Berisha: Do zgjedhim frikën, apo do zgjedhim lirinë? Shqipëria shpëtohet kur populli vendos të vrasë frikën!

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në fjalën e tij në protestën e 7-të kombëtare të opozitës në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ në Tiranë, ku mijëra qytetarë u mblodhën në shesh u shpreh se, kjo valë protestash është seriali më i fuqishëm i kryengritjes paqësore që Shqipëria ka njohur në 25 vitet e fundit, duke theksuar se opozita nuk është thjesht alternativë politike.’ ‘Sot ne mblidhemi këtu në këtë protestë madhështore si shpresa e vetme për shpëtimin e Shqipërisë nga narkoshteti i Edi Ramës, i bazuar në krimin, drogën dhe vjedhjen e shqiptarëve’, deklaroi ai. Berisha evokoi protestën e mëparshme, ku dhjetëra mijëra qytetarë u përballën për orë të tëra me forcat e rendit, me ujin e helmuar, gazin lotsjellës, shkopinjt dhe plumbat prej gome, ndërsa qytetarët ‘triumfuan’ pavarësisht trysnisë.

Gjatë fjalës së mbajtur në protestën madhështore të opozitës në Tiranë, kryedemokrati Sali Berisha u është përgjigjur dhe analistëve që në studiot televizive krahasojnë opozitën shqiptare me atë hungareze. ‘Këtë javë banalistët, sahanlapirës, puthadorë të shumtë të regjimit kanë vërshuar në studiot e medieve të kontrolluara nga Rama me tezën se opozita shqiptare nuk ka fuqinë e opozitës së Hungarisë, e cila solli rotacionin pas 16 viteve pushtet të Fidesz në atë vend’, theksoi Berisha gjatë fjalës së tij. ‘Në Hungari, nuk u arrestuan ndonjëherë liderët e opozitës në vitin zgjedhor siç ndodhi në Shqipëri dhe në Tunizinë e Zajedit. Nuk u mor vula dhe logoja e partisë kryesore opozitare me urdhër politik. Në Hungari, qeveria nuk shpërndau 100 euro për çdo pensionist për të blerë votën në mesin e fushatës elektorale siç bëri Edi Rama në Shqipëri.’, deklaroi lideri i opozitës.

Kryedemokrati Sali Berisha ka sfiduar Edi Ramën. Gjatë fjalës në protestën kombëtare, Berisha u shpreh se, e pret një përballje me Ramën në gjykatë, por nëse atij nuk ja mban, atëherë përballja të ndodhë në një studio televizive.  ‘Nga kjo tribunë u them shqiptarëve se do keni rastin të shihni në atë sallë përballjen e shekullit. Dhe këtu para jush i them Edi Ramës, nëse nuk ta mban të vish në sallën e gjyqit dhe merr manovra siç more në rastin e Lubisë dhe vetes tënde, se frikacak si ti nuk ka, të sfidoj edhe në një formë mëshirë, zgjidh studion televizive, zgjidh puthadorët e tu dhe hajde në debat t’u faktojmë shqiptarëve me fakte dhe dokumente se çfarë hajduti i pangopur je’, tha Berisha.

Lideri i opozitës shqiptare Sali Berisha u bëri thirrje qytetarëve shqiptarë se, vetëm kryengritja paqësore e shpëton vendin tonë nga dyshja Rama-Balluku, që kanë penguar dhe rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. ‘Mos prisni kurrë që Edi Rama të largohet nga ndërkombëtarët. BE dhe disa vende anëtare treguan qartas se me Edi Ramën në rrugën e integrimit ka pengesa të pakapërcyeshme. Një raport që duhej të miratohej në fillim të marsit, siç u miratua për Malin e Zi, dhe që është thjesht një raport i ndërmjetëm, përsëri ngeli në klasë dje dhe se kur do e kalojnë, as vetë nuk e dimë, pavarësisht se mbahet një heshtje mafioze nga qeveria, por miqtë tanë na informojnë se kërkesat ndaj Shqipërisë po dy, tre dhe shumëfishohen pas rastit të Ballukut apo rastit të AKSHI-t dhe Lindave të Edi Ramës’, theksoi Berisha.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u bëri thirrje shqiptarëve që të vrasin frikën dhe të shpëtojnë Shqipërinë. Ai u bëri atyre që të bashkohet në ‘kryengritje paqësore’. Në fjalën e tij, Berisha i’u drejtua qytetarëve që e shohin integrimin europian si prioritet, duke u shprehur se, ky objektiv është i pamundur nën qeverisjen aktuale. ‘Me Edi Ramën, që përdor ligjin për të mbrojtur vjedhjet e tij dhe korrupsionin, integrim nuk ka dhe nuk mund të ketë’, deklaroi ai, duke bërë thirrje që edhe euroentuziastët të bashkohen me opozitën. Berisha iu drejtua qytetarëve duke i pyetur nëse ‘do zgjedhim frikën, apo do zgjedhim lirinë? Do zgjedhim heshtjen, apo do ngremë zërin tonë? Do zgjedhim kapitullimin, apo kryengritjen paqësore dhe triumfin?’ ‘Le ta kthejmë shpresën në forcë, forcën në fitore, nuk dorëzohemi kurrë!’, theksoi lideri i opozitës Sali Berisha gjatë fjalës së tij.

