Balliu: Paratë e drogës u infiltruan në parlament, Rama u jep siguri karteleve shqiptare!

Në tryezën me temën: “Qeveria e Pasigurisë – Dështimi i Ramës dhe alternativa e opozitës”, deputeti demokrat Klevis Balliu citoi Raportin e antimafias, se kartelet shqiptare janë të vetmet kartele në botë të cilat pastrojnë paratë e tyre në vendin e origjinës, “sepse këta këtu kanë një siguri dhe ajo siguri është vetë Edi Rama” theksoi ai.

Sektori i ndërtimit konsiderohet si fusha kryesore ku investohen paratë e krimit, gjë që ka çuar në një rritje fiktive të çmimeve të apartamenteve. Si pasojë, çmimet në Tiranë kanë arritur nivelet e Milanos, ndërkohë që të ardhurat e qytetarëve mbeten ndër më të ulëtat në Evropë. Një tjetër fushë e re për pastrimin e parave janë resortet turistike, ku individë të rinj, rreth moshës 25-27 vjeç, shfaqen me investime prej dhjetëra e qindra milionë eurosh me origjinë të pajustifikuar.

Klevis Balliu: Të gjitha kartelet të cilat filluan mbjelljen e kanabisit në 2013 deri në 2017, kaluan më pas në trafikimin e drogës, duke e lidhur Shqipërinë nga Europa deri në vendet e Amerikës Latine e shumë më gjerë.

Në këtë aspekt ata akumuluan një para jashtëzakonisht të madhe dhe akumuluan një pushtet jashtëzakonisht të madh, i cili u infiltrua deri në parlamentin e Shqipërisë dhe më pas në çdo post kyç të drejtorive të institucioneve përkatëse të ministrive përkatëse, duke përfshirë këtu një nga ministritë më të mëdha që ishte Ministria e Energjitikës dhe e Transportit, ku elementë kriminalë kishin drejtorët e vet dhe përfaqësuesit e vet të cilët merreshin me projekte të ndryshme.

Jo vetëm në këto ministri, por siç kemi parë dhe në kohët e fundit, nga AKSHI, ku kartelet të posaçme vendosnin se cilat tendera duhet të merrte cila kompani. Duke marrë shkak nga kjo, duhet të kujtojmë këtu që prej kohësh opozita i ka ngritur këto çështje.

Fatkeqësisht për një kohë të gjatë ka qenë një vesh i shurdhër qoftë në Shqipëri, por edhe në ambiente ndërkombëtare, që sot nuk është më, duke ju referuar këtu aleatit tonë strategjik.

Kartelet janë pa diskutim rrezikshmëria më e lartë dhe pastrimi i parave të tyre prek çdo qytetar shqiptar, në veçanti edhe të rinjtë. Pasi pastrimi në fushën e ndërtimit ka arritur deri në ato limite sa ka rritur fiktivisht çmimin e apartamenteve duke e bërë Shqipërinë sot, duke e bërë Tiranën sot, në të njëjtin nivel përsa i përket çmimeve të apartamenteve me Milanon.

Ndërkohë që të ardhurat në Shqipëri janë ato që ne dimë që janë tejet qesharake krahasuar me me vendet europiane. Gjithashtu përsa i përket punës që është bërë sot nga SPAK, dua t’ju kujtoj që karteli i Çopjave, sipas burimeve nxirrte një pasuri prej rreth 8 miliardë euro. Dhe kur shikon vetëm një kartel, dhe kur shikon konfiskime prej 5 milionë eurosh, kupton se sa qesharake janë ato konfiskime.

Edhe për operacionet të cilat kanë ardhur si rrjedhojë e mbështetësve dhe aleatëve tonë të SKY ECC, po të shikosh ekzekutimin e fletarresteve që janë thirrur, janë plot 231 fletarreste të paekzekutuara.

