qytetarë të shumtë janë përballur me vonesa dhe vështirësi serioze në lëvizje, ndërsa presin në radhë të gjata për të siguruar një vend në urbanët e linjave të kryeqytetit.
Mjetet e transportit urban janë shfaqur të tejmbushura, duke shkaktuar kaos dhe vështirësi te qytetarët.
Situata vjen pas vendimit të Shoqatës Kombëtare të Transportit Qytetas dhe asaj të Transportit Urban dhe Interurban e cila njoftoi një ditë më parë reduktimin me 40% të autobusëve në qarkullim.
Sipas përfaqësuesve të sektorit, ky hap është i detyruar për shkak të rritjes së vazhdueshme të çmimit të karburantit dhe mungesës së mbështetjes financiare nga institucionet shtetërore.
Operatorët e transportit theksojnë se pa masa konkrete për subvencionimin e sektorit, situata rrezikon të përkeqësohet më tej në ditët në vijim, duke ndikuar drejtpërdrejt në jetën e përditshme të qytetarëve.
Gazeta RD