FJALA E PLOTE

Të dashur qytetare dhe qytetarë, demokratë e demokratë, të nderuar deputetë dhe aleatë të PD, të dashur opozitare e opozitarë, shqiptare e shqiptarë në këtë shesh dhe kudo që ndodheni sonte, përshëndetjet e mia më të përzemërta për ju misionare dhe misionarë të pamposhtur të Shqipërisë.

Sot ne mblidhemi këtu jo thjesht si një opozitë në këmbë dhe kundër diktaturës autokratike me serialin më të fuqishëm të protestave, kryengritjes paqësore që Shqipëria ka njohur në 25 vitet e fundit.

Sot ne mblidhemi këtu jo vetëm si një alternativë e shkëlqyer politike.

Sot ne mblidhemi këtu në këtë protestë madhështore si shpresa e vetme për shpëtimin e Shqipërisë nga narkoshteti i Edi Ramës, i bazuar në krimin, drogën dhe vjedhjen e shqiptarëve.

Që ne jemi shpresa e vetme për Shqipërinë, sot është më e qartë se kurrë për çdo shqiptar, për miqtë e Shqipërisë në botë, të cilët duan që ky vend të dalë sa më parë nga kjo lëngatë e keqe që po e shkreton dhe shkatërron trupin e saj.

Këtë e provuan pa dyshim seriali i fuqishëm i protestave më gjigante që ka njohur Shqipëria.

Në kryengritjen paqësore të kaluar, dhjetëra mijëra qytetarë guximtarë u përballën në rrugët dhe sheshet e Tiranës si të pamposhtur për orë të tëra, dhëmb për dhëmb me regjimin.

U përballën me ujin e helmuar, gazin lotsjellës, shkopinjtë dhe plumbat e gomës, por triumfuan.

Por që ne jemi shpresa e vetme për Shqipërinë u bë akoma më e qartë si drita e diellit të nesërmen e protestës tonë të kaluar.

Një protestë e thirrur nga njerëz të nderuar, nga shoqëria civile në mbrojtje të interesave të qytetarëve shqiptarë kundrejt rritjes së madhe të çmimit të naftës, në orën e thirrur u paraqitën vetëm dhjetëra qytetarë.

Absolutisht çdo qytetar, pavarësisht nga bindjet e tij, është prekur nga rritja e çmimit të naftës.

Po pse nuk pati pjesëmarrje në një protestë të thirrur nga shoqëria civile?

A ka pakënaqësi midis shqiptarëve?

Po, ka pakënaqësi dhe të madhe shumë.

A janë çmimet e naftës në Shqipëri më të lartat në Europë?

Po, ato janë ndër më të lartat në Europë dhe në botë.

A janë rrogat dhe pensionet e shqiptarëve më të ulëtat në rajon?

Po, ato janë më të ulëtat në rajonin tonë.

A është taksa e Ramës mbi litrin e naftës taksa më e lartë në botë?

Po, këtë askush nuk e do, por askush nuk e mohon.

Atëherë përgjigjja është ajo që opozita e ka ngritur në mënyrë të përsëritur vitet e fundit dhe që banalistët, kriptoramistët e fshehin nga ju.

E fshehin nga shqiptarët.

Shkaku i asaj proteste është frika, frika, të cilën ka ngulur gjer në palcë të shqiptarëve.

Njerëzit nga frika nuk guxuan të dalin në protesta për të mbrojtur interesat e tyre.