Kapen disa ushtarë, ndërkohë që shefat e tyre vazhdojnë të jenë të lirë dhe kompanitë e tyre vazhdojnë të operojnë. Në rastin e AKSHI-t, pavarësisht gjithë masave që u morën, pavarësisht gjithë fletarresteve që u lëshuan, institucioni jo vetëm vazhdon të operojë, por janë pak a shumë të njëjtat kompani me emra të ndryshëm.

Patjetër nuk është vetëm sektori i ndërtimit.

Sipas raporteve ndërkombëtare të Departamentit të Shtetit, por edhe të Parlamentit Europian, një nga pikat kyçe ku po pastrohen paratë e drogës janë edhe në ato rezorte turistike, të cilat sot po mbinë me individë të cilët janë të moshave 25 apo 27 vjeç dhe nga hiçi dalin me një investim prej 10, 20, 50 apo 100 milionë euro nëpër komplekse turistike, të cilat nuk justifikohen as nga vetë kompanitë. Për shembull, në Shqipëri vetëm 21% e investimeve të në ndërtim janë bërë me procese bankare, pra janë me transferta bankare.

Pjesa tjetër e këtyre investimeve nuk dihet se ku është burimi i parave.

Ne tani jemi të qartë se nga vijnë dhe ajo është pastrimi i parave të drogës, por siç tha dhe shefi i departamentit, pa diskutim dhe aferat korruptive dhe korrupsioni kanë gjetur pastrimin e parave në ndërtim.

Raporti i antimafias italiane deklaron se kartelet shqiptare janë të vetmet kartele në botë të cilat pastrojnë paratë e tyre në vendin e origjinës, sepse këta këtu kanë një siguri dhe ajo siguri është vetë Edi Rama.

Nuk mund të ndodhte në asnjë vend të botës, aq më tepër në Shqipëri, që eksponentë dhe përfaqësues të bandave të ndryshme të futeshin, të bëheshin deputetë kur listën e caktonte vetë Edi Rama. Për këtë arsye ne jemi sot i vetmi vend në botë që kemi ligjin e dekriminalizimit. Pikërisht për inkriminimin që i bëri institucioneve të shtetit me në krye parlamentin.

Dhe pasi u larguan ato, gjetën një formë të dytë për të sjellur përfaqësues të ndryshëm të karteleve, pa qenë të implikuar në mënyrë direkte, siç kemi parë nga disa deputetë që dalin me 30.000 vota pa u njohur ndonjëherë në publik.

Gjithashtu në rastin e fundit dhe të raporteve të OSBE-ODIHR-it, të presionit që ka ardhur pikërisht nga kartelet, se si ato infiltrohen dhe menaxhojnë dhe bëjnë presion ndaj qytetarëve në ditët e votimit, kemi dhe raste publike që janë bërë dhe në sy të kamerave, siç është rasti i Vorës me atë që njihet si karteli i Xhabaftëve.

Ku edhe pse edhe pse policia ishte vetëm 10 hapa larg, askush prej atyre nuk vinte dot të ndalonte këtë kartel, pavarësisht se ata po kërcënonin aty deputetë dhe familjarët e tyre në sy të publikut dhe në sy të mediave. Thënë këto, mendoj që sot është më e rëndësishme se kurrë ky diskutim dhe patjetër që opozita ka dhe dhe planin e saj për përballjen, duke filluar me denoncimet dhe kemi arritur të denoncojmë publikisht çdo kartel, por në thelb të programit tonë, mendoj që duhet të jetë edhe konfiskimi i këtyre parave. Konfiskimi i parave të krimit të organizuar. Deri tani unë nuk kam ndonjë shpresë tek institucionet aktuale që do të duan të bëjnë një detyrë të tillë.

About Redaksia

Check Also

Gjunkshi: Shqipëria në krizë sigurie, policia është politizuar dhe krimi ka depërtuar kudo!

Këshilltari për sigurinë në Partinë Demokratike dhe ish-deputeti, Xhemal Gjunkshi, ka akuzuar qeverinë e kryeministrit …