Bardhi: Fyerja ndaj shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut s’mbyllet pa përgjegjësi, Hoxha të dorëhiqet!

Mesazhet e ministrit për Punët e Jashtme dhe Evropën, Ferit Hoxha, kanë trazuar jo vetëm politikën shqiptare, por edhe faktorin shqiptar në Maqedoninë e Veriut, të cilit i adresohej etiketimi “ata idiotët”.

Kreu i Grupit Parlamentar të PD Gazment Bardhi, ka reaguar sot përmes një postimi në rrjetet sociale pas debatit të krijuar për mesazhit të Ministrit Hoxha ku ai ofendonte shqiptarët në RMV.

Hoxha e cilësoi sot me një reagim të shkurtër nga një event, si të tejkaluar çështjen, por Bardhi shprehet se jo vetëm nuk është e tillë, por ministri duhet të largohet nga detyra, të japë llogari në Parlament, pasi është e papranueshme një sjellje e tillë e kryediplomatit shqiptar.

Reagimi i Bardhit

Fyerja ndaj shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, duke i cilësuar ato si “idiotë”, nuk mund të jetë kurrë një çështje e tejkaluar, pa mbajtur përgjegjësi politike. Ky cilësim nga ministri përgjegjës për politikën e jashtme të Republikës së Shqipërisë, vjen në një kohë ku shqiptarët e Maqedonisë së Veriut po përballen me shumë sfida dhe përbën një shkelje të rëndë të detyrimeve kushtetuese që kanë autoritetet shqiptare në Republikën e Shqipërisë, ndaj shqiptarëve që jetojnë jashtë kufirit shtetërorë.

Mungesa e reflektimit nga ana e Ministrit Ferit Hoxha, nuk mund të kalohet me takime të stisura, ku mysafirët as nuk lejohen të përgjigjen lirisht. Fillimisht gënjeu që sms ishte e fabrikuar, më pas u detyrua të fshinte, më pas të dilte nga grupi në Ëhatsapp, dhe sot kishte stisur një takim për të bindur shqiptarët se është një çështje e tejkaluar. Të gjitha këto veprime konfirmojnë se është duke vepruar nën panik dhe nën peshën e përgjegjësisë së munguar.

Akoma më shqetësuese është heshtja e Kryeministrit Edi Rama, duke provuar se cilësimi i Ministrit Ferit Hoxha ndaj shqiptarëve nuk është personal, por linjë shtetërore e qeverisë së Edi Ramës. Kjo është më shumë se e papranueshme.

Ministri Ferit Hoxha do të thirret në Kuvend për të dhënë llogari mbi qëndrimin e tij ndaj shqiptarëve përtej kufirit, që përkon te jetë i njëjtë me qëndrimin e Nikolla Pashiqin apo Vasa Çubrilloviç ndaj shqiptarëve. Në krye të Ministrisë për Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë nuk mund të qëndrojë asnjë minut as Nikolla Pashiqi dhe as Vasa Çubrilloviçi, pavarësisht se në publik prezantohet si Ferit Hoxha apo Edi Rama!

About Redaksia

Check Also

Pedagogia: Të bëhemi bashkë më 8 maj për t’i thënë këtyre boll, t’i japim dinjitet këtij vendi!

Pedagogia Elsa Gega, nga “Foltorja” para kryeministrisë denoncoi zhdukjen e 430 milionë eurove përmes kontratave …