Mungesa e diversifikimit ekonomik dhe cenueshmëria e modelit shqiptar të zhvillimit

Nga Bujar Leskaj

Një nga problemet më të thella strukturore që evidenton raporti i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit për klimën e investimeve në Shqipëri https://www.state.gov/wp-content/uploads/2025/09/638719_2025-Albania-Investment-Climate-Statement.pdf lidhet me vetë modelin ekonomik mbi të cilin është mbështetur rritja e viteve të fundit.

Megjithëse raporti njeh stabilitetin makroekonomik, rritjen e turizmit dhe hyrjen e investimeve të huaja, ai përmend qartë në faqen 2 të tij se zhvillimi ekonomik i Shqipërisë mbetet “vulnerable to widespread corruption, organized crime, distorted competition, labor shortages caused by emigration, low productivity, and a large informal sector” (“i cenueshëm nga korrupsioni i përhapur, krimi i organizuar, konkurrenca e deformuar, mungesa e fuqisë punëtore si pasojë e emigracionit, produktiviteti i ulët dhe një sektor i madh informal”).

Ky konstatim është thelbësor sepse zhvendos vëmendjen nga ritmi statistikor i rritjes tek cilësia reale e saj. Në thelb, raporti sugjeron se ekonomia shqiptare nuk po ndërton një bazë të qëndrueshme zhvillimi, por po mbështetet mbi mekanizma afatshkurtër dhe sektorë me produktivitet të ulët. Kjo do të thotë se Shqipëria mund të prodhojë rritje ekonomike në terma numerikë, por pa krijuar themelet e një ekonomie moderne, konkurruese dhe rezistente ndaj krizave.

Në dekadën e fundit, ekonomia shqiptare është orientuar kryesisht drejt ndërtimit, turizmit, pasurive të paluajtshme dhe remitancave. Këta sektorë kanë gjeneruar qarkullim kapitali, kanë rritur konsumin dhe kanë krijuar iluzionin e një dinamike ekonomike të fortë, por nuk kanë sjellë transformim strukturor. Shqipëria vazhdon të ketë industri të dobët prodhuese, eksporte me vlerë të ulët të shtuar dhe nivel të kufizuar inovacioni teknologjik.

Raporti i DASH në faqen 3 të tij citon se investimet e huaja direkte janë përqendruar kryesisht në “real estate 23%, banking and insurance 18%, extractive industries 13.5% and processing industry 11%” (“pasuri të paluajtshme 23%, sektorin bankar dhe sigurimet 18%, industritë nxjerrëse 13.5% dhe industria përpunuese 11%”).

Kjo tregon se kapitali po orientohet më shumë drejt sektorëve konsumues dhe spekulativë sesa drejt ekonomisë prodhuese. Kjo është një nga dobësitë themelore të modelit aktual ekonomik shqiptar. Një ekonomi e mbështetur kryesisht tek ndërtimi dhe turizmi mund të prodhojë rritje të shpejtë statistikore, por mbetet jashtëzakonisht e ekspozuar ndaj krizave të jashtme, luhatjeve financiare apo tensioneve gjeopolitike.

Pandemia e COVID-19 e bëri këtë dobësi plotësisht të dukshme. Ekonomitë e varura nga turizmi pësuan goditje të menjëhershme dhe Shqipëria nuk përbënte përjashtim. Në mungesë të një industrie konkurruese dhe të një baze të fortë prodhuese, vendi mbetet i varur nga importet, konsumi sezonal dhe hyrja e kapitalit nga jashtë.

Problemi bëhet edhe më serioz kur kapitali fillon të orientohet sistematikisht drejt sektorëve me kthim të shpejtë financiar, duke shmangur investimet afatgjata në industri, teknologji, bujqësi moderne apo kërkim shkencor. Në realitetin shqiptar është shumë më e lehtë dhe më fitimprurëse të investosh në ndërtim apo pasuri të paluajtshme sesa në prodhim industrial apo inovacion teknologjik. Kjo nuk ndodh rastësisht. Sektorët prodhues kërkojnë siguri juridike, stabilitet fiskal, fuqi punëtore të kualifikuar, financim afatgjatë dhe konkurrencë të ndershme, pikërisht elementët që raporti identifikon si më problematikët në Shqipëri.

