Nënkryetarja e Komisionit të Jashtëm, Albana Vokshi, ka debatuar me socialistët në lidhje me raportin e Këshillit të Ministrave për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Vokshi deklaroi se raporti nuk është realist dhe pyeti Ministren e Shtetit dhe Kryenegociatoren, Majlinda Dhuka, nëse edhe vetë ajo e beson raportin e qeverisë.
Sipas saj, nuk ka asnjë përparim në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ashtu siç pretendon raporti, ndërsa asnjë nga kriteret bazë për integrimin nuk është përmbushur.
Vokshi akuzoi qeverinë për mungesë transparence, duke u shprehur se qeveria e mban procesin e integrimit top sekret.
“Pse e mbani procesin e integrimit top sekret dhe pse nuk ndani me publikun dhe opozitën informacion mbi negociatat dhe ecurinë reale të procesit?”, pyeti Vokshi.
Një tjetër pikë ku u ndal Vokshi ishte ndryshimi i vetë konceptit të integrimit europian nga qeveria Rama. Ajo iu referua editorialit të përbashkët Rama-Vuçiç, ku Shqipëria heq dorë nga anetarësimi i plotë i menjëhershëm.
“A përfaqëson ky qëndrim një ndryshim të vizionit të Shqipërisë për integrimin europian: nga anëtarësim me të drejta të barabarta, në një model ‘integrimi pa vendimmarrje’?”, pyeti Vokshi.
Në lidhje me fondet europiane dhe reformat, Vokshi ngriti shqetësimin se raporti i paraqitur nuk jep asnjë të dhënë konkrete mbi rreziqet që mund të cenojnë financimet nga BE.
“A ka qeveria një vlerësim të brendshëm për reformat që janë në rrezik mospërmbushjeje brenda afateve të BE-së, veçanërisht për qershorin 2026?” – pyeti ajo, duke përmendur edhe referencat kritike të Komisionit Europian për gjetjet e OLAF-it.
Një tjetër çështje kryesore ishte mosmbyllja ende nga Shqipëria e procesit IBAR, mekanizmi i BE-së që vlerëson progresin në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si kusht për avancimin e mëtejshëm të negociatave dhe mbylljen e kapitujve.
“Pse Mali i Zi po avancon në këtë proces dhe Shqipëria jo?”, ishte pyetja që ngriti Vokshi gjatë mbledhjes.
Gazeta RD