CREATOR: gd-jpeg v1.0 (using IJG JPEG v80), quality = 85

Ndreca drejt burgut, Gjykata rrëzon kërkesën për pavlefshmëri të përgjimeve

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë rrëzoi të martën më 19 maj përmes një vendimi të ndërmjetëm, kërkesën e përfaqësuesit ligjor të ish-deputetit socialist, Plarent Ndreca, për pavlefshmërinë dhe papërdorshmërinë në procesin penal ndaj tij të përgjimeve të kryera, përpara se t’i regjistrohej emri si person nën hetim.

Avokati i Ndrecës, Ermal Yzeiraj e ka ngritur këtë pretendim edhe më parë, ndërkohë që prokurorja e çështjes, Dorina Bejko e ka konsideruar atë të pabazuar.

Sipas Yzeirajt, në kohën kur është kryer përgjimi i Ndrecës, SPAK ka deklaruar në gjykatë se ishte i dyshuar për veprën penale për të cilën po hetohej dhe duhej të ishte regjistruar emri i tij si person nën hetim. Sipas avokatit, kështu Ndrecës do t’i lindte e drejta të të jepte shpjegime dhe të kundërshtonte veprimet e prokurorisë që i konsideron të paligjshme.

Prokurorja Bejko ka mbrojtur idenë në seancat e mëparshme se është në vlerësimin e prokurorit se kur do të regjistrohet emri i personit në procedimin penal. Sipas saj, nuk mund të regjistrohet emri i personit nën hetim, nëse nuk janë siguruar prova që të çojnë tek dyshimi i arsyeshëm. Edhe gjatë seancës të martën, palët u qëndruan të njëjtave kërkime dhe parashtrime.

Gjykata pasi u tërhoq në dhomë këshillimi, vërejti se ligjvënësi nuk ka përcaktuar që përgjimi të kryhet vetëm kur personi është nën hetim.

“Regjistrimi i emrit si person nën hetim, është veprim që përmban elementë formalë dhe elementë substancialë, që përcaktojnë dyshimin e arsyeshëm për të marrë personin nën hetim. …Ligjvënësi nuk ka përcaktuar një moment fiks se kur bëhet regjistrimi i emrit të personit nën hetim”, konstatoi kryesuesja e trupit gjykues, Rudina Palloj dhe shtoi se, është prokurori që e ka tagrin për të vendosur kur ka dyshime të arsyeshme.

Gjykata i rrëzoi si të pabazuara pretendimet e mbrojtjes dhe pas përfundimit të shqyrtimit të kërkesave paraprake, u vendos çelja e shqyrtimit gjyqësor.

Seanca u shty për në datën 3 qershor, në orën 09:00, kur prokuroria do të parqesë analizën e provave të çështjes.

Sipas SPAK, një grup zyrtarësh dhe ish-zyrtarësh të disa institucioneve, akuzohen se nën udhëheqjen e deputetit socialist, Plarent Ndreca favorizuan në shkelje të ligjit arkitektin Gjon Radovani për të fituar tendera me vlerë 34 milionë lekë. Në kohën e kryerjes së veprës së dyshuar penale, Ndreca mbante pozicionin e sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Brendshme.

Në tetor të vitit të kaluar, çështja ndaj Ndrecës u nda nga ajo e të pandehurve të tjerë, pasi ish-deputeti socialist kërkoi të gjykohej me procedurën e zakonshme. Të akuzuarit e tjerë janë duke u gjykuar me procedurën e shkurtuar./ Reporter.al

About Redaksia

Check Also

Lubonja tregon çfarë po ndodh me protestën dhe se cili është qëllimi kryesor

Analisti Fatos Lubonja, ka folur nga protesta për emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV. Ai …