Vlora nuk është e karrigeve tuaja!

Nga Eralba KRESHPA
-Anëtare e Kryesisë së PD Vlorë

Jeni mësuar të më shihni këtu duke folur në emër të Partisë Demokratike.
Duke mbrojtur kauzat tona e duke denoncuar çdo ditë dështimet e këtij pushteti. Por sot, këtë video nuk po e bëj si pjesë e politikës. Po e bëj si një qytetare e thjeshtë, si një vlonjate që e dashuron këtë qytet dhe që e ndjek Këshillin Bashkiak me shpresën se, të paktën një herë, do të dëgjojë diçka që vërtet i shërben njerëzve.

Dje, kam mbetur pa fjalë. Jo nga projekt-vendimet e radhës, se tashmë jemi mësuar që prioriteti i kësaj bashkie nuk është qytetari. Ajo që më tronditi ishte lehtësia e frikshme me të cilën u ngritën ato kartonë “PRO”.
7000 lekë për një çadër plazhi?

Zotërinj këshilltarë, a e dini kë keni goditur me atë karton? Nuk keni goditur “opozitën”, as mua si pjesë të saj. Keni goditur fqinjin tuaj pensionist që këtë verë nuk do t’i çojë dot nipërit e mbesat në det. Keni goditur atë nënën që merr ushqimet me listë te dyqani i lagjes dhe atë kryefamiljar që punon me 50 mijë lekë rrogë e mezi mbyll muajin.

Ne të gjithë e dimë gjendjen e atyre plazheve. Dimë rërën e papastruar dhe ujërat e zeza që derdhen në detin tonë. E megjithatë, për shumë familje vlonjate, ai det është i vetmi “luks” pa kosto që u ka mbetur. Dhe ju, ua morët edhe këtë.

Si do t’i shihni nesër në sy këta njerëz kur t’i takoni në rrugët e Vlorës? Si do t’u thoni që votuat për t’ua bërë detin tonë të paarritshëm?

Vlora nuk është e karrigeve tuaja. Vlora është e atyre qytetarëve që sot ndihen të tradhtuar nga ata që duhet t’u shërbenin.

About Redaksia

Check Also

Teatri i paturpësisë alias diplomacisë

Nga Luçiano BOÇI Ka një moment në diplomaci kur buzëqeshja nuk është më protokoll, por …