Deputetja e PD denoncon skandalin e koncesioneve në shëndetësi: Paratë publike trajtohen si plaçkë pushteti!

Deputetja e PD për qarkun e Durrësit, Manjola Luku, denoncoi sot përmes një deklarate për mediat skandalin e koncesioneve në shëndetësi, duke përfshirë edhe kontratën e njohur “Check Up”.

Luku ngriti shqetësime serioze mbi mënyrën se si u zhvillua procesi i kontratës koncesionare me vlerë 13.8 miliardë lekë (rreth 138 milionë euro) dhe dokumente që sipas saj tregojnë favorizime të mundshme dhe mospërputhje ligjore.

Në fjalën e saj, ajo kërkoi nga SPAK që të ndërmarrë një hetim të plotë mbi përgjegjësitë politike dhe institucionale, duke theksuar se qytetarët shqiptarë kanë të drejtë të dinë të vërtetën dhe se fondet publike nuk mund të trajtohen si plaçkë pushteti.

Deklarata

Skandali i koncesioneve në shëndetësi, përfshirë edhe atë të “Check Up”-it, mbetet një nga debatet më të forta publike dhe politike në Shqipëri, një skandal i cili dita-ditës po thellohet edhe më tej. Dokumente të reja, raportime mediatike dhe problematika të ngritura hedhin dritë mbi mënyrën se si u firmos një nga kontratat më të debatueshme dhe më të kushtueshme në historinë e shëndetësisë shqiptare.

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i delegoi kompetencën ish-zv.ministres Milva Ekonomi për të firmosur formularin e shpalljes së fituesit të kontratës koncesionare të Check Up-it, me vlerë totale 13.833.000.000 lekë, ose rreth 138 milionë euro për 10 vite.

Dokumentet tregojnë se më 19 shkurt 2015, përmes shkresës Nr. 3082/29, Milva Ekonomi firmosi formularin ku përcaktohej qartë vlera totale e kontratës. Ky akt konsiderohet sot një nga hallkat kyçe të një skeme që dyshohet se i ka shkaktuar miliona euro dëm buxhetit të shtetit.

Koncesioni i Check Up-it është shoqëruar që në fillim me dyshime të forta për fitues të paracaktuar. Kompania fituese, 3P Life Logistic e biznesmenes Vilma Nushi, u themelua më 9 dhjetor 2014, vetëm një muaj përpara firmosjes së kontratës koncesionare më 7 janar 2015. Ndërkohë, shpallja zyrtare e fituesit ishte bërë që më 6 tetor 2014, pra dy muaj përpara krijimit të kompanisë që do të përfitonte kontratën 138 milionë euro.

Faktet ngrenë pikëpyetje serioze mbi mënyrën sesi u zhvillua gara dhe nëse procesi ishte një procedurë formale për të legjitimuar një vendim të marrë paraprakisht.

Më tej, edhe Agjencia e Prokurimit Publik konstatoi shkelje të rënda ligjore në procedurën e ndjekur nga Ministria e Shëndetësisë. Në një shkresë zyrtare të datës 13 shkurt 2015, APP evidentonte se formulari i kontratës ishte dërguar pa numër protokolli dhe pa firmën e titullarit të institucionit. Po ashtu, APP ngrinte shqetësime serioze për mospërputhje mbi vlerën totale të kontratës dhe mënyrën e pagesës.

Në një version të formularit deklarohej se kontrata kishte vlerë fikse 13.8 miliardë lekë, ndërsa në një tjetër përcaktohej se pagesa do të varej nga numri real i kontrolleve mjekësore të kryera. Këto kontradikta detyruan APP të kërkonte ridërgimin e dokumentacionit sipas kërkesave ligjore.

Sot, ndërsa koncesioni i sterilizimit ka përfunduar dhe Check Up-i po shkon drejt fundit të kontratës, qytetarët shqiptarë vazhdojnë të paguajnë faturën e një modeli që ka ngritur dyshime të forta për shpërdorim fondesh publike dhe favorizim klientelist.

Përballë këtyre fakteve, pyetja mbetet e hapur:

A do të kryejë SPAK hetim të plotë për koncesionet e shëndetësisë, me përgjegjësitë përkatëse në nivelet drejtuese politike dhe institucionale të përfshira në këtë proces?

Shqiptarët meritojnë të dinë të vërtetën. Paratë publike nuk mund të trajtohen si plaçkë pushteti. Heshtja përballë kësaj afere do të ishte bashkëfajësi.

About Redaksia

Check Also

Raporti i IBAR shpreh shqetësim edhe për vetingun/ Berisha: Imagjinoni ju se si mund ta bëjë Altin Troplini këtë proces!

Kryetari i PD, Sali Berisha gjatë konferencës me gazetarët tha se, raporti i IBAR shpreh …