Deputeti i PD, Klevis Balliu në një deklaratë nga Kryesia e Kuvendit, akuzoi qeverinë se raporti i paraqitur në Komisionin e Jashtëm për procesin e integrimit europian është “propagandistik” dhe nuk pasqyron realitetin në Shqipëri.
Sipas tij, vonesat në procesin e IBAR-it dhe shqetësimet e disa vendeve të BE-së tregojnë probleme serioze në drejtësi, korrupsion dhe krim të organizuar. Balliu tha se integrimi nuk matet me statistika apo ligje të miratuara, por me funksionimin real të shtetit të së drejtës.
Ai ngriti gjithashtu akuza për ndikimin e krimit të organizuar në ekonomi, rritjen artificiale të çmimeve të pronave dhe mungesën e rezultateve konkrete në luftën kundër korrupsionit.
Deklarata
Ditën e djeshme qeveria solli në Komisionin e Jashtëm raportin për integrimin, i cili nuk është një pasqyrë reale e gjendjes së Shqipërisë në rrugën europiane, por një dokument propagandistik i ndërtuar mbi statistika formale apo burokratike dhe retorikë vetëlavdëruese. Dhe prova më e qartë për këtë është fakti se procesi i IBAR-it për Shqipërinë është vonuar sërish, pasi 9 vende anëtare të Bashkimit Europian kanë kërkuar shpjegime shtesë për problematikat serioze në sistemin e drejtësisë, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Ky është një akt i rëndë dhe problematik për të gjithë ne si shoqëri. E vërteta është se me raporte propagandistike nuk integrohet askush në Bashkimin Europian. Integrimi nuk matet me numrin e ligjeve të miratuara apo konferencave për shtyp të Edi Ramës, por me funksionimin real të shtetit, me pavarësinë e drejtësisë, me luftën efektive kundër krimit dhe korrupsionit. Sot Shqipëria vazhdon të identifikohet në raporte ndërkombëtare si korridori i trafikimit të drogës, si qendër e pastrimit të parave dhe si vend ku krimi i organizuar ka depërtuar në ekonomi, ndërtim dhe institucione publike.
Raportet e antimafies italiane, departamentit amerikan të shtetit dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare kanë ngritur vazhdimisht alarmin për procedimin e sektorit të ndërtimit, për pastrim parash nga kartele të rrezikshme shqiptare, por dhe të huaja, përfshirë grupe të lidhura me Ndraghetën dhe kartelin e Sinaloas. Pasojat janë katastrofike edhe për ekonominë kombëtare, kullat që po mbinë kudo nuk përfaqësojnë zhvillim ekonomik real, por deformim kriminal të tregut. Çmimet e pronave janë rritur në mënyrë artificiale duke shkatërruar sigurinë ekonomike të qytetarëve dhe duke e bërë të pamundur për familjet shqiptare blerjen e një banese normale.
Ndërkohë, raporti shmang me vetëdije të plotë çështje tepër sensitive për sigurinë kombëtare dhe interesin publik. Skandalin Balluku ku ish-zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Energjetikës dhe Infrastrukturës është aktualisht nën hetim, si dhe shmang pjesën kur qeveria e ka mbrojtur atë me kartonat e pushtetit nga drejtësia, duke penguar kështu drejtësinë të bëjë detyrën e vet. Skandalin e Akshit dhe dyshimet për korrupsion e manipulim tendrash në infrastrukturë kritike dixhitale. Projektin Smart City Albania që prek mbikëqyrjen masive dhe të dhënat personale të qytetarëve.