Këtu raporti lidh drejtpërdrejtë mungesën e diversifikimit ekonomik me korrupsionin dhe ekonominë informale. DASH po në faqen 4 të raportit thekson se “illicit funds distort competition” (“fondet e paligjshme deformojnë konkurrencën”), një konstatim me pasoja shumë më të thella sesa duket në pamje të parë. Kur në ekonomi qarkullojnë kapitale me burime të paqarta, tregu pushon së funksionuari sipas logjikës së eficiencës ekonomike. Investimet nuk orientohen më drejt sektorëve më produktivë apo më inovativë, por drejt aktiviteteve ku kapitali mund të absorbohet shpejt dhe me kontroll minimal institucional.

Kjo krijon një deformim të rëndë të konkurrencës. Bizneset prodhuese humbasin terren sepse nuk mund të konkurrojnë me kapital informal apo me aktorë që operojnë jashtë rregullave normale të tregut. Në një klimë të tillë, ekonomia fillon të favorizojë jo eficiencën dhe inovacionin, por afërsinë politike, informalitetin dhe fuqinë financiare me origjinë të paqartë.

Një tjetër dimension kritik që evidenton raporti po në këtë faqe është emigracioni masiv i fuqisë punëtore. DASH paralajmëron se Shqipëria po përballet me “labor shortages caused by emigration” (“mungesa të fuqisë punëtore të shkaktuara nga emigracioni”), duke e identifikuar këtë si një nga rreziqet kryesore për zhvillimin afatgjatë.

Problemi nuk lidhet vetëm me largimin e krahut të punës, por sidomos me ikjen e kapitalit njerëzor të kualifikuar. Shqipëria po humbet të rinj të arsimuar, pikërisht shtresën që duhet të mbështeste modernizimin ekonomik të vendit. Pasojat janë të shumëfishta dhe afatgjata. Bizneset kanë gjithnjë e më shumë vështirësi për të gjetur staf të specializuar; investitorët hezitojnë të hyjnë në sektorë që kërkojnë kapital njerëzor cilësor; ekonomia mbetet e fokusuar tek aktivitetet me produktivitet të ulët; ndërsa kapaciteti inovativ i vendit dobësohet gradualisht.

Në plan afatgjatë, kjo krijon një rreth vicioz: mungesa e sektorëve modernë nxit emigracionin, ndërsa emigracioni pengon krijimin e sektorëve modernë. Nëse ky cikël nuk ndërpritet, Shqipëria rrezikon të mbetet një ekonomi periferike, e mbështetur kryesisht tek konsumi, remitancat dhe shërbimet me vlerë të ulët të shtuar.

Raporti, në faqen 2 të tij, ndalet gjithashtu tek problemi i produktivitetit të ulët, duke theksuar nevojën për “deep structural reforms” (“reforma të thella strukturore”) për të rritur konvergjencën me ekonominë europiane. Produktiviteti i ulët është ndoshta treguesi më i qartë i limiteve të modelit aktual ekonomik shqiptar. Ai do të thotë se ekonomia prodhon pak vlerë të shtuar për njësi pune apo kapitali, çka reflektohet drejtpërdrejtë tek pagat e ulëta, konkurrueshmëria e kufizuar e eksporteve dhe varësia nga konsumi dhe remitancat.

Kjo shpjegon pse Shqipëria vazhdon të ketë diferencë të madhe me ekonomitë europiane, edhe pse në letër regjistron ritme pozitive rritjeje. Problemi nuk është mungesa e potencialit ekonomik, por mungesa e një transformimi të thellë strukturor.

Një nga aspektet më problematike të raportit, sipas trajtimit në faqen 4, lidhet me marrëdhënien mes shtetit dhe biznesit. DASH evidenton se investitorët vazhdojnë ta perceptojnë Shqipërinë si “a difficult place to do business” (“një vend të vështirë për të bërë biznes”). Ky konstatim ka rëndësi të madhe sepse tregon se problemi nuk qëndron vetëm tek burokracia apo niveli i taksave, por tek vetë besueshmëria e institucioneve.

Në ekonomitë moderne, investitorët nuk analizojnë vetëm kostot operative. Po aq të rëndësishme janë stabiliteti i rregullave, siguria juridike, parashikueshmëria fiskale dhe trajtimi i barabartë para ligjit. Pikërisht këtu raporti identifikon një nga dobësitë kryesore të klimës ekonomike shqiptare.

