Skandali/ Ministria e Mjedisit do të shpenzojë miliarda lekë pa tender

Një projektligj i propozuar nga ministria e Mjedisit i jep të drejtën ministrit të shpenzojë miliarda lekë pa tendera.

Drafti i hedhur për konsultim publik parashikon ngritjen e një fondi kombëtar për mjedisin, i cili do të financoje projektet e privatëve që janë miqësore me mjedisin.

“Fondi kombëtar i mjedisit krijohet në formën e një fondi financiar publik, që mbështet politikën kombëtare të mbrojtjes së mjedisit. Burimet e financimit të Fondit janë buxheti i shtetit, financimet vendase apo të huaja dhe të ardhurat dytësore,” thuhet në projektligj.

Por në të njëjtin nen është futur dhe një klauzolë tinëzare me një fjali të vetme, e cila praktikisht e shndërron Fondin Kombëtar të Mjedisit në një xhep ekstrabuxhetor.

“Ky fond nuk i nënshtrohet legjislacionit të prokurimit publik,” thuhet në ligj.

Kjo do të thotë se fondi do të shpenzohet pa asnjë garë, por sipas diskrecionit të ministrit. Bëhet fjalë për miliarda lekë.

“Ministria përgjegjëse për mjedisin financon nga fondi kombëtar i miratuar çdo vit projekte të paraqitura nga persona fizikë, juridikë, vendas ose të huaj, që kanë në objekt të veprimtarisë së tyre fushën e mjedisit. Për realizmin e projekteve dhe veprimtarive në fushën e mjedisit, skema e financimit mbulon deri në 100% të kostove të miratuara të projektit,” thuhet në projektligj.

Personi që do të miratojë projektet e privatëve, të cilat financohen deri në masën 100 për qind, është vetë ministri.

“Miratimi i projekteve dhe veprimtarive në fushën e mjedisit bëhet nga ministri përgjegjës për mjedisin, me propozimin e kolegjiumit, të përbërë nga 5 nëpunës të administratës publike të nivelit të lartë dhe të mesëm, drejtues të strukturave përgjegjëse, që mbulojnë fushën e mjedisit në ministrinë përgjegjëse për mjedisin, të cilët përcaktohen me urdhër të ministrit përgjegjës për mjedisin,” saktëson projektligji.

Pra ministri i Mjedisit do të miratojë vet projektet, që do të financojë dhe i gjithë Fondi Kombëtar për Mjedisin do të shpenzohet jashtë rregullave që vendos ligji i prokurimeve publike.

Kjo do të thotë se Sofjan Japuaj do të shpërndajë dhe shpenzojë para pa asnjë kufizim ligjor tek bizneset që përzgjedh vet, një shteg gjigand abuzimi dhe një shthurje skandaloze e disiplinës buxhetore, që mbron interesin e taksapaguesve. /Kapitali.al

About Redaksia

Check Also

Kedhi: Interporti, çelësi për Shqipërinë prodhuese dhe daljen nga modeli i sotëm

Fjala e mbajtur ne tryezën ‘Si të shpëtojmë Portin e Durrësit’ Nga Nikola Kedhi Përshëndetje …