Kuvendi është mbledhur mëngjesin e kësaj të enjte në seancë plenare, ku në rend dite ishte parashikuar një interpelancë me Edi Ramën në lidhje me projektin “Smart City”.
Vetë Rama nuk ka qënë i pranishëm në seancë, për këtë arsye interpelanca e kërkuar nga opozita është rrëzuar.
Deputeti i PD, Klevis Balliu ka reaguar me tonë të ashpra duke theksuar se, mungesa e Ramës është e pajustifikueshme, ndërsa ka shtuar se ky i fundit e ka për detyrim të paraqitet në seancë.
“Është e disata interpelancë që Edi Rama vijon të mos jetë në këtë sallë. Besoj duhet t’i kujtoni që interpelancat nuk janë çështje qejfi, ai ka detyrim të paraqitet.
Çështja që e kemi thirrur është për Smart City, nuk po diskutojmë instalimin e disa kamerave. Mungesa e kryeministrit në sallë është politikisht e pajustifikueshme. Kryeministri ka detyrimin të vijë para Kuvendit dhe të japë llogari.
Sipas dokumentacionit, projekti Smart City parashikon instalimin e mbi 2000 kamerave, rreth 3800 kamera trupore për Policinë e Shtetit. Kemi të bëjmë me krijimin e një ekosistemi survejimi. Nuk është teknologji sigurie, por arkitekturë.
Sipas raportimeve, objektivi fillestar janë shkollat. Po ndërtohet një sistem monitorimi inteligjent që prek edhe të miturit”, tha Balliu.
Gazeta RD