Berisha: Raporti IBAR nuk kaloi as dje, vetëm kryengritja jonë paqësore e shpëton vendin tonë!

Kryetari i PD, Sali Berisha tha se, leksioni ynë nga Hungaria duhet të jetë votimi me detyrim! Berisha tha gjatë fjalës në protestë se, Raporti IBAR nuk kaloi as dje, vetëm kryengritja jonë paqësore e shpëton vendin tonë.

Berisha:Miq, së fundmi, me serinë e pandërprerë të protestave kombëtare, më të fuqishme në historinë tonë, ne para shqiptarëve dhe miqve tanë në botë, u bëmë zëri i ndërgjegjes së një shoqërie të dhunuar dhe plaçkitur.

Dhe kemi arritur në kilometrin e fundit të opozitës tonë të gjatë dhe të vështirë.

Ecim të sigurt në përmbushje të misionit tonë, kryengritjen tonë paqësore nuk ka forcë që ta mposhtë dhe ta ndalojë.

Kurrë ndonjëherë në 35 vite nuk ka ushtuar më i fuqishëm në mbarë botën zëri ynë opozitar.

Kurrë ndonjëherë nuk është mbështetur më shumë në Europë dhe në botë protesta jonë, kauza jonë dhe nuk është bërë më famëzezë dyshja Rrama-Balluku dhe organizata e tyre kriminale.

Miq, në emër tuaj unë kam një mirënjohje të pakufishme si për gazetarët vendas, të cilët në prsione të jashtëzakonshme të mafies së fjalës së lirë, transmetojnë protestën tonë, e përhapin atë në të katër anët e vendit, por kjo mirënjohje shkon edhe për mediat ndërkombëtare, të cilat e kanë shndërruar këtë protestë, kauzën e saj, në kryetitujt e medieve kryesore në botë.

Ndaj dhe duhet të ndjeheni krenarë sot e përgjithmonë me veten tuaj, me njëri-tjetrin, me kauzën që mbroni, misionin tuaj, kontributin që jepni në emrin, në dinjitetin e këtij kombi dhe këtij vendi.

Të dashur miq, por ka një mësim që ne shqiptarët mund ta nxjerrim nga zgjedhjet në Hungari.

Ajo që ishte ndryshe këtë herë nga zgjedhjet në Hungari, ishte pjesëmarrja masive në votime, mbi 80 përqind e qytetarëve hungarezë.

Kjo është arsyeja pse unë kam propozuar dhe kam insistuar ligjin për votimin me detyrim.

Ligj të cilin e kanë një seri vendesh demokratike në Europë dhe në botë.

Sepse vetëm një pjesëmarrje e tillë e detyruar në zgjedhje në Shqipëri do mund të çlironte shqiptarët nga frika dhe do mund të bënte ndryshimin mbi të cilin përfundimisht arrihen rezultatet që duam.

Por sigurisht në Shqipëri një pjesëmarrje e tillë është e ndaluar rreptësisht.

Është e ndaluar nga thirrjet dhe kërcënimet e hapura të armikut të votës së lirë të shqiptarëve, Edi Ramës ndaj qytetarëve për të mos dalë në sheshe dhe për të mos u paraqitur në votime në rast se ata nuk votojnë për PS.

Është e ndaluar nga patronazhistët, policia politike e votës së lirë të shqiptarëve, të cilët u marrin kartat, letërnjoftimet qytetarëve, të cilët ditën e votimit nuk duhet të votojnë.

Pjesëmarrja masive në zgjedhje është e ndaluar nga kërcënimet e krimit të organizuar mbi qytetarët si dhe nga blerja masive e të drejtës së votës, pra pagesa për mosdaljen në votime dhe shumë e shumë mekanizma të tjerë.

Prandaj kam një thirrje për çdo shqiptar, mos prisni që Edi Rama të largohet nga drejtësia.

E provoi këtë me Lubi Ballukun, ai e shumëzoi me zero drejtësinë që krijoi vetë duke përdorur mandatet e krimit si mburojë.

Mos prisni kurrë që Edi Rama të largohet nga ndërkombëtarët. BE dhe disa vende anëtare treguan qartas se me Edi Ramën në rrugën e integrimit ka pengesa të pakapërcyeshme.

Një raport që duhej të miratohej në fillim të marsit, siç u miratua për Malin e Zi, dhe që është thjesht një raport i ndërmjetëm, përsëri ngeli në klasë dje dhe se kur do e kalojnë, as vetë nuk e dimë, pavarësisht se mbahet një heshtje mafioze nga qeveria, por miqtë tanë na informojnë se kërkesat ndaj Shqipërisë po dy, tre dhe shumëfishohen pas rastit të Ballukut apo rastit të AKSHI-t dhe Lindave të Edi Ramës.

Zgjidhja është një dhe vetëm një, të bashkohemi në shesh dhe me qëndrueshmëri.

Kryengritja jonë paqësore është rruga e vetme e shpëtimit të Shqipërisë.

Sot çdo shqiptar ka qindra arsye për të dalë në revoltë.

1 miliardë euro që do paguhen nga sgqiptarët për Porto Romanon, një port katër herë më i vogël se Porti i Durrësit, janë sa një miliard arsye për revoltë sepse me 1 miliard euro mund të bënim dyfishimin e të gjitha pensioneve dhe rrogave të shqiptarëve.

Nëse ne jemi kundër vjedhjes së qindra milionë eurove nga familja Rama në kopshtin e saj privat AKSHI-n, kundër vjedhjeve të 400 milionë eurove me inceneratorët, kundër vjedhjeve me çmimet stratosferike të rrugëve, bashkohuni me ne në këtë kryengritje paqësore sepse në këtë mënyrë mbrojmë jo vetëm pasuritë, jo vetëm taksat, por mbrojmë nderin dhe dinjitetin tonë.

About Redaksia

Check Also

Berisha: Protesta tjetër do caktohet shumë shpejt, kryengritja jonë paqësore nuk njeh të zmbrapsur!

Pyetje: Si do të vijojë protesta juaj? Sali Berisha: Patjetër, shumë shpejt. Do të caktohet …