Kryetari i PD foli për zhvillimet në Bruksel ku e cilësoi raportin e miratuar në Parlamentin Europian si një dokument me rëndësi të veçantë për Shqipërinë.
Ai theksoi se ky raport përbën një vlerësim të drejtpërdrejtë të situatës në vend, pas misionit faktmbledhës të eurodeputetëve. Sipas Berishës, gjetjet e raportit përforcojnë qëndrimet e opozitës dhe evidentojnë problematika të qeverisjes.
Berisha: Por dua të them se në këtë kuadër, një zhvillim i një rëndësie të jashtëzakonshme ka ndodhur dje në Bruksel, në tempullin e demokracisë.
Në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian është miratuar raporti i këtij komisioni.
Raporti është hartuar pas një vizite jashtëzakonisht të rëndësishme faktmbledhëse të përfaqësuesve të këtij komisioni, të kryesuar nga kryetari i komisionit,
David McAllister dhe të përbërë nga përfaqësues të rëndësishëm të të gjitha grupeve parlamentare.
Ata erdhën në Shqipëri në misionin e Shën Thomait, t’i shohin vetë të gjitha gjërat në vend.
Në morinë e informacioneve të dërguara nga të gjitha anët, ndër të tjera edhe nga opozita, ata erdhën t’i shihnin gjërat në vend.
Dhe nga kjo vizitë mund t’u them se kanë fituar shumë qytetarët shqiptarë.
Edi Rama ka tre muaj që akuzon opozitën se bën denoncime në Bruksel. Duhet të ndjehemi krenarë se kemi mbrojtur interesat e qytetarëve shqiptarë nga një armik i shpërfytyruar i tyre, nga një armik i egër i shqiptarëve, i demokracisë.
Nga një njeri, që ka sjellë moral të qeverisjes, moralin e etërve të tij vrastarë.
Nga një njeri, që ka vendosur parimet e regjimit të etërve të tij si parime të Shqipërisë që sot ecën drejt BE.
Nuk ka krenari më të madhe se sa të mbrojmë me ndershmëri, me sinqeritet, interesat e shqiptarëve në Tiranë dhe kudo në botë.
Por të jemi realistë, ky raport i shkëlqyer nuk është meritë e jona, ne kemi bërë punën tonë, por ai është meritë e atyre burrave, grave, që erdhën në mision me vlerësimin më serioz për gjendjen në Shqipëri. Erdhën për t’i parë gjërat në vend, për të vërtetuar dhe u faktuan me faktorë nga më të ndryshmit të shoqërisë shqiptare.
Dëgjuan të gjitha palët, u njohën me dokumentet dhe ajo që është ana më pozitive, se ky raport i hartuar nga socialisti Andreas Schieder dhe i amenduar nga deputetë të grupeve të tjera, është raport unanim i komisionit.
Mund të themi se për herë të parë në historinë e Shqipërisë miratohet një raport i tillë. Dhe njëherë, ne këtë raport do ta kemi program pune.
Aq sa na takon ne, do i përgjigjemi me të gjitha mundësitë tona, bazuar në atë parim që thotë raporti, integrimi i Shqipërisë duhet të jetë i bazuar në meritë.
E thekson jo njëherë, por disa herë. Dhe ne të tillë koncept kemi.
Gazeta RD