Edi Rama me sistemin e patronazhistëve, me presionin mbi punonjësit dhe familjet e tyre, me arrestimin e dhjetëra mijëra qytetarëve për faturat e dritave dhe ujit, me diferencimin politik të tipit të një pushtuesi, me propagandën e tij toksike që shpërndahet nga mediat kryesore të kontrolluara prej tij, ka instaluar njësoj si etërit e tij të mëparshëm frikën tek shqiptarët.

Duke i kërcënuar ata me vendin e punës, me falimentimin e biznesit, me falimentimin e fermave, shkurt, duke i kërcënuar ata me kafshatën e gojës.

Mirëpo kjo tregon se në Shqipëri ka vetëm një forcë që sot mbart jo vetëm idealet demokratike të mbarë shqiptarëve, por përfaqëson guximin shqiptar.

Ka vetëm një forcë që sot qëndron e pamposhtur ndaj sulmeve të egra të narkoshtetit.

Ka vetëm një forcë që sot ngrihet mbi frikën dhe dhunën në betejën për interesat, për dinjitetin e shqiptarëve, liritë e tyre.

Dhe kjo forcë është Partia Demokratike.

Ndaj dhe unë, për mundin, sakrificën tuaj, për guximin dhe shpirtin e pamposhtur, por sidomos për shërbimin ndaj kombit në këtë kohë të vështirë kam falënderimin më të madh, nderimin më të sinqertë për ju misionarë të vërtetë të shpëtimit të Shqipërisë, Zoti u bekoftë ju dhe familjet tuaja.

Të dashur miq, këtë javë banalistët, sahanlapirës, puthadorë të shumtë të regjimit kanë vërshuar në studiot e medieve të kontrolluara nga Rama me tezën se opozita shqiptare nuk ka fuqinë e opozitës së Hungarisë, e cila solli rotacionin pas 16 viteve pushtet të Fidesz në atë vend.

Por miqtë e mi, ka një ndryshim thelbësor midis opozitës në Hungari dhe opozitës në Shqipëri, që nuk e përmend fare mafia e zezë e fjalës së lirë, e cila trillon, manipulon, mashtron 24 orë në 24 orë, shtatë ditë në javë opinionin publik për të mbrojtur padrinon e tyre, regjimin që i ushqen.

Ata krahasojnë të pakrahasueshmet.

Në Hungari, nuk u arrestuan ndonjëherë liderët e opozitës në vitin zgjedhor siç ndodhi në Shqipëridhe në Tunizinë e Zajedit.

Nuk u mor vula dhe logoja e partisë kryesore opozitare me urdhër politik.

Në Hungari, qeveria nuk shpërndau 100 euro për çdo pensionist për të blerë votën në mesin e fushatës elektorale siç bëri Edi Rama në Shqipëri.

Në qytetet e Hungarisë, votën e qytetarëve nuk e kontrolluan kartelet më të rrezikshme të drogës siç e kontrolluan në qytetet e Shqipërisë me miliardat e tyre të krimit.

Në zgjedhjet në Hungari, qeveria nuk fali gjoba dhe kamat e dhjetë viteve prej 2 miliardë eurove, dy ditë para zgjedhjeve, siç bëri narkodiktatori i Tiranës në zgjedhjet e fundit.

Në Hungari, mediat komerciale më të shikuarat në vend ishin të rreshtuara në anën e opozitës dhe TikToku nuk u bllokua

Kurse në Shqipëri, në narkoshtetin e parë dhe të vetëm në Europë, 90 përqind e medieve kontrollohen nga Edi Rama dhe mbjellin çdo ditë censurë, mashtrim, manipulim, trillim për opozitën.

Atje TikToku nuk u bllokua si këtu.

Së fundmi, do u rikujtoj të dashur miq, ju dhe mbarë shqiptarët, se në Hungari, ministri i Drejtësisë, madje dhe vetë presidenti i republikës, të gjetur para një akti të konsideruar skandal nga shoqëria e atij vendi, falja që ata i bënë një delinkuenti që nuk duhej falur, dhanë dorëheqjen brenda pesë orëve dhe u paraqitën para drejtësisë.

Kurse në Shqipëri, Lubia me afera që arrijnë në 1.2 miliardë euro, dhe Edi Rama bashkëaksioner në 62 përqind të këtyre aferave, jo vetëm nuk dha dorëheqjen, por përkundrazi shkelmoi vendime, u përplasi dyert prokurorisë dhe gjykatave dhe u tha shqiptarëve se çështja Balluku është e mbyllur.