Bizneset ankohen për “frequent changes in fiscal legislation” (“ndryshime të shpeshta të legjislacionit fiskal”) dhe për mungesë konsultimi real me sipërmarrjen.

Në praktikë, kjo krijon pasiguri strukturore për investimet afatgjata. Një kompani që planifikon të investojë për 10 apo 20 vite ka nevojë të dijë se rregullat fiskale nuk do të ndryshojnë në mënyrë arbitrare dhe se ekziston stabilitet institucional. Kur legjislacioni ndryshon shpesh dhe pa transparencë, perceptimi i riskut rritet ndjeshëm.

Raporti bëhet edhe më kritik në faqen 12, kur trajton çështjen e “investitorëve strategjikë”. Sipas DASH, “the insignificant share of foreign investors that have benefited from the status of strategic investors has fueled the perception among foreign investors that the law has benefited mostly domestic companies with strong ties to the ruling majority” (“pjesa e papërfillshme e investitorëve të huaj që kanë përfituar statusin e investitorëve strategjikë ka forcuar perceptimin mes investitorëve të huaj se ligji ka favorizuar kryesisht kompanitë vendase me lidhje të forta me shumicën qeverisëse”).

Ky është një nga sinjalet më negative për klimën e biznesit, sepse krijon bindjen se konkurrenca nuk funksionon mbi meritën ekonomike, por mbi afërsinë me pushtetin. Kur investitorët besojnë se tregu nuk është neutral, klima ekonomike degradohet gradualisht. Bizneset serioze tërhiqen, investitorët e huaj shmangin sektorët me risk politik dhe ekonomia dominohet gjithnjë e më shumë nga klientelizmi dhe kapitali i lidhur me pushtetin.

Shqetësimet për korrupsionin në prokurimet publike e përforcojnë më tej këtë perceptim. DASH sipas trajtimit në faqen 4, thekson se “reports of corruption in government procurement are common” (“raportimet për korrupsion në prokurimet qeveritare janë të zakonshme”).

Kjo ka pasoja të drejtpërdrejta ekonomike, sepse prokurimet publike përfaqësojnë një pjesë të rëndësishme të ekonomisë kombëtare. Kur biznesi beson se tenderat nuk zhvillohen mbi konkurrencë reale, kompanitë serioze tërhiqen, ulet konkurrenca efektive, rriten kostot për shtetin dhe forcohen mekanizmat klientelistë.

Raporti ngre gjithashtu shqetësime serioze për PPP-të, duke theksuar se “the continued use of public-private partnership (PPP) contracts has reduced opportunities for competition” (“përdorimi i vazhdueshëm i kontratave PPP ka reduktuar mundësitë për konkurrencë”), faqe 4. Po ashtu, DASH evidenton “poor analysis and lack of technical expertise” (“analizë të dobët dhe mungesë ekspertize teknike”) në hartimin dhe monitorimin e këtyre kontratave.

Në praktikë, kjo do të thotë se shteti mund të marrë angazhime financiare afatgjata pa garanci të qarta mbi eficiencën ekonomike apo interesin publik. Sa më i dobët të jetë kontrolli teknik dhe institucional mbi PPP-të, aq më i lartë bëhet risku që ato të kthehen në mekanizma transferimi të fondeve publike drejt grupeve të favorizuara ekonomike dhe politike.

Në fund, raporti lë të kuptohet qartë se problemi kryesor i Shqipërisë nuk është thjesht ekonomik, por institucional. Investitorët janë të gatshëm të operojnë edhe në tregje me kosto më të larta, për sa kohë ekzistojnë sundimi i ligjit, transparenca, konkurrenca e ndershme dhe siguria juridike. Pikërisht këto elemente vazhdojnë të perceptohen si të brishta në Shqipëri.

Për këtë arsye, raporti i DASH nuk është thjesht një kritikë teknike ndaj klimës së biznesit. Ai është një paralajmërim i qartë se pa reforma të thella institucionale, pa forcim të shtetit ligjor dhe pa transformim real të modelit ekonomik, rritja aktuale rrezikon të mbetet sipërfaqësore, e brishtë dhe e paaftë për të prodhuar konvergjencë reale me Bashkimin Europian.

 

About Redaksia

Check Also

Berisha do të padisë gjobëvënësin e mediave/ Reagimi…

Përgënjeshtrim i Kryetarit të PD, Sali Berisha Sot, një gjobëvënës i vërtetuar dhe shpifës i …