Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, ka kërkuar dënimin me 10 vite burg për ish-kreun e ARRSH, Ervis Berberin, i akuzuar për disa vepra penale, përfshirë shpërdorim detyre, korrupsion pasiv, shkelje të barazisë në tendera dhe pastrim të produkteve të veprës penale.
Burime për mediat bëjnë me dije se sipas kërkesës së organit të akuzës, për shkak të aplikimit të gjykimit të shkurtuar, dënimi përfundimtar pritet të ulet me një të tretën.
Përveç dënimit me burg, është kërkuar edhe ndalimi për 5 vite nga ushtrimi i funksioneve publike.
Gjithashtu, Prokuroria ka kërkuar konfiskimin e pasurive të gjetura në zotërim të tij, përfshirë 15 mijë euro, 35 mijë paund, si dhe 1 milion lekë të rinj, së bashku me pasuri të tjera.
Ish vartësi i Belinda Ballukut, Evis Berberi u arrestua më 14 mars 2024. Sipas Prokurorisë së Posaçme, Berberi rezulton i përfshirë në raste korruptive me 8 tendera që kapin vlerën e 5 milionë eurove.
Hetimet e prokurorisë zbuluan gjithashtu se kjo kompani është përdorur për kalimin drejt saj të sasive të mëdha të parave, nga kompania tjetër, “Net Group”, e sipërmarrësit Begaj, përmes transaksioneve të ndryshme. Paratë e kaluara në favor të kompanisë “Daam”, janë përdorur për të blerë prona të patundshme në emër të kësaj shoqërie. Këto veprime kanë ngritur dyshime për Prokurorët, se gjenden përballë një veprimtarie të pastrimit të parave.
Transaksionet nga “Net Group” drejt shoqërisë “Daam”, në zotërim indirekt nga Berberi, përkojnë, sipas hetimeve, me kohën kur shoqëria “Net Group” rezultoi fituese e disa tenderave të shpallur nga Agjencia për Efiçencën e energjisë dhe Autoritetit Rrugor, nën drejtimin e Berberit.
Gazeta RD