DEKLARATË PËR MEDIA ZËDHËNSJA E PD, FLORIANA GARO
Deklaratë e Partisë Demokratike
Në vlerësim të raportit të Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian për Shqipërinë, për rolin qendror që duhet të ketë parlamenti në procesin e integrimit të vendit në BE, edhe të letrës së kryetarit të këtij Komisioni, të nderuarit David McAllister, drejtuar Komisioneres për Zgjerimin, Shkëlqesisë së saj zonjës Marta Kos, lidhur me rolin real të opozitës në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, Partia Demokratike e Shqipërisë deklaron sa vijon:
Së pari, falënderon Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian për raportin e tij objektiv dhe rekomandimet e tij të rëndësishme, si dhe Kryetarin e Komisionit të Jashtëm të këtij parlamenti, të nderuarin McAllister, për letrën e tij të bazuar në çështjet e ngritura nga zonja Tabaku në letrën drejtuar atij lidhur me pronësimin e procesit të integrimit nga qeveria dhe përjashtimin e opozitës nga roli kushtetues i saj në këtë proces.
Së dyti, Partia Demokratike beson se integrimi i vendit në BE, si një proces themelor për shoqërinë shqiptare, duhet të jetë një proces jo i mbyllur e përjashtues siç është sot në Shqipëri, por një proces i hapur dhe transparent, gjithëpërfshirës, në të cilin parlamenti i vendit, ashtu siç theksohet edhe në raportin e fundit të Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian, duhet të ketë rolin qendror.
Së treti, për Partinë Demokratike procesi i integrimit të vendit në BE duhet të jetë një proces i bazuar në reforma të thella dhe të gjithanshme, të zbatuara me seriozitet e vendosmëri për funksionimin e shtetit ligjor dhe ekonomisë së tregut, dhe jo në ligje e reforma sa për sy e faqe e në letër, si në rastet e korrupsionit të Ballukut dhe Karçanaj, që në shkelje flagrante të Kushtetutës u mbrojtën me fanatizëm nga Edi Rama.
Për Partinë Demokratike, integrimi i vendit në BE duhet të jetë detyrimisht një proces i bazuar kryekëput në performancën dhe meritën, dhe jo në lobimin korruptiv dhe fasadën, siç përpiqet ta udhëheqë atë Edi Rama dhe qeveria e tij.
Në këtë kuadër, Partia Demokratike dënon me forcë të gjitha qëndrimet, praktikat dhe aktet antikushtetuese të përdorura deri sot nga Edi Rama dhe qeveria e tij për të vendosur pronësinë mbi procesin e integrimit dhe për të përjashtuar opozitën dhe rolin e saj në këtë proces.
Kështu, për të realizuar këtë qëllim, qeveria, me një procedurë antikushtetuese, të mbyllur, pa asnjë konsultim dhe të hedhur poshtë tashmë nga Gjykata Kushtetuese, ndryshoi strukturën e parlamentit vetëm për t’i hequr opozitës drejtimin e Komisionit të Integrimit, të cilin ajo e drejtonte me përgjegjësi vite e vite me radhë.
Po në këtë kuadër, çdo kërkesë për debat parlamentar apo për interpelancë me kryeministrin për probleme të integrimit refuzohet pa asnjë bazë ligjore dhe në kundërshtim me detyrimet kushtetuese nga drejtuesit e parlamentit, natyrisht me urdhër të Edi Ramës.
Shtojmë se ky i fundit ka firmosur së bashku me Aleksandër Vuçiç letrën publike në të cilën, pa asnjë konsultim me institucionet e vendit, parlamentin, opozitën, as edhe publikun, kërkon de facto, si vazhdim i Ballkanit të Hapur, një proces anëtarësimi të pjesshëm për Shqipërinë dhe Serbinë në BE, dhe kjo vetëm e vetëm për interesa të pushtetit të tyre.
Përveç këtyre, qeveria shqiptare zbaton kodin e heshtjes së plotë dhe mban sekret shtetëror të gjitha çështjet konkrete që ngrihen, kërkesat dhe rekomandimet që parashtrohen në takimet e përfaqësuesve të saj nga përfaqësues të Komisionit Europian, Këshillit Europian dhe organeve të këtyre institucioneve.
Madje, në një akt të papërgjegjshëm, ajo arriti të censurojë plotësisht me mediat që kontrollon edhe raportin e fundit të Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian, me gjithë vlerën e madhe të konstatimeve dhe rekomandimeve të këtij raporti për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.
Së fundmi, duke hedhur poshtë të gjitha trillimet e qeverisë dhe lobistëve të saj të korruptuar që pretendojnë se opozita nuk ka në axhendë integrimin, garanton qytetarët shqiptarë dhe partnerët tanë se ajo, si forca politike lokomotivë e proceseve integruese që nga themelimi i saj, konsideron integrimin e bazuar në meritë të Shqipërisë në BE si objektivin më madhor të programit të saj dhe si të ardhmen më të mirë të Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Gazeta RD