Boçi: Ministrja Kumbaro në konflikt interesi, ligji shkel parimet e BE

Në seancën plenare të Kuvendit, gjatë debatit për projektligjin “Për krijimin e Agjencisë Kombëtare të Shërbimeve Arsimore (AKSHA)”, kryetari i Komisionit për Edukimin, Shkencën dhe Sportet, Luciano Boçi, ngriti akuza të forta ndaj ministres Mirela Kumbaro, duke e cilësuar nismën si në kundërshtim me standardet e Bashkimit Europian dhe të kapur nga interesat politike.

Në fjalën e tij, Boçi deklaroi se ekziston një konflikt i hapur interesi, duke theksuar lidhjet institucionale të ministres me një fondacion që, sipas tij, përfshihet në strukturat vendimmarrëse të agjencisë së re.

“Ligji shqiptar e parashikon qartë konfliktin e interesit edhe në nivel institucional. Nuk mund të ndodhë që një fondacion me lidhje të tilla të ketë rol kyç në një bord ku merren vendimet kryesore,” u shpreh ai.

Sipas Boçit, projektligji cenon rëndë parimin e pavarësisë institucionale, pasi i jep ministrit kontroll të plotë mbi drejtimin e agjencisë, nga emërimi i drejtuesve dhe bordit, deri tek miratimi i vendimeve kryesore. Ai theksoi se kjo bie ndesh me standardet e BE-së, të cilat kërkojnë që agjencitë që administrojnë provime, vlerësime dhe njohje diplomash të drejtohen nga struktura të pavarura, të zgjedhura nga komuniteti akademik.

Boçi ngriti shqetësime edhe për transparencën dhe llogaridhënien, duke argumentuar se projektligji parashikon që raportet dhe auditimet të kontrollohen nga vetë ministria, në kundërshtim me praktikat europiane ku këto procese janë të pavarura dhe publike.

Një tjetër kritikë lidhej me administrimin e të dhënave arsimore. Sipas tij, projektligji i jep ministrisë kontroll mbi të dhëna sensitive, duke shkelur ndarjen e funksioneve dhe standardet e BE-së për menaxhimin e tyre nga agjenci të specializuara dhe të pavarura.

Ai kundërshtoi gjithashtu përfshirjen e donatorëve në vendimmarrje dhe konceptin e vetëfinancimit të agjencisë, duke theksuar se institucionet e këtij lloji nuk duhet të funksionojnë si struktura fitimprurëse.

Në fund të fjalës së tij, Boçi i drejtoi një pyetje direkte ministres: cili vend i Bashkimit Europian ka një model të tillë “mega-agjencie” të centralizuar? Sipas tij, nga kërkimet e tij nuk ekziston një precedent i tillë në BE.

“Ose na sillni një shembull konkret nga BE, ose ky projektligj mbetet një eksperiment që shkon në drejtim të kundërt me integrimin europian,” përfundoi Boçi.

About Redaksia

Check Also

Rama sulmon Bashkimin Europian në “Politico”/ “Ka bërë një gabim të madh dhe serioz me Rusinë”

Bashkimi Evropian po bën një gabim serioz duke mos u angazhuar drejtpërdrejt me udhëheqjen ruse …