Boçi: Reforma territoriale duhet t’i kthehet qytetarit, jo të mbetet një produkt politik!

Në Lezhë ka nisur sot dëgjesa publike e Komisionit të Reformës Territoriale, ku bashkëkryetari i komisionit, Luciano Boçi, theksoi se procesi do të jetë i hapur dhe i fokusuar te shqetësimet reale të qytetarëve.

Boçi u shpreh se qëllimi i këtyre dëgjesave është mbledhja e mendimeve konkrete nga terreni, duke nënvizuar se pushteti vendor sot nuk funksionon sipas pritshmërive të reformës së vitit 2015. “Ne jemi këtu për të dëgjuar qytetarët, për të kuptuar problemet e tyre dhe për të reflektuar mbi një model që nuk ka dhënë rezultatet e premtuara,” deklaroi ai.

Sipas tij, reforma territoriale nuk duhet të trajtohet si çështje e partive politike, por si një arkitekturë themelore e shtetit që i shërben drejtpërdrejt qytetarëve. Ai theksoi se kjo reformë lidhet ngushtë me cilësinë e shërbimeve dhe me mënyrën se si menaxhohen të ardhurat në nivel lokal.

Boçi ngriti shqetësime konkrete mbi gjendjen aktuale, duke përmendur dobësitë në shërbimet sociale dhe fenomenin e shpopullimit, si dhe mungesën e autonomisë reale të bashkive. “Sot shohim kryetarë bashkish me kompetenca të kufizuara dhe me duar të lidhura financiarisht,” u shpreh ai.

Në vijim, ai hodhi për diskutim edhe modele alternative organizimi, duke përmendur si shembull vendet nordike. “Le ta diskutojmë hapur: nëse duhet të shkojmë drejt një modeli si ai i Suedisë, me më shumë kompetenca për pushtetin vendor, përfshirë mbledhjen e taksave dhe një funksionim më të fortë edhe në nivel qarku,” tha Boci, duke shtuar se autonomia vendore duhet të garantohet dhe në nivel kushtetues.

Në përfundim, ai theksoi se çdo ndryshim duhet të ketë në qendër funksionimin efektiv të bashkive dhe ruajtjen e identitetit lokal, si element kyç për zhvillimin e qëndrueshëm të komuniteteve.

About Redaksia

Check Also

Takimi me Mitsotakis, mediat greke: Rama ishte veshur sikur po shkonte për të pirë…

Kryeministri Edi Rama, i veshur “sikur po shkonte për të pirë” në rezidencën Maximos gjatë …