Bardhi: Kushtetuesja na imponon konsensus, Edi Rama e sheh kompromisin si dobësi!

Kryetari i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, gjatë fjalës së mbajtur në parlament, u shpreh se Gjykata Kushtetuese ka imponuar konsensus mes palëve politike në vend.

Sipas tij, kompromisi për Edi Ramën është dobësi, dhe jo si forcë demokratike.

Fjala e plotë e Gazment Bardhit

Zoti Kryetar, së pari më lejoni t’ju falënderoj personalisht dhe shpresoj që më vonë të mos ju tërheqin vëmendjen apo t’ju shpallin armik brenda grupit tuaj parlamentar, siç ndodhi me paraardhësen tuaj.

Por dua të jem i drejtë dhe t’ju falënderoj për rolin konstruktiv që luajtët në këtë proces, si dhe për përpjekjen për të krijuar një minimum dialogu në një maxhorancë që, për fat të keq, nuk është dalluar ndonjëherë për kulturë kompromisi.

Do të ishte fantastike sikur mirëkuptimin e gjetur këto ditë për rregulloren e Kuvendit ta kishim gjithmonë kur ky Parlament vendos për rregullat e lojës. Në mos për gjithçka, të paktën për ato çështje ku preken interesat kombëtare, pasuritë publike, rregullat e zgjedhjeve apo mekanizmat e kontrollit dhe balancës së pushteteve.

Por për fat të keq, në 13 vite pushtet të Edi Ramës, rastet e konsensusit real për këto çështje madhore numërohen me gishtat e vetëm një dore.

Dhe kjo nuk është rastësi.

Sepse Edi Rama nuk është njeri i kompromisit. Është e kundërta e tij.

Ai nuk e sheh kompromisin si forcë demokratike. E sheh si dobësi.

Nuk e sheh opozitën si pjesë të sistemit demokratik. E sheh si pengesë për pushtetin e tij personal.

Prandaj në këto 13 vite, sa herë është vendosur për çështje madhore të vendit, kemi parë të njëjtin model:

Jo dialog, por përjashtim.

Jo bashkëpunim, por kontroll.

Jo balancë pushtetesh, por përqendrim pushteti.

Që nga dita e parë në politikë, Edi Rama ka treguar se pushteti nuk është mjet për të ndërtuar shtetin, por shteti është mjet për të mbajtur pushtetin.

Këtë bëri në Bashkinë e Tiranës.

Këtë bëri në Partinë Socialiste në opozitë.

Këtë po bën me Shqipërinë si kryeministër prej 13 vitesh.

Prandaj kemi parë:

* Dhjetëra ligje të qeverisë së tij të rrëzuara nga Gjykata Kushtetuese.

* Vendime të Kushtetueses të zvarritura apo të mbajtura në sirtar.

* Kuvendin e Shqipërisë të përdorur si bunker politik për korrupsionin.

Dhe kemi parë sesi çdo mekanizëm kontrolli parlamentar është trajtuar si kërcënim për pushtetin. Që nga komisionet hetimore, tek pyetjet pa përgjigje për institucionet, deri tek interpelancat me Edi Ramën.

Prandaj, sot do të kisha dashur të besoja se është një ditë kthese dhe të gëzohesha vërtet për këtë hap të vogël përpara me rregulloren e Kuvendit. Por unë bëj pjesë tek ata njerëz që nuk e gënjejnë dot veten.

Unë e di se ky nuk është një moment reflektimi i Partisë Socialiste për një vendim të Gjykatës Kushtetuese.

E di sepse shoh çdo ditë sesi, nën drejtimin e Edi Ramës, shteti është shkrirë me partinë në pushtet.

E di sepse kam parë sesi vendimet e tjera të Gjykatës Kushtetuese zvarriten, kur i duhet Ramës.

A nuk u mbajtën vendimet për Olta Xhaçkën në sirtar për gati dy vjet?

A vazhdon të shkelet ligji dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të drejtën e panegociueshme të opozitës për komisionet hetimore?

Unë e di se me Edi Ramën kontrolli parlamentar është konsideruar pengesë dhe jo detyrim demokratik.

Prandaj, kjo çështje nuk është thjesht debat për disa nene të rregullores së Kuvendit. Si me to, si pa to, në këtë Kuvend do të vazhdojë të sundojë mentaliteti se pushteti nuk ka kufij dhe se kartonët janë mbi gjithçka.

Por për të gjithë ata që pyesin pse u zbut Edi Rama?

U bë më demokratik?

Më dialogues?

Më bashkëpunues?

Më pak arrogant?

Jo!

Nuk e kam besuar për asnjë sekondë këtë, por një përgjigje e kam pse ujku veshi papritur lëkurën e qingjit.

Sepse këtë herë i duhej të luante teatër me Bashkimin Europian.

Këtë herë nuk kishte përballë vetëm opozitën apo vetëm Gjykatën Kushtetuese me afatin e saj njëmujor për rregulloren e Kuvendit.

Përballë kishte procesin e integrimit europiandhe provimin politik të IBAR-it, sepse sot Shqipëria është nën monitorim politik dhe institucional për standardet demokratike, funksionimin e institucioneve, respektimin e shtetit të së drejtës dhe raportin me opozitën.

Dhe Edi Rama e di shumë mirë se nuk mund të flasësh për integrim europian, ndërkohë që trajton vendimet e Gjykatës Kushtetuese si letër higjienike sa herë prekin pushtetin dhe rrethin e ngushtë politik.

Rezoluta e Parlamentit Europian ia ka bërë të qartë se integrimi europian kalon përmes zbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe respektimit të funksionimit demokratik të institucioneve. Dhe as këtë rezolutë nuk e trajtonte dot si letër higjenike, siç ka bërëshpeshherë në këto 13 vjet.

Prandaj askush nuk duhet të mashtrohet nga ky episod i vogël kompromisi i rregullores, sepse kjo nuk është një kthesë reale demokratike, por një tërheqje e detyruar e Edi Ramës.

Është përpjekja e ujkut për të veshur përkohësisht lëkurën e qingjit, pas viteve të arrogancës, kontrollit dhe refuzimit të kompromisit.

Dhe për raste të tilla, shqiptarët kanë një shprehje që duket sikur është krijuar enkas për Edi Ramën: ujku qimen e ndërron, por zakonin s’e harron.

About Redaksia

Check Also

Shehu: Pa luftuar korrupsionin galopant, rruga evropiane e Shqipërisë mbetet e mbyllur

Deputeti i PD, Tritan Shehu, gjatë fjalës së tij në Kuvend u shpreh se, mazhoranca …