Deputeti i PD, Oerd Bylykbashi, ngriti shqetësimin në Kuvend lidhur me ndryshimet e propozuara në rregulloren e institucionit, duke i cilësuar ato si përpjekje për të kufizuar hapësirat e opozitës dhe për të ndryshuar mënyrën e funksionimit parlamentar në mënyrë të njëanshme.
Ai theksoi se çdo ndërhyrje në rregullore duhet të bazohet në vendimin e arsyetuar të Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë dhe të respektojë standardet demokratike dhe konsensusin politik, duke paralajmëruar për rrezikun e vendimmarrjeve të nxituara që cenojnë balancën institucionale në Kuvend.
Oerd Bylykbashki: Zoti kryetar, në fakt unë fjalën e kisha pikërisht për çështjen e ndryshimeve në rregulloren e Kuvendit. Ju, ne dje në, në, në Këshillin për rregulloren dhe mandat, mandate dhe imunitetin diskutuam një set propozimesh që ose filluam diskutimin për një set propozimesh në rregulloren e Kuvendit. Edhe kjo që sapo ndodhi këtu është një, është tregues i asaj me të cilën ne qasim rregulloren.
Pra, flasim dhe e bëjmë propozimin aty për aty. Sjellim propozime për ndryshime të rregullores së Kuvendit sepse dikush mendon se duhet ta bëjmë këtë gjë, madje ta bëjmë duke shtrënguar dhe duke ngushtuar hapësirat e opozitës në Parlament. Besoj ju e dini se jeni drejtues i atij, jo vetëm kryetar i Kuvendit por edhe drejtues i atij këshilli, por edhe anëtarët që janë aty prezent, po tashmë edhe publiku e di që kërkohet reduktimi i kohës së foljes së deputetëve. Pra deputetët që kanë gjithë këto halle që duhet t’i sjellin këtu në Kuvend, duhet t’i reduktohet në pesë minuta fjala. Duhet që me ligjet për Bashkimin Europian të bëjnë një kthesë 180 gradë.
Pra sot në rregullore thuhet që nuk mund të shqyrtohen me procedurë të përshpejtuar, tani duhet të shqyrtohen me procedurë të përshpejtuar. Dhe kjo, edhe pse Bashkimi Europian nuk është se e mbështet këtë lloj ideje. Jo vetëm sepse ka nevojë për të diskutuar çështje shumë më tepër, por edhe për faktin se nën atë veshjen e përafrimit me Bashkimin Europian kalojnë interesa klienteliste. Futen nene të cilët rregullojnë interesa të tjera. Tani, ajo që unë nuk dua të bëj këtu diskutimin për substancën, ajo që ne ngulëm këmbë është, nuk mundet të diskutohet në komision, në Këshillin e Rregullores dhe Mandateve pa dalë më përpara vendimi i arsyetuar i Gjykatës Kushtetuese.
Zoti kryetar, ne dje më pas, pra kjo është dhe për ata që na ndjekin, u ra dakord që të vazhdohet vetëm mbasi të dalë vendimi i Gjykatës Kushtetuese i shkruar dhe të ketë hyrë në fuqi. Jo më kot, ai vendim thotë hyn 30 ditë pas botimit të Fletoren Zyrtare. Për shkak se duhet t’i japi kohë Kuvendit ta studiojë se çfarë, pse? Sepse është pikërisht për procedurën me të cilën u bënë ndryshimet e radhës që shkoi. Është, ai vendim i Gjykatës Kushtetuese që do të përcaktojë rregulla se si duhet të ndryshojë rregullorja.
Mos të bëhet si radhës që shkoi, që u shkel Kushtetuta në atë nivel që u desh të ndërhynte Gjykata Kushtetuese. Kështu që, duhet patjetër ky parlament, të fillojë të ndjekë një rregull krejt tjetër në mënyrën se si ndryshohet rregullorja. Më 30 Maj kemi ndryshuar me konsensus, 30 Maj 2013 e kemi bërë me konsensus, kemi ndërprerë fushatën zgjedhore. Mbas asaj kohe ka vetëm ndryshime të njëanshme.
Këtu, në këtë parlament, ky parlament funksionon në mënyrë minimalisht demokratike, në qoftë se rregullorja është e bashkëndarë. Jo me propozime që vijnë papritur, nuk dihet nga vijnë, apo hajde ta bëjmë këtu në seancë se kështu na duket interesante për ta thënë. Pra të ndërrojmë qasjen kryetar. Unë, vlerësoj që Këshilli i Rregullores dhe Mandateve dje vendosi mos të shkojë më tutje derisa të dalë vendimi i Gjykatës Kushtetuese. E kemi detyrim me Kushtetutë të respektojmë ato vendime, kur të dalin, marrim vesh se çfarë thonë, atëherë zbatojmë ne.
Gazeta RD