Kryetari i PD, Sali Berisha, gjatë fjalës së tij në aktivitetin për 35-vjetorin e grevës së përgjithshme të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë, e cilësoi këtë ngjarje si një nga kthesat më të mëdha në historinë e pluralizmit shqiptar.
Berisha vlerësoi rolin e sindikatave dhe të grevistëve të udhëhequr nga Gëzim Kalaja, duke theksuar se ata u shndërruan në “mburojën më të fuqishme të pluralizmit”, ndërsa qëndruan “si heronj” përballë regjimit komunist deri në fitoren e kauzës së tyre.
Berisha: I dashur z. Gëzim Kalaja, kryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë.
Të dashur drejtues të BSPSH, të dashur të pranishëm, një përshëndetje kam për të gjithë ju, por edhe për miqtë tanë, vëllezërit tanë nga Kosova, nga Mali i Zi, që janë këtu të pranishëm për të nderuar një ngjarje të madhe në historinë e lirisë së shqiptarëve.
Një ngjarje epike, e cila shënoi për Shqipërinë kthesën e madhe, dhe kjo ngjarje ishte pikërisht greva e përgjithshme e BSPSH.
Shqipëria e vitit 1990 ishte vendi më i indoktrinuar në Evropë.
Ishte vendi më i mjeruar në Evropë.
Vendi ku diktatura vazhdonte e vriste në kufi të rinjtë pasi kishte hequr veprën penale të tradhtisë për largim nga Shqipëria.
I ekzekutonte për shkelje të rregullores së kufirit.
I ekzekutonte dhe i zvarriste trupat e tyre të njomë qyteteve për të terrorizuar.
Me 11 dhjetor, në një plenum për të shmangur skenarin rumun, siç thotë vetë, Ramiz Alia shpall pranimin e pluralizmit politik.
Por vetëm pak ditë më vonë, 3-4 ditë më vonë, mblidhen këtu tek teatri i estradës në një mbledhje sekrete dhe u deklaron zyrtarëve të tij se që nga Lufta e Dytë Botërore gjer sot, këta që themeluan PD-në janë armiqtë më të rrezikshëm të Shqipërisë.
Por, ndonëse në hapat më të para politike, dy vendime kanë qenë epike, them unë, të asaj kohe.
Njëra ishte, më 18 dhjetor, themelimi i gazetës opozitare Rilindja Demokratike dhe themelimi i Sindikatave, të cilat u shndërruan në mburojë, me shpejtësi të rrufeshme, në mburojën më të fuqishme, më të pamposhtur të foshnjës që lindi më 11 dhjetor, pluralizmit politik shqiptar.
Ishin sindikatat, të cilat u krijuan si një ortek dhe u kundërvunë me forcë e vendosmëri skenarit të Ramiz Alisë, i cili kishte përcaktuar zgjedhjet tre muaj më parë se të pranonte pluralizmin.
Kishte përcaktuar shkurtin si muajin e zgjedhjeve, në një kohë kur PD që do merrte pjesë, nuk ishte krijuar akoma përtej Tiranës dhe pak qyteteve.
Por sindikatat nuk e pranuan këtë skenar të Ramiz Alisë dhe për hir të të vërtetës, Valiasi i shndërrua në kryekështjellën e qëndresës, e shpresës, e rezistencës së shqiptarëve.
E detyruan diktatorin të shtyjë datën e zgjedhjeve dhe të plotësojë kërkesat.
E vunë në panik të plotësojë kërkesat.
Beteja vazhdoi.
Regjimi i Tiranës bashkërendoi me intensitet të gjithë veprimtarinë me regjimin e Beogradit.
Sllobodani dhe Ramizi shkrinë në një shërbimet e fshehta, me çdo kusht të mbanin njëri-tjetrin.
Por këto nuk ishin planet e PD dhe BSPSH.
Zgjedhjet e 11 marsit, partia shtet i festoi me gjakun e të rinjve në Shkodër, me gjakun e katër martirëve dhe plagosjen e 87 qytetarëve rrugëve të Shkodrës në një masakër që Shkodra nuk e ka njohur as në pushtime të egra.
Në Tiranë u vendos i njëjti kryeministër i dalë nga grushti i shtetit të Këshillit Presidencial, Fatos Nano si sfidë absolute ndaj forcave demokratike.
Por BSPSH kishte axhendën e tij, dhe pikërisht në momentin kur diktatura komuniste mendoi se do përdorte zgjedhjet tashmë pluraliste për të konsoliduar pushtetin e saj, Sindikata u hodh në sulm, u hodh në betejë.
BSPSH, i udhëhequr nga Gëzim Kalaja dhe bashkëpunëtorët e tij, shpallën grevën e përgjithshme, më të madhe në historinë e kombit.
300 mijë punëtorë në të gjitha skajet e vendit mbështetën grevën.
Dhe për t’i prirë grevës presidenti, me një grup bashkëpunëtorësh të afërt, zgjodhi grevën e urisë. U ndry në grevë urie në mos gabohem pak ditë më vonë.
Miq, unë e kam takuar me qindra e qindra herë Gëzim Kalanë, por unë edhe tani që e kam këtu përpara, dhe sa herë e takoj dhe sa herë më kujtohet, kam para syve të mi në memorien të pashlyer përjetë Gëzim Kalanë e galerisë qindra e qindra metër thellë në grevë urie me ballë të lidhur, tek luftonte si luan, si hero i vërtetë me 17 bashkëpunëtorë, 17 heronj, për të gjunjëzuar.
Ishte një betejë e papërsëritshme.
Një betejë heronjsh.
Betejë që u fitua.
Gazeta RD