Sekti Rama: atentator i palodhur ndaj pavarësisë editoriale dhe lirisë së shtypit!

Nga Bujar Leskaj

Liria e shtypit është një nga shtyllat kryesore të demokracisë funksionale, pasi garanton të drejtën e qytetarëve për t’u informuar, për të debatuar dhe për të mbajtur përgjegjës pushtetin. Në Shqipëri, megjithëse kushtetuta dhe legjislacioni e njohin lirinë e medias, në 14 vitet e fundit janë shfaqur shqetësime të vazhdueshme dhe të thella për përkeqësimin e klimës së ushtrimit të gazetarisë së lirë dhe të pavarur.

Sikurse shprehet sot, në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, në një shkrim të tij personaliteti i gazetarisë dhe publicistikës shqiptare Elez Biberaj, “Dita Botërore e Lirisë së Shtypit e këtij viti përkon me një rënie shqetësuese globale të lirisë së shtypit. Gazetarët po veprojnë nën presion intensifikues, ndërsa mediat përballen me detyrim politik dhe ekonomik në rritje”. Imagjinoni sa ka rënë kjo liri tek ne!

Raportet e organizatave ndërkombëtare, si “Reporterët pa Kufij”, “Freedom House” dhe vetë Komisioni Europian dëshmojnë se Shqipëria ka shfaqur dobësi serioze në garantimin e pavarësisë editoriale, transparencës së pronësisë mediatike dhe mbrojtjes së gazetarëve. Rënia në renditjet ndërkombëtare nuk është thjesht statistikë, por tregues i një klime ku presioni politik i sektit Rama në pushtet, presioni ekonomik dhe institucional mbi median është bërë gjithnjë e më i dukshëm dhe në disa raste paralizues.

Shqetësim madhor është presioni politik dhe ekonomik ndaj gazetarëve. Gazetarët në Shqipëri raportojnë shpesh për kontrolle të targetuara financiare ndaj mediave të tyre, kritike me rregjimin e Ramës, për aplikime gjobash nga strukturat tatimore, të motivuara politikisht, për të gjunjëzuar pronarët e mediave, për sulme verbale, intimidim dhe padi gjyqësore, të cilat përdoren nga qeveria dhe strukturat e tjera shtetërore, për të ushtruar presion mbi gazetarët.

Trysnia qeveritare ndaj gazetarëve ka arritur në apogje dhe është bërë e padurueshme. Rastet flagrantë më të fundit janë goditjet dhe gjobat miliona euro për të gjunjëzuar dhe shkatërruar median kritike Balkan Web dhe televizionin “News 24”.

Paditë e qeverisë dhe disa deputetëve të mazhorancës janë kthyer në një shqetësim në rritje, pasi individë apo institucione të fuqishme përdorin sistemin gjyqësor, për të dëmtuar rëndë sa financiarisht, po ashtu edhe psikologjikisht median kritike.

Administrata është bërë gjithnjë e më e centralizuar politikisht, duke krijuar një klimë jo vetëm të pafavorshme, por edhe mbytëse për median kritike dhe gazetarinë e pavarur.

Një nga shqetësimet kryesore lidhet me aksesin e gazetarëve në informacion publik. Edhe pse ekziston kuadri ligjor për të drejtën e informimit, shumë media dhe organizata të shoqërisë civile kanë raportuar vonesa, refuzime ose përgjigje jo të plota nga institucionet shtetërore.

Me  informacioni që filtrohet përmes kontrollit politik dhe burokratik shtetëror, aftësia e medias për të informuar publikun dhe për ta mbajtur si duhet në korent për punët publike, dobësohet ndjeshëm.

Një tjetër problem është mënyra sesi komunikimi publik është përqendruar. Në vend të konferencave të hapura dhe pyetjeve spontane, komunikimi institucional shpesh zhvillohet përmes deklaratave të kuruara, rrjeteve sociale dhe aktiviteteve të kontrolluara me raportim të servirur. Kjo kufizon mundësinë e gazetarëve për të bërë pyetje kritike dhe për të kërkuar llogaridhënie direkte nga zyrtarët.

Përzgjedhjet e mediave për akordimin e njoftimeve dhe reklamat shtetërore me pagesë, kontratave publike dhe marrëdhëniet ekonomike po përdoren gjithnjë e më shumë si mekanizma presioni mbi mediat. Në një treg të vogël mediatik si Shqipëria, varësia financiare ndikon rëndë në linjën editoriale dhe nxit në maksimum autocensurën.

Politizimi ekstrem i administratës publike përmes patronazhistëve përkthehet edhe në anti-kulturën institucionale. Kur administrata perceptohet si e lidhur fort me mazhorancën e radhës, media kritike shpesh shihet jo si partner demokratik, por si kundërshtare politike. Kjo qasje ushqen mëri të pabaza ndaj gazetarëve kritikë  dhe krijon tensione të panevojshme, duke ushqyer një klimë mosbesimi.

xxx

Liria e medias nuk matet vetëm nga mungesa e censurës formale, por nga mundësia reale e gazetarëve për të investiguar, pyetur dhe kritikuar pushtetin, pa frikë nga presioni politik apo ai ekonomik. Në këtë drejtim, Shqipëria ka bërë hapa të rëndë prapa në këto 14 vite të sektit Rama në pushtet.

Liria e shtypit nuk është luks për një shoqëri demokratike, por domosdoshmëri. Një Shqipëri që synon integrimin europian dhe forcimin e institucioneve nuk mund të ketë demokraci të shëndetshme pa media të lira, kritike dhe të mbrojtura. Rënia e saj duhet të shërbejë si alarm për institucionet, shoqërinë civile dhe vetë komunitetin mediatik.

About Redaksia

Check Also

Marrëveshja e firmosur/ Ambasadori i ri amerikan me dorë të fortë nga rreziku i korruptimit

Kandidat për Ambasador të ri të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri po dëshmon me hapat …