Në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike është shqyrtuar projektligji “Për identifikimin elektronik, shërbimet e besuara dhe portofolin e identitetit digjital”, ku debati është përqendruar te roli i AKSHI-t si institucioni që pritet të zbatojë sistemin e identitetit digjital.
Deputeti i Partisë Demokratike, Gent Strazimiri, ka akuzuar qeverinë dhe AKSHI-n për mungesë besueshmërie dhe skandale, duke vënë në pikëpyetje aftësinë e këtij institucioni për të menaxhuar të dhënat digjitale të qytetarëve.
Ai ka deklaruar se AKSHI është i përfshirë në probleme të rënda dhe nuk plotëson kriteret për një rol të tillë strategjik, duke kërkuar reflektim mbi projektligjin.
Pjesë nga diskutimi:
Strazimiri: Duhet të shqetësohemi sidomos kur marrim nga qeveria përgjigjen që i vetëm institucion që mund të krijojë identitetin digjital qenka AKSHI, që është struktura shtetërore e zhytur në skandale të të gjithë llojeve, ku gjysmën e njerëzve i ka në kërkim, gjysmat në burg, gjysmat po bëhen gati të shkojnë në burg. E rëndësishme është që komisioni të thellohet. Nëse do të shkojmë te Kaçanai që jetoka me qera por as vetë nuk di se ku i ka vilat, u ngatërroka, e rëndësishme është që t’i japim kohë vetes e të shohim si implementohet. Kur të dhënat tona elektronike prej 10 vitesh i kanë në dorë patronazhistët, ose i marrin sa herë të kenë qejf iranianë t e i nxjerrin, në fund na del që i paskan shitur vetë ata të AKSHI-t që janë në burg ose në kërkim nga kjo drejtësia e re, duhet të ndalemi të mendohemi e të bëjmë disa seanca dëgjimore. Ose ta çojmë në gropë, aty ku ka rënë AKSHI, këtë praktikë pa lindur mirë akoma. Kur themi që i vetmi institucion që përmbush kriteret për të implementur këtë ligj qenka AKSHI, ti i pari duhet të thuash a të çohemi ta mbyllim e t’i vëmë drynin këtij institucioni, sepse e dimë ku do ta çojë, AKSHI i ka në burg njerëzit.
Manja: Institucioni është institucion dhe individi është diçka tjetër. E dëgjova sugjerimin tuaj, por edhe nëse do të ftojmë ekspertët më të mirë ndërkombëtarë ti sërish nuk e ndërron mendimin
Strazimiri: Bëni të paktën sikur shqetësohesh.
Manja: Nuk bëjmë dot. Ne do ta miratojmë projektligjin sepse na keni kërkuar disa herë të bëni sikur jeni pro ligjeve të integrimi. Ky është një nga këto ligje. Në Konferencë Kryetarësh, në seancë plenare para dy javësh na keni thënë t’u themi kush janë ligjet e paketës së integrimit që të mbani qëndron pro tyre.
Styrazimiri: Çfarë kriter përmbush AKSHI kur i ka të gjithë njerëzit në burg, dhe ata që nuk janë po bëhen gati të shkojnë atje?
Gazeta RD