Edi Rama, ja ku jemi këtu për të dhënë fjalën këtu se ne kurrë nuk e mbyllim çështjen Balluku, çështjen tënde dhe fundi yt do jetë para gjykatës.

Ndaj dhe në këto kushte krejt të ndryshme, ndër më të vështirat, më duhet të pohoj që ne, opozita shqiptare, kemi bërë dhe po bëjmë sakrifica të shumëfishta dhe të mëdha.

Ndoshta më të mëdha se çdo opozitë tjetër në Europë për të mbrojtur interesin publik, lirinë dhe dinjitetin e shqiptarëve.

Ne do qëndrojmë të pamposhtur në këtë mbrojtje.

Atyre që për të sulmuar opozitën dhe për të mbrojtur krimin, narkodiktaturën, vjedhjet e saj, iu them se nuk duhet të harroni se u nis një sulm ndaj nesh me qëllim për të na asgjësuar, për të na fshirë nga harta politike e Shqipërisë.

Dhe kjo vetëm e vetëm se ne në opozitë, në sakrifica, në dhunë, në terror, nuk mund të pranonim kurrë shkrirjen me qeverinë e krimit, nuk mund të pranonim kurrë të jemi fasadë opozitë.

Ndaj dhe ja ku jam këtu për t’u thënë shqiptarëve se do qëndrojmë të pamposhtur në mbrojtjen e kauzës tonë.

Do jemi avoketër të interesit qytetar.

Avoketër të interesit kombëtar.

U tentua me gjykata të na konfiskohej partia, por me betejë dhe sakrifica ne e morëm atë.

Na izoluan ndërkombëtarisht me lobime korruptive të mafies ndërkombëtare dhe mashtrime, por sot ne kemi mbështetjen më të gjerë se kurrë ndonjëherë të miqve tanë në botë me 7 rezoluta në vetëm 14 muaj nga partitë kryesore që drejtojnë botën, që denoncojnë në këto rezoluta narkoshtetin e Edi Ramës, burgosjet politike, përqendrimin e të gjitha pushteteve, arrestimin e liderëve të opozitës.

Sot, jo vetëm nuk paraqiti për Sali Berishën pas kaq vitesh një provë, një fakt të vetëm, por ju e

dëgjuat më së fundmi ai u thirr të ulet në sallën e gjykatës ballë për ballë për firmat e tij.

Nga kjo tribunë u them shqiptarëve se do keni rastin të shihni në atë sallë përballjen e shekullit.

Dhe këtu para jush i them Edi Ramës, nëse nuk ta mban të vish në sallën e gjyqit dhe merr manovra siç more në rastin e Lubisë dhe vetes tënde, se frikacak si ti nuk ka, të sfidoj edhe në një formë mëshirë, zgjidh studion televizive, zgjidh puthadorët e tu dhe hajde në debat t’u faktojmë shqiptarëve me fakte dhe dokumente se çfarë hajduti i pangopur je.

Dhe jo vetëm kaq, por çfarë ligësie shekspiriane mbart ti në qenien tënde.

Edi Rama, koha jote e zezë për shqiptarët ka marrë fund.

Jep dorëheqjen, jep dorëheqjen, jep dorëheqjen.

Miq, së fundmi, me serinë e pandërprerë të protestave kombëtare, më të fuqishme në historinë tonë, ne para shqiptarëve dhe miqve tanë në botë, u bëmë zëri i ndërgjegjes së një shoqërie të dhunuar dhe plaçkitur.

Dhe kemi arritur në kilometrin e fundit të opozitës tonë të gjatë dhe të vështirë.

Ecim të sigurt në përmbushje të misionit tonë, kryengritjen tonë paqësore nuk ka forcë që ta mposhtë dhe ta ndalojë.

Kurrë ndonjëherë në 35 vite nuk ka ushtuar më i fuqishëm në mbarë botën zëri ynë opozitar.

Kurrë ndonjëherë nuk është mbështetur më shumë në Europë dhe në botë protesta jonë, kauza jonë dhe nuk është bërë më famëzezë dyshja Rama-Balluku dhe organizata e tyre kriminale.

Miq, në emër tuaj unë kam një mirënjohje të pakufishme si për gazetarët vendas, të cilët në prsione të jashtëzakonshme të mafies së fjalës së lirë, transmetojnë protestën tonë, e përhapin atë në të katër anët e vendit, por kjo mirënjohje shkon edhe për mediat ndërkombëtare, të cilat e kanë shndërruar këtë protestë, kauzën e saj, në kryetitujt e medieve kryesore në botë.

