Osman Stafa, NEWS 24: Më 23 maj do të shkoni për të rikandiduar për kreun e PD. Keni bërë një libër me qindra faqe për krimet zgjedhore të pretenduara nga PS në zgjedhjet e përgjithshme në vitin 2025. Ndërkohë a e keni përfunduar analizën e brendshme të PD?
Sali Berisha: Faleminderit për pyetjen. Së pari njëherë, ai libër mijëra faqesh është një kontribut historik në mbrojtjen e votës së shqiptarëve.
Ai libër mijëra faqesh është bërë libër traktat themelor në tryezat e të gjithë atyre që besojnë tek vota e lirë.
Së dyti, analiza e PD po bëhet në të gjitha degët, në disa prej tyre është proces në vazhdim, por gjithçka po zhvillohet në përputhje me rregulloret dhe statutin.
Ajo që ka rëndësi më shumë i dashur Osman është se në këtë parti po votohet dhe po zgjidhen kryetarët e degëve me vullnetin e lirë të anëtarëve të PD, në një kohë kur partia e krimit, që në vitin 2009, nuk ka njeri që mund të thotë se ka hedhur një votë të vetme.
Këtu po votohet sipas grafikut të përcaktuar.
Janë në vazhdim disa degë dhe në tërësi kjo analizë do të përfundojë.
-Sa i takon zgjedhjeve të vitit 2023, ju keni publikuar po ashtu një libër me shumë faqe ku keni identifikuar krimet zgjedhore të pretenduara nga PS, por keni thënë që do bëhet një analizë e brendshme. Edhe për vitin 2023 është duke vijuar analiza e brendshme?
Sali Berisha: Analiza e brendshme është bërë dhe bëhet. Për analizën e brendshme, krahas drejtuesve politikë, ne ngarkuam 12 koordinatorë për qarqet dhe të garantoj se në tërësi po bëhet dhe është bërë.
Unë nuk mund të them se është bërë e përsosur, por analizë është bërë dhe do bëhet në çdo degë.
Për këtë e sigurt.
-Dhe pyetja e fundit, zoti Berisha, në parim si mund të paraqiteni ju si alternativë ndryshimi kur keni qenë për 36 vite figura kryesore e PD? Si mund të paraqiteni ju si alternativa e ndryshimit për të rrëzuar kryeministrin Edi Rama.
Sali Berisha: Faleminderit për pyetjen. Osman, po të bësh matematikën e vërtetë, del krejtësisht ndryshe. Në vitin 2006, më fton në një darkë zyrtare në Mynih ish-drejtuesi i SME-ve të Partisë Popullore për të mbajtur një fjalë pasi unë isha protagonist i sistemit me taksat më të ulëta.
Në tavolinë unë pata kënaqësinë dhe nderin të kem një personalitet të shquar të ekonomisë amerikane dhe botërore, ish-këshilltar i dy ose tre presidentëve amerikanë, Paul Walker.
Zoti kryetar i forumit më paraqiti mua tek zoti Walker. Tha, ish-presidenti, tani është kryeministër. Dhe zoti Walker, në mënyrë të shkujdesur kthehet dhe më thotë, qenka si Putini. Siç e bëri Osmani tani.
Pak, me një ndryshim, i them.
Çfarë ndryshimi, tha.
Unë, i thashë, kam qenë 8 vite në opozitë, kurse Putini e ndërroi vendin me Medvedevin. Mirëpo ai u lëndua në vetvete dhe burrë fisnik, ai ishte takimi i parë me mua dhe herët e tjera ai gjithnjë më ka dërguar të fala me personalitete që takonte.
Jo, unë jam njeriu që kam provuar më shumë se çdo sot në skenën politike dorëheqjet.
Unë jam njeriu që kam provuar me shumë se kushdo tjetër udhëheqjen e opozitës.
Pra, është një histori krejt tjetër.
Por në qoftë se merr vitet e pushtetit, Edi Rama ka 25 vite në pushtet kundrejt 13 viteve që ka Sali Berisha.
Edi Rama ka 25 vite në pushtet dhe 25 vite në pushtet të Edi Ramës janë katastrofa e Tiranës dhe e Shqipërisë.
Osman, unë e kuptoj që propaganda e tërë artileria e propagandës drejtohet drejt Sali Berishës dhe ti nuk je pjesë e asaj propagande, por nuk duhet të jesh viktimë e saj.
-Edhe diçka, ju e thatë vetë se unë nuk kam qenë pjesë e propagandës dhe as viktimë e saj. Pyetja që shtrova unë nuk lidhej me vitet tuaja në pushtet, pyetja që shtrova unë lidhet me pushtetin që keni pasur në PD pas viteve ‘90, që ka qenë i padiskutueshëm edhe kur Lulzim Basha ka qenë kryetar i kësaj partie. Perceptimi publik ka qenë ky. Por jeni aktualisht sot kryetar i PD, pra keni qenë president, kryeministër dhe përsëri vazhdoni të jeni lider i PD. Sa ju, zoti Berisha, përtej të gjitha arsyeve që argumentoni, mund të përballeni dhe mund të fitoni me këtë makineri që është krijuar dhe të frymëzoni qytetarët shqiptarë për të fituar? Ky është meraku i të gjithëve.
