Kalaja kallëzon policinë për dhunë: Do t’i shkoj deri në fund!

Kryetari i zgjedhur i PD Krujë, gazetari Aulon Kalja, pasi ka dalë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, tha se dy ditë më parë ka depozituar kallëzimin në Drejtorinë e Policisë së Tiranës dhe e përshkroi dhunën gjatë protestës si të pajustifikueshme, duke specifikuar se është spërkatur me spray nga tre drejtime, është goditur dy herë me shkelma nga dy policë të ndryshëm, si dhe një herë në fytyrë e dy herë pas qafe me skafandër.

Kalaja u bëri thirrje institucioneve që të marrin masa dhe të nxjerrin para përgjegjësisë policët përgjegjës, duke shpresuar që rasti i tij të shërbejë si një kambanë alarmi për të parandaluar ngjarje të ngjashme në të ardhmen.

Aulon Kalaja: Ju përshëndes të gjithëve. Sapo dola nga Instituti i Mjekësisë Ligjore. Dua t’ju vë në dijeni që para dy ditësh kam bërë kallëzim në Drejtorinë e Policisë Tiranës për dhunën që më është shkaktuar në protestën që ndodhi para pak ditësh në bulevardin Dëshmorët e Kombit. Një dhunë e pajustifikueshme nga policia, ku përveçse kam marrë spray në tre drejtime, spray shumë të fortë, jam goditur dy herë me shkelma nga dy policë të ndryshëm dhe një herë në fytyrë me skafandër dhe dy herë pas qafe me skafandër.

Për këtë arsye kam qenë i shtruar në Spitalin Ushtarak, ose siç njihet ndryshe Spitali i Traumës, ku pas ekzaminimeve kam marrë dhe epikrizën. Për të gjitha këto arsye, unë kam bërë këtë kallëzim për të dalë e vërteta në shesh për dhunën policore që kam pësuar dhe sigurisht do të doja t’i bëja thirrje institucioneve që të marrin masa, të nxjerrin para përgjegjësisë policët që më kanë dhunuar barbarisht. Flas për rastin tim, por kjo do të shërbejë si këmbanë alarmi për dhunën policore që është ushtruar në atë protestë apo nëse kanë ndërmend për t’u ushtruar në protestat e tjera.

Nga ana tjetër, ju duhet ta dini besoj që unë akuzohem tani nga policia. Kam një procedim penal për dhunim të forcave të policisë për shkak të detyrës. Ju i keni parë videot shumë mirë dhe e dini se çfarë ka ndodhur me mua dhe tani policia, ngaqë nuk ka fjalë dhe është në faj në raport me mua, më ka bërë një akuzë aq të pabesueshme saqë të hidhet baltë pikërisht mbi këtë ngjarje. Por, ju e dini që unë të vërtetave do t’i shkoj deri në fund. Kjo është kauza ime. Unë vij nga aktivizmi, kurrë nuk kam pasur probleme nëpër protesta. Është hera e parë, por të jeni të bindur që unë do t’i shkoj deri në fund.

Pres me shumë vëmendje zhvillimet që do të vijnë nga ky institucion apo nga policia në përgjithësi.

About Redaksia

Check Also

Tabaku në Itali: Integrimi kërkon përgjegjësi dhe jo propagandë!

Deputetja e PD, Jorida Tabaku së bashku me kryetarin e Grupit Parlamentar të PD dhe …