Ndaj dhe duhet të ndjeheni krenarë sot e përgjithmonë me veten tuaj, me njëri-tjetrin, me kauzën që mbroni, misionin tuaj, kontributin që jepni në emrin, në dinjitetin e këtij kombi dhe këtij vendi.

Të dashur miq, por ka një mësim që ne shqiptarët mund ta nxjerrim nga zgjedhjet në Hungari.

Ajo që ishte ndryshe këtë herë nga zgjedhjet në Hungari, ishte pjesëmarrja masive në votime, mbi 80 përqind e qytetarëve hungarezë.

Kjo është arsyeja pse unë kam propozuar dhe kam insistuar ligjin për votimin me detyrim.

Ligj të cilin e kanë një seri vendesh demokratike në Europë dhe në botë.

Sepse vetëm një pjesëmarrje e tillë e detyruar në zgjedhje në Shqipëri do mund të çlironte shqiptarët nga frika dhe do mund të bënte ndryshimin mbi të cilin përfundimisht arrihen rezultatet që duam.

Por sigurisht në Shqipëri një pjesëmarrje e tillë është e ndaluar rreptësisht.

Është e ndaluar nga thirrjet dhe kërcënimet e hapura të armikut të votës së lirë të shqiptarëve, Edi Ramës ndaj qytetarëve për të mos dalë në sheshe dhe për të mos u paraqitur në votime në rast se ata nuk votojnë për PS.

Është e ndaluar nga patronazhistët, policia politike e votës së lirë të shqiptarëve, të cilët u marrin kartat, letërnjoftimet qytetarëve, të cilët ditën e votimit nuk duhet të votojnë.

Pjesëmarrja masive në zgjedhje është e ndaluar nga kërcënimet e krimit të organizuar mbi qytetarët si dhe nga blerja masive e të drejtës së votës, pra pagesa për mosdaljen në votime dhe shumë e shumë mekanizma të tjerë.

Prandaj kam një thirrje për çdo shqiptar, mos prisni që Edi Rama të largohet nga drejtësia.

E provoi këtë me Lubi Ballukun, ai e shumëzoi me zero drejtësinë që krijoi vetë duke përdorur mandatet e krimit si mburojë.

Mos prisni kurrë që Edi Rama të largohet nga ndërkombëtarët. BE dhe disa vende anëtare treguan qartas se me Edi Ramën në rrugën e integrimit ka pengesa të pakapërcyeshme.

Një raport që duhej të miratohej në fillim të marsit, siç u miratua për Malin e Zi, dhe që është thjesht një raport i ndërmjetëm, përsëri ngeli në klasë dje dhe se kur do e kalojnë, as vetë nuk e dimë, pavarësisht se mbahet një heshtje mafioze nga qeveria, por miqtë tanë na informojnë se kërkesat ndaj Shqipërisë po dy, tre dhe shumëfishohen pas rastit të Ballukut apo rastit të AKSHI-t dhe Lindave të Edi Ramës.

Zgjidhja është një dhe vetëm një, të bashkohemi në shesh dhe me qëndrueshmëri.

Kryengritja jonë paqësore është rruga e vetme e shpëtimit të Shqipërisë.

Sot çdo shqiptar ka qindra arsye për të dalë në revoltë.

1 miliardë euro që do paguhen nga shqiptarët për Porto Romanon, një port katër herë më i vogël se Porti i Durrësit, janë sa një miliard arsye për revoltë sepse me 1 miliard euro mund të bënim dyfishimin e të gjitha pensioneve dhe rrogave të shqiptarëve.

Nëse ne jemi kundër vjedhjes së qindra milionë eurove nga familja Rama në kopshtin e saj privat AKSHI-n, kundër vjedhjeve të 400 milionë eurove me inceneratorët, kundër vjedhjeve me çmimet stratosferike të rrugëve, bashkohuni me ne në këtë kryengritje paqësore sepse në këtë mënyrë mbrojmë jo vetëm pasuritë, jo vetëm taksat, por mbrojmë nderin dhe dinjitetin tonë.

Nga kjo tribunë, do i drejtohem sot të gjithë qytetarëve të këtij vendit, se nëse doni uljen e çmimit të naftës, që sot është më i larti në Europë, për shkak të taksës së Edi Ramës, është koha për t’u bashkuar në kryengritjen tonë paqësore. Heqja e taksës Rama mbi naftën, shitja e naftës në Shqipëri me çmimin që shitet në vendet përreth, është zotimi solemn i Partisë Demokratike.