Portin e Durrësit dhe Porto Romanon, infrastrukturë me rëndësi strategjike për NATO-n, çështjen Kajo dhe dhe dyshimet për konflikt interesi në sektorin e mbrojtjes. Madje është tronditëse që vetëm një ditë pas takimit me ambasadorin e Bashkimit Europian z. Silvio Gonzato, Edi Rama doli publikisht me flamurin e Bashkimit Europian për të marrë në mbrojtje Akshin dhe zonjën Mirlinda Karçanaj duke tentuar të japë mesazhin se Bashkimi Europian nuk e ka problem më këtë aferë dhe nuk ka problem as sulmet e Edi Ramës ndaj prokurorëve. Patjetër kjo s’ka të bëjë aspak me realitetin.
Përkundrazi, por përdorimi i flamurit europian për të mbrojtur skandale dhe për të sulmuar drejtësinë, është një akt i turpshëm dhe i rëndë që kompromenton seriozisht besimin ndaj procesit të integrimit. Raporti injoron gjithashtu konstatimet e OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 11 majit të 2025-ës, ku evidentohen përdorimi i burimeve shtetërore, presione ndaj administratës dhe ndikimi i elementëve kriminalë në procesin zgjedhor. Demokracia zgjedhore është themeli i integrimit europian dhe nuk mund të relativizohet apo të fshihet pas propagandës qeveritare.
Po ashtu, qeveria flet për suksese në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ndërkohë që realiteti është krejt tjetër. Vetëm pak ditë më parë, Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Europian konfirmoi publikisht se Shqipëria kishte rënë me 11 vende në indeksin e luftës kundër korrupsionit. Qeveria përmend statistika për masa ndaj krimit të organizuar, por shmang pyetjen thelbësore, ku janë rezultatet reale? Janë prerë qindra fletëarresti, por 231 prej tyre vazhdojnë të jenë të paekzekutuara.
Kjo do të thotë se kapen vetëm ushtarët, ndërsa drejtuesit e organizatave kriminale nuk preken kurrë dhe arsyeja është e qartë, operacionet dekonspirohen nga segmente të inkriminuara të policisë dhe strukturave shtetërore. Po aq alarmante është gjendja në sistemin gjyqësor. Qeveria e paraqet atë gjendje, çështjen e stokut të këtyre të çështjeve gjyqsore, si një administrim i suksesshëm.
Ndërkohë realiteti është krejt ndryshe. Aktualisht, Gjykata e Lartë ka 16.445 çështje, Gjykata e Apelit 56.990 çështje, Apeli Administrativ 24.530 çështje, Gjykata e Përgjithshme 39.767 çështje, Gjykata Administrative 8.396 çështje, GJKKO-ja 223 çështje. Në total sistemi shqiptar ka sot 147.351 çështje të mbartura nga 143.000 që ishin në fund të vitit 2024. Pra jo vetëm që nuk ka përmirësim, por kemi përkeqësim të thellë të situatës dhe rritje të stokut të drejtësisë së vonuar. Por kur kemi drejtësi të vonuar, ajo është patjetër drejtësi e mohuar.
Shqipëria nuk ka nevojë për një qeveri që mbron veten, klientët e saj politikë dhe aferat korruptive. Shqipëria ka nevojë për një qeveri që mbron interesin kombëtar dhe të ardhmen europiane të shqiptarëve. Në cilësinë e nënkryetarit të komisionit të punëve të brendshme dhe dhe si përfaqësues i opozitës, ne sot kërkojmë transparencë të plotë për kapitullin 24 dhe procesin e Ibarit, auditim të pavarur për Akshin dhe projektin Smart City Albania, transparencë mbi sigurinë kibernetike dhe infrastrukturën strategjike, rezultate konkrete dhe të verifikueshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe reformim real të sistemit gjyqsor, jo propagandë statistikore.
Integrimi europian nuk është dekor politik për propagandën e qeverisë. Integrimi europian është standard, shtet ligjor dhe besim. Dhe sot për fat të keq Shqipëria po largohet nga këto standarde, për shkak të një qeverie që ka zgjedhur të bashkëjetojë, të bashkëpunojë me korrupsionin dhe krimin në vend që t’i luftojë ato.
Gazeta RD