Pro financimit të Porta e Alpeve, jo programit mafioz “Paketa e Maleve”!

Nga Bujar Leskaj

Mbështes çdo kredi të institucioneve ndërkombëtare që ndihmon zhvillimin e zonave tona malore, sidomos të Alpeve të vendit. Në këtë drejtim, edhe kredinë e butë prej 50 milionë euro të Bankës Evropiane të Investimeve(BEI), për programin e zhvillimit të “Porta e Alpeve”, por njëkohësisht shfaq shqetësimin më të thellë për programin mafioz “Paketa e Maleve, i prezantuar gjoja si një instrument për zhvillimin ekonomik të zonave malore, por që do të prodhojë pasoja serioze në tregun e pronës dhe në marrëdhëniet sociale të vendit, nëse zbatohet.

I. Jo programit mafioz “Paketa e Maleve”!

Ligji i miratuar për këtë program duhet abroguar sa më parë. Shqipëria mbart prej dekadash ndër problemet më të ndërlikuara të pronësisë në rajon, të tilla si (i) mbivendosje e titujve të pronësisë, (ii) legalizime të pjesshme, (iii) kthim dhe kompensim prone thellësisht i papërfunduar, (iv) konflikte trashëgimie dhe (v) mungesë regjistrash të plotë kadastralë.

Në këtë kontekst, çdo skemë që hap mundësi për përdorim, transferim apo dhënie në zhvillim të tokave krijon rrezik të lartë konfliktesh, nëse statusi juridik nuk është i qartë. Dhe pronat në zonat malore janë ato me paqartësi ekstreme të gjendjes juridike.

Nëse programi Paketa e Maleve do të zbatohet, sipërfaqe të mëdha në zona malore do të kalojnë de facto nën kontrollin e investitorëve ose subjekteve me kapital më të fortë, favoritë të sektit Rama në pushtet, ndërsa komunitetet lokale do të humbasin kontrollin ekonomik mbi territorin. Kjo do të sjellë (i) dobësim të pronarëve të vegjël, (ii) ulje të fuqisë negociuese të banorëve lokalë dhe (iii) përqendrim të aseteve strategjike të vendit në pak duar.

Në një vend si i yni, ku çështja e pronës mbetet prej më shumë se tri dekadash një nga plagët më të mëdha strukturore të tranzicionit, çdo ndërhyrje mbi tokën kërkon kujdes maksimal juridik dhe institucional. Në të kundërt, Paketa e Maleve futet si buldozer në raportet e brishta të pronësisë në zonat malore, për të bërë pronarë “investues” të dyshimtë, favoritë të sektit në pushtet.

Paketa do të aktivizojë toka me status të paqartë pronësie ose me pretendime të shumta. Kjo do të sjellë përplasje mes pronarëve historikë dhe përdoruesve aktualë, konflikte të thella mes familjeve dhe trashëgimtarëve dhe procese të gjata administrative dhe gjyqësore. Në vend që të zgjidhë problemin, Paketa e Maleve do ta shkatërrojë hartën e pronësisë në male.

Në mënyrë paradoksale, ajo do të paralizojë edhe ato pak investime private që po realizohen në mënyrë spontane sot në malet tona. Kjo, pasi siguria juridike e pronës është bazë për investime private, për kreditim bankar dhe zhvillim të tregut të pasurive të paluajtshme në zonat malore.

Programi do të përfshijë pronat në procese zhvillimore pa qartësi të plotë juridike, duke minuar besimin e qytetarëve dhe të investitorëve seriozë tek sistemi. Paketa do të sjellë rritje të mosmarrëveshjeve, frenim të  investimeve afatgjata dhe shtim të kostove ligjore dhe administrative.

Nëse tokat përfshihen në projekte pa zgjidhje paraprake të pronësisë, Paketa e Maleve do të shumëfishojë konfliktet mes familjeve dhe trashëgimtarëve, mes komuniteteve dhe investitorëve, si dhe mes pronarëve dhe institucioneve shtetërore.

Kjo mund do ta rëndojë akoma më tej sistemin gjyqësor dhe do të zgjasë pasigurinë ligjore për vite. Një ekonomi funksionale mbështetet te siguria juridike e pronës private. Nëse qytetarët perceptojnë se pronat mund të vihen në dispozicion të projekteve pa garanci të plota, kjo dëmton besimin te shteti dhe tregu.

