Në ambientet e një hoteli në Vlorë u zhvillua një takim i zgjeruar i partive opozitare, i thirrur nga drejtuesi politik i Partia Demokratike, Aurel Bylykbashi.
Në këtë tryezë u shpall zyrtarisht krijimi i një fronti opozitar në Vlorë, me synim bashkimin e të gjitha forcave kundër mazhorancës aktuale dhe përgatitjen për zgjedhjet vendore të vitit 2027.
Pjesë e këtij fronti janë disa parti opozitare, mes tyre:
Balli Kombëtar
Balli Kombëtar Demokrat
Partia e Lirisë
LZHK
PDIU
Partia e Legalitetit
Përfaqësuesit e këtyre forcave u mblodhën në një tryezë të përbashkët, ku ranë dakord për krijimin e një bashkëpunimi të qëndrueshëm opozitar në qytetin e Vlorës, pavarësisht zhvillimeve apo vendimeve që mund të merren në nivel qendror.
Një tjetër element i rëndësishëm i këtij takimi ishte edhe ulja e tensioneve mes përfaqësuesve të grupimeve të lidhura me Lulzim Basha dhe Sali Berisha, duke sinjalizuar një afrimitet brenda opozitës lokale.
Në fjalën e tij, Bylykbashi theksoi se bashkëpunimi duhet të jetë i vazhdueshëm dhe jo vetëm në periudha fushatash, duke e cilësuar situatën në Shqipëri dhe veçanërisht në Vlorë si të rënduar nga qeverisja aktuale.
Ai ngriti shqetësime për largimin e popullsisë, keqmenaxhimin e fondeve dhe dobësimin e demokracisë, duke theksuar se vendi po bëhet gjithnjë e më pak i jetueshëm.
“Qëllimi ynë është krijimi i një fronti të fortë opozitar që bashkon çdo forcë politike, çdo qytetar dhe çdo zë kundër kësaj situate,” u shpreh Bylykbashi.
Ai shtoi se pritet që edhe parti të tjera t’i bashkohen kësaj nisme në vijim.
Në përmbyllje, drejtuesi politik renditi tre shtylla kryesore për suksesin: seriozitet me qytetarët, unitet brenda opozitës, dhe punë e përbashkët për fitoren. Ky zhvillim shihet si një hap konkret drejt konsolidimit të opozitës në Vlorë dhe ndërtimit të një alternative të përbashkët për zgjedhjet e ardhshme vendore.
Gazeta RD