Denoncimi/ Raporti ndërkombëtar hedh hije dyshimi mbi trafikun e armëve të Ron Yeffet

Belind KELLICI
Edi Rama nuk di të ndalet në rrezikimin e sigurisë kombëtare, por kësaj here hijet e skandalit kërcënojë pozicionin e Shqipërisë në NATO si dhe vetë sigurinë e Aleancës Veri-Atlantike.
Pas aferës me Charles McGonigal, alarmi është ndezur sërish rreth një tjetër skandali me një tjetër emër, lidhje e ngushte e kryeministrit Edi Rama. Bëhet fjalë për biznesmenin kontrovers izraelit me nënshtësi shqiptare Ron Yeffet, kompania e të cilit R&I Trading është përfshirë zyrtarisht në akuza serioze ndërkombëtare për mashtrim.
Ron Yeffet, sa për kujtesë, ka hyrë fuqishëm në industrinë e armëve në Shqipëri përmes dy kompanive në ortakëri me shoqërinë shtetërore KAYO, për prodhim dhe eksport armësh, ku në shkelje të rënda, pa garë e transparencë ka marrë mbi 10 milionë euro paradhënie nga shteti shqiptar.
Vetëm pak ditë më parë një dokument zyrtar, dorëzuar në gjykatën e Floridas, dëshmoi padinë e një biznesmeni amerikan në fushën e energjisë, Mark Faist, ndaj biznesmenit Ron Yeffet për mashtrim në shumën e 7.6 milionë dollarëve. Sipas padisë Ron Yeffet, ka përdorur lidhjet e tij të forta me Kryeministrin Edi Rama, duke i siguruar madje takime me të dhe zyrtarë të tjerë për ta mashtruar në lidhje me mundësi investimesh.
Mirëpo “ndërmjetësi” dhe miku i Ramës ka marrë “carta bianca” për të vepruar lirshëm në një vend, që sado i vogël e kalbur në korrupsion, është gjithsesi anëtar i NATO-s. Dhe ky rol po ekspozon sot kreun e qeverisë shqiptare në një skandal të mundshëm me pasoja edhe për vetë Aleancën.
Më 12 Janar 2024, një njoftim zyrtar i kompanisë SMX (Security Matters) Public Limited Company, kompani teknologjike izraelite me bazë në Irlandë, kuotuar në bursat ndërkombëtare, e specializuar në verifikimin, sigurinë, origjinën dhe gjurmimin e produkteve do të njoftonte për një kontratë prej 5 milionë dollarësh me R&I Trading të Ron Yeffet në lidhje me një shtet anëtar të NATO-s, duke synuar zgjerimin edhe në vende të tjera të Aleancës.
Pra një ndërmjetës i Edi Ramës, emri i të cilit endet nëpër akuza për mashtrim dhe lidhje që përdoren si kapital besimi për viktimat e tij, rezulton në një tjetër kontratë në një “vend anëtar të NATO-s”.
Disa pyetje në interes të publikut, sigurisë së tij, po ia drejtoj që sot, si i mandatuar prej vullnetit të shqiptarëve, Edi Ramës:
1. A është Shqipëria ky vend “anëtar i NATO-s” në kontratën e pa specifikuar mes SMX dhe kompanisë së mashtruesit Ron Yeffet?
2. Në rast se është Shqipëria, me cilën procedurë ligjore konkuruese u përzgjodh kompania e Ron Yeffet për të bërë ndërmjetësimin për vendin tonë në një kontratë me “anëtarin e NATO-s”?
3. A po rrezikon kreu i qeverisë sigurinë kombëtare dhe atë të partnerëve në Aleancë, duke lënë në dorë të një të akuzuari për mashtrim industrinë e armëve të Shqipërisë?
4. A rrezikon anëtarësimin në NATO Shqipëria me këto manovra korruptive, pas bllokimit të procesit të integrimit prej çështjes Balluku?
Edi Rama ka zëvendësuar shtetin me rrethin e tij prej kriminelësh e mashtruesish edhe ndërkombëtarë, por pikërisht ky neps i shfrenuar iluzionesh prej lideri “global” po ia ha kokën.

About Krye Redaktor

Check Also

Skandali me aeroportin e Vlorës/ Pacolli paralajmëron me “përshkallëzim të pakontrolluar”

Behgjet PACOLLI Njëherë erdha me zemër të mbushur me gëzim me dëshirë dhe me një …