Në zonat malore toka nuk është vetëm aset ekonomik, por edhe identitet familjar, trashëgimi dhe burim jetese. Paketa do të krijojë presione të forta, me banorët që do të ndihen të përjashtuar nga vendimmarrja, ose të kërcënuar nga humbja e aksesit mbi kullota, pyje apo toka me përdorim tradicional.

Tek ne mungojnë disa garanci themelore, si një inventar publik dhe transparent i tokave të përfshira, një verifikim i plotë i statusit juridik. Me këtë Paketë, Rama nuk synon as të realizojë konsultim me komunitetet lokale, as edhe procedura konkurruese dhe publike për oligarkët e vet, që zaptuan bregdetin dhe fushat, dhe tani po u drejtohen maleve!

Çdo ndërhyrje që prek tokat private, kullotat, pyjet dhe pronat familjare të trashëguara, ka rrezik të lartë të aktivizojë konflikte të fjetura prej vitesh ose dekadash. Përplasjet mes komuniteteve dhe investitorëve të miratuar nga Paketa, me projekte që avancojnë pa konsultim real me komunitetet lokale, do të sjellin një tension social të skajshëm.

E gjitha kjo do të gjenerojë mosbesim ndaj institucioneve, protesta lokale, kundërshtim të projekteve dhe bllokim investimesh. Në vend të zhvillimit ekonomik, programi “Paketa e Maleve” do të prodhojë polarizim ekstrem social dhe vëllavrasje!

Paketa e Maleve është dhe do të kthehet realisht, nëse zbatohet, në një çerdhe të klientelizmit ekstrem, abuzimit, korrupsionit dhe në fole grerëzash konfliktesh të përhershme për pronen.

II. “Paketa e Maleve” dhe Ligji 2020, vëllezër siamezë të korrupsionit dhe abuzimit

Ligji i vitit 2020 “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë” u paraqit nga sekti Rama në pushtet si një përpjekje për të mbyllur përfundimisht kaosin shumëvjeçar të pronave. Në të vërtetë, ai masakroi edhe më egërsisht të drejtat e shenjta të pronave tek ne, së bashku me Ligjin për Investitorin Strategjik dhe është vëllai siamez, prekursori abuzues dhe korruptiv i ligjit tjetër mafioz të Paketës së Maleve.

Sot, shumica e ish-pronarëve, fermerëve, investitorëve dhe qytetarëve vazhdojnë të përballen me pasiguri juridike, konflikte pronësie dhe procese burokratike të tejzgjatura, për shkak të zbatimit të këtij ligji.

Një nga problemet më serioze mbetet ekzistenca e shumë titujve mbi të njëjtën pronë. Në gati të gjitha zonat e vendit, sidomos në bregdet, ekzistojnë paralelisht çertifikata pronësie të periudhave të ndryshme, vendime të komisioneve të kthimit të pronave, legalizime, privatizime dhe vendime gjyqësore kontradiktore.

Kjo ka krijuar konflikte të pafundme gjyqësore, pasiguri për investitorët, bllokim të transaksioneve të pasurive të paluajtshme. Në zonat turistike dhe bregdetare, gjendja është edhe më e rëndë, për shkak të abuzimeve që Rama ka bërë me ligjin për Invesitorin Strategjik, duke shpronësuar me dhunë fshatarët e Bregdetit të Jugut.

Zbatimi i Ligjit 2020“Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë” ka sjellë vonesa të gjata në regjistrim, procedura të ndërlikuara, mungesë transparence, problematika në verifikimin e dokumenteve dhe ankesa të shumta për korrupsion.

Me dhjetra mijëra qytetarë dhe ish-pronarë presin me muaj ose vite për hipotekimin e pronës. Në shumë raste, pronat e ish-pronarëve janë zënë nga ndërtime pa leje, legalizimet kanë krijuar konflikte të reja dhe kompensimi financiar ka qenë tejet i pamjaftueshëm, ose në shumicën e rasteve inekzistent.

Ish-pronarët ankohen me të drejtë se toka e tyre është zhvlerësuar, proceset janë zvarritur për dekada dhe qeveria ka favorizuar legalizimet  mbi të drejtën e pronës.

Ligji 2020 ka sjellë sidomos në Jug dhe në zonat turistike pretendime të shumëfishta pronësie, falsifikime dokumentesh, regjistrime të dyshimta dhe përplasje mes banorëve dhe investitorëve gjoja strategjikë, oligarkë të Ramës.