Nëse doni dyfishimin e rrogave dhe pensioneve, shërbime dinjitoze, arsim, shtetësi, të dashur qytetarë dhe qytetare, bashkohuni me ne në kryengritjen tonë paqësore.

Ju drejtohem sot të gjithë të rinjve dhe të rejave, gjimnazistëve, studentëve të këtij vendi. Nëse doni të ndërtoni në Shqipëri ëndrrën tuaj të bukur, bashkohuni me ne në kryengritjen tonë paqësore, për shkollim, punësim, strehim të garantuar në dheun tuaj të dashur. Për të gjithë qytetarët e këtij vendi, që duan zgjedhje të lira, si si ato që u zhvilluan në vitin 2013 dhe sollën rotacionin, apo zgjedhje të cilat zhvillohen në Kosovë dhe vendet përreth, atëherë është koha për t’u bashkuar në kryengritjen tonë paqësore.

Ju drejtohem të gjithë shqiptarëve që konsiderojnë integrimin në Bashkimin Europian si të ardhmen më të mirë për vete, familjen dhe vendin e tyre. Nëse doni që Shqipëria të vazhdojë rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Europian, si vend i qytetarëve të lirë dhe të barabartë para ligjit dhe shtetit ligjor, bashkohuni me ne në kryengritjen tonë paqësore. Me Edi Ramën, që përdor ligjin për të mbrojtur vjedhjet e tij dhe korrupsionin, integrim nuk ka dhe nuk mund të ketë.

Të dashur miq, në betejat e saj të viteve të fundit, Partia Demokratike u siguroi shqiptarëve opozitë të vërtetë. Me betejat e saj të viteve të fundit, ne u treguam miqve tanë të vërtetë, të vërtetën për Shqipërinë.

Tani, në kilometrin e fundit, një aleancë e gjerë e opozitës dhe qytetarëve shqiptarë, do bëjë të mundur rrëzimin përfundimtar të narkoshtetit të Edi Ramës, sepse shqiptarët nuk do lejojnë varfërimin dhe mjerimin, vjedhjen dhe dhe plaçkitjen e tyre të vazhdueshme, se sepse shqiptarët nuk do të lejojnë më bllokimin e drejtësisë, nuk do lejojnë pengesa në rrugën e integrimit të tyre europian, në mënyrë që Edi Rama të mbrojë miliardat që ka vjedhur dhe vazhdon të vjedhë.

Të dashur miq!

Sot ka vetëm një formulë për të rrëzuar Edi Ramën. Për çdo shqiptar duhet të jetë e qartë, se kjo formulë është kryengritja paqësore e qëndrueshme gjerë në qeveri teknike dhe zgjedhje të lira. Dhe sot, përpara historisë, përpara fëmijëve tanë, përpara ndërgjegjes sonë, secili prej nesh duhet të bëjë zgjidhjen e tij.

Do zgjedhim frikën, apo do zgjedhim lirinë?

Do zgjedhim heshtjen, apo do ngremë zërin tonë? Do zgjedhim kapitullimin, apo kryengritjen paqësore dhe triumfin? Shqipëria nuk shpëtohet nga një njeri i vetëm, as dhe nga një forcë e vetme politike. Nuk shpëtohet as dhe nga miqtë tanë ndërkombëtarë.

Shqipërinë e shpëton vetëm bashkimi i të gjitha partive politike opozitare, shoqërisë civile, intelektualëve dhe të gjithë faktorëve që besojnë se vota e lirë është vendimtare për të ardhmen e shqiptarëve dhe Shqipërisë.

Shqipëria shpëton kur një popull i tërë vendos të vrasë frikën dhe të mos pranojë padrejtësinë. Dhe ajo ditë ka ardhur! Ajo ditë është sot! Le ta kthejmë ne, le ta kthejmë ne shpresën në forcë, forcën në fitore, sepse ne nuk jemi thjesht opozita, ne jemi shpresa e vetme e Shqipërisë dhe nuk dorëzohemi kurrë!

Rrofshi ju! Rroftë Partia Demokratike!

Rroftë Shqipëria! Fitore! Fitore! Fitore!

About Redaksia

Check Also

Berisha: Protesta tjetër do caktohet shumë shpejt, kryengritja jonë paqësore nuk njeh të zmbrapsur!

Pyetje: Si do të vijojë protesta juaj? Sali Berisha: Patjetër, shumë shpejt. Do të caktohet …