Sali Berisha: Po, po, tani këtu duhet të jemi pak objektivë përsëri. Kjo është një narkodiktaturë, kjo është narkodiktaturë autokratike që bazohet në farsën elektorale, që pranon pluralizmin por e shtyp pluralizmin, siç e patë Ilir Metën dje në kafaz.
Pra, kemi të bëjmë me një diktaturë, e cila në projektet e saj ogurzeza kishte një objektiv madhor, shndërrimin e PD në fasadë të saj. Në aleaten në bashkëqeverisje. Në fasadë.
Aty një njeri ndërhyri dhe ky ishte Sali Berisha.
Gjërat uroj dhe shpresoj të analizohen siç janë.
Nuk është e vërtetë kurrë se unë ndërhyra kur u shpalla non-grata. Jo. E kam thënë atë dhe e them përsëri. Nuk më shërbente.
Por kur pashë duart e zeza të kontrollonin partinë e demokratëve, atëherë ndërhyra fuqishëm dhe së bashku me demokratët e shpëtuam këtë parti.
E shpëtuam, e rikthyem parti të vërtetë opozitare, e rikthyem në genet e saj siç ishte themeluar, parti e parimeve.
Së dyti, e kam thënë dhe e them, 2021-shi nuk ishin zgjedhje, ishin farsë. Por ai që drejtonte nuk kishte preokupim farsën, kishte preokupim si të bënte koalicion me Edi Ramën.
Kurse më vonë, qoftë në vitin 2023, qoftë në vitin 2025, PD arriti ta gozhdojë Edi Ramën si armik të votës së lirë.
Arriti të mbrojë votën e shqiptarëve në kuptimin që në institucionet më prestigjioze të vlerësimit të zgjedhjeve, zgjedhjet në Shqipëri u konsideruan si zgjedhje në kushtet e partisë shtet. Kuptohet që ishin farsë dhe jo zgjedhje.
Zgjedhjet në Shqipëri, u tha me zë të lartë, se organizatat kriminale nuk lejojnë rotacionin e pushtetit në Bruksel.
Se zgjedhjet në Shqipëri shkelën standardet kryesore të dokumenteve të Kopenhagenit për zgjedhjet, të platformës së Këshillit të Europës për zgjedhjet dhe dokumente të tjera.
Pra, kjo parti mbrojti, brenda dhe jashtë vendit, votën e shqiptarëve.
Diktatura nuk zhvillon zgjedhje. Në diktaturë ka farsë.
-Po thoni që nuk fitoni dot zgjedhje me këtë qeveri?
Sali Berisha: Jo, me Edi Ramën, e kam thënë gjithmonë, nuk ka zgjedhje.
-Po ekzistenca juaj pastaj?
Sali Berisha: Ata që thonë se me Edi Ramën ka zgjedhje, ata janë vegla të Edi Ramës. Ata që pretendojnë se Edi Rama zhvillon zgjedhje, janë vegla të Edi Ramës.
I lëmë të gjitha këto. Merr vetëm një fakt, 2 miliardë euro dy ditë para votimit, jo në një popull me 1.5 milionë votues, por edhe në një popull me 4 milionë votues, prishin zgjedhjet.
I kanë ca rregulla apo jo?
Kështu që Edi Rama nuk zhvillon zgjedhje.
Ndaj dhe është qëndrimi ynë protesta jonë. Unë këtë ua kam thënë shqiptarëve. Unë jam i hapur me shqiptarët, nuk marrë kurrë përsipër të mashtroj shqiptarët.
Fjala ime ka qenë gjithnjë kjo. Ky nuk zhvillon zgjedhje.
Pse?
Ky është i inkriminuar në mënyrë të tmerrshme.
Ky e di që e presin vite burg për vjedhjet dhe krimet që ka kryer.
Ky është i aftë të kryejë çdo krim tjetër për të mos dorëzuar pushtet.
-Zoti Berisha, në zgjedhjet e 23 majit, do u thoni demokratëve, më jepni votën se do fitojmë përballë Ramës apo se do bëjmë libra të tjerë pas çdo palë zgjedhjeve që humbim?
Sali Berisha: Unë u them shqiptarëve se do mbroj votën dhe në qoftë se të kujtohet, zotimi im ka qenë mbrojtja e votës.
Diktaturat nuk bëjnë zgjedhje. Ata që duan zgjedhje, ata duan të përmbysin diktatorin.
Ata të cilët besojnë se mund të ketë zgjedhje në diktaturë, ata mashtrojnë veten e tyre dhe bëjnë lojën e diktatorit.
-Si rrëzohet diktatori?
Sali Berisha: Diktatori rrëzohet me lëvizje të fuqishme, me kryengritje paqësore. Edhe të armatosur, për ata që janë ekstremistë të majtë, ne nuk jemi parti e marrjes së pushtetit me dhunë. Jo. Sepse ajo ikën një diktator dhe sjell një diktator tjetër. Rrëzimet me guerile nuk kanë sjellë ndonjëherë demokraci, kanë sjellë dhunë.
Kështu që ne i përmbahemi atyre parimeve mbi të cilat jemi themeluar, parti e vlerave, parti që beson se pushteti duhet të burojë nga vota e lirë.
Gazeta RD