Në qindra e mijëra raste, konfliktet kanë përfunduar edhe në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg, me kosto të jashtëzakonshme për Buxhetin e Shtetit.

III. Jo shitjes së tokës bujqësore të huajve!

Në një kohë kur shumica e vendeve Anëtare të BE-së vendosin kufizime për blerjen e tokës nga të huajt, aplikojnë filtra mbrojtës për tokën bujqësore dhe mbrojnë fermerin vendas dhe sigurinë ushqimore, sekti Rama përgatitet t’u japë 100 mijë ha tokë bujqësore të huajve, pasi Shqipëria të anëtarësohet në BE.

Ky projektligj po diskutohet, në një kohë kur toka bujqësore po braktiset masivisht, emigracioni rural është shumë i lartë, prodhimi bujqësor dhe blegtoral vendas përballet me konkurrencë të

Toka bujqësore nuk është thjesht mall tregu, por pasuri strategjike kombëtare, element sigurie ushqimore dhe aset me rëndësi gjeopolitike. Ekziston i plotë rreziku që kompani të huaja investuese,  korporata agroindustriale favorite të Ramës dhe spekulantë të tregut imobiliar të blejnë sipërfaqe shumë të mëdha toke, duke ndryshuar strukturën tradicionale të pronësisë në Shqipëri.Liberalizimi pa filtra i shitjes së tokës bujqësore do të krijojë “latifonde moderne” në duart e oligarkëve të Ramës.

Eksiston po ashtu i plotë edhe rreziku që toka të mos blihet për prodhim bujqësor, por për spekulim financiar, rritje të çmimeve dhe për projekte turistike apo ndërtimore të maskuara.

Në zonat bregdetare dhe pranë qyteteve të mëdha, toka bujqësore ka vlerë shumë të lartë zhvillimi urban, potencial turistik dhe interes për resorte dhe vila. Me dhjetra mijëra ha sot tokë bujqësore mund të denatyralizohen në këtë mënyrë, duke dalë gradualisht nga funksioni bujqësor. Prej këtej, prodhimi vendas të reduktohet edhe më shumë.

N֝ë një situatë të tillë, fermeri shqiptar do të dobësohet dhe izolohet akoma dhe më shumë. Që tani ai ka kapital të kufizuar, akses të dobët në kredi, subvencione më të ulëta se fermerët europianë apo edhe ata të fqinjëve në rajon, si dhe teknologji të kufizuar.

Në këto kushte, shumë fermerë rrezikojnë të shesin tokën për nevoja ekonomike afatshkurtra, të humbin burimin kryesor të jetesës dhe të largohen përfundimisht nga bujqësia, duke përshpejtuar zbrazjen e plotë të fshatit shqiptar.

Në kushtet ku Shqipëria nuk ka zgjidhur fare konfliktet e pronësisë, mbivendosjet e titujve, regjistrimin e plotë kadastral dhe çështjet e trashëgimisë, liberalizimi i shitjes së tokës për të huajt do të shtojë konfliktet juridike, do të rrisë abuzimet dhe do të favorizojë korrupsionin dhe falsifikimet.

Humbja e kontrollit mbi tokën bujqësore, ulja e prodhimit vendas dhe orientimi i “latifondistëve modernë” drejt kulturave eksportuese do të dobësojnë sigurinë ushqimore kombëtare.

Në një periudhë krizash globale, luftërash dhe ndryshimesh klimatike, toka bujqësore po konsiderohet gjithnjë e më shumë aset strategjik. Në kushtet kur tek ne mungojnë kufijtë ligjorë, krijimi i monopoleve të mëdha të tokës do të sjelle që pak kompani me ndikim tek Rama të kontrollojnë sipërfaqe shumë të mëdha, ndërsa fermerët e vegjël do të dalin përfundimisht nga tregu dhe konkurrenca do të deformohet akoma dhe më keq.

Kjo do të krijojë pabarazi akoma dhe më të mëdha sociale në zonat rurale, varësi ekonomike të komuniteteve lokale dhe tensione sociale afatgjata.

 

 

 

About Redaksia

Check Also

Aeroporti i Vlorës drejt arbitrazhit/ Berisha: 500 milioni euro janë një gjobë e tmerrshme për shqiptarët

Në një prononcim për mediat jashtë Kuvendit, kreu i PD, Sali Berisha deklaroi se, çështja …