Daniela Maloku, Report TV: Paralel me këtë konferencë në Kryeministri, kryeministri Edi Rama po mban një takim me ministrin grek të mbrojtjes, Nikos Dendias. Si po e sheh Partia Demokratike këtë vizitë të ministrit grek duke qenë se flitet të paktën që në qendër të diskutimeve është çështja e detit?
Sali Berisha: Ministri, ose çdo ministër i qeverisë greke, është i mirëpritur.
Ne jemi në mbështetje të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, të bashkëpunimit me Republikën Helenike dhe vendet e tjera fqinj.
Problemi me të cilin vjen, për të cilin duket se vjen zoti Dendias, është problemi i marrëveshjes së detit.
Partia Demokratike ka dënuar me forcën më të madhe qëndrimin absolutisht të papërgjegjshëm të Edi Ramës dhe qeverisë së tij ndaj këtij problemi të rëndësishëm për marrëdhëniet midis dy vendeve tona.
E kam theksuar dhe e theksoj se Edi Rama, për llogari të palëve të treta, bëri gjithçka që të sabotonte marrëveshjen e arritur para vitit 2013 me palën greke. E kam theksuar dhe e theksoj se ajo ishte një marrëveshje ku të dy palët fitonin, ishte win-win marrëveshje.
Tani, çfarë bëri Edi Rama?
Në vend se ta vazhdonte aty ku e lamë me palën greke, pasi e rrëzoi Gjykata Kushtetuese në mënyrë absolute në kundërshtim me interesin kombëtar të Shqipërisë, dhe e faktoj shumë thjeshtë këtë.
Pasi e rrëzoi Gjykata Kushtetuese, pala greke kërkoi rinegocim.
Unë u thashë atyre që nuk bëj rinegocim më. Arritëm ku arritëm. Tani meqenëse Kushtetuta e Shqipërisë përcakton se ligji ndërkombëtar prevalon mbi ligjin kombëtar, çka do të thotë vendimet e gjykatave ndërkombëtare prevalojnë mbi vendimet e gjykatave kombëtare, urdhëroni ta dërgojmë në Gjykatën e Hagës, Gjykatën e Detit.
Fillimisht hezituan. Por pastaj e pranuan dhe i falënderoj që e pranuan. E drejtë, kishin të drejtën e tyre. Dhe e lamë që atë marrëveshje ta çonim në Gjykatën e Hagës.
Ku ishte avantazhi, ta themi tani, i Shqipërisë? Avantazhi i Shqipërisë ishte se Greqia kishte negociuar marrëveshjen duke i njohur vetes 6 kilometra ujëra territoriale.
Greqia në përputhje me Traktatin e Detit, mund t’i njihte vetes kur të donte 12 kilometra ujëra territoriale. Greqia firmosi marrëveshjen me Shqipërinë bazuar në atë ligj që kishte, në të cilin kishte shpallur vetes të drejtën për 6 kilometra ujëra territoriale.
Ndaj dhe do ishte Haga.
Ekspertë ndërkombëtarë, dhe unë e kam ekspertizën, kompani shumë serioze ndërkombëtare që shqyrtoi marrëveshjen pasi u rrëzua, shkruan: ‘Kjo marrëveshje në qoftë se rimatet, rishqyrtohet, mund të dalë shumë e drejtë. Mund të pësojë ndonjë përmirësim. Por në rast se Greqia shpall 12 miljet, gjithçka përmbyset për Shqipërinë, kundër Shqipërisë.’
Tani, autoritetet greke, duhet ta pranojmë këtu me një eksperiencë të jashtëzakonshme në problemet e kufijve detarë, sepse kanë nja 3000 kilometra, i kanë të pafund, thashë e pranuan që të shkojmë në kuadrin e marrëveshjes pa ndryshuar, pa rivendikuar 12 milje.
Dhe në qoftë se shkonim me atë marrëveshje kuadër, nuk mund të rivendikohej më, sepse gjykata do u thoshte nuk ndryshojnë rregullat në mes të lojës, nuk mund t’i ndryshosh.
Çfarë bëjnë këta? Këta u kthyen tek e para. Sigurisht që grekët të cilët mbështetën një marrëveshje të arsyeshme, të vërtetë, dhe me vullnet donin të zgjidhnin një problem me Shqipërinë për kufirin e ujërave territoriale, ndërkohë që kanë probleme të tjera me vende të tjera e të tjerë me radhë.
Edi Rama u thotë ‘Jo, jo, do ta negociojmë bashkë edhe një herë marrëveshjen’. Ata i thonë ‘Po shumë mirë, gati. Gati jemi.’ Dhe u futën në negociata. Dy vite negociata. Dhe lanë takimin në Korçë për të firmosur marrëveshjen.
E kupton çfarë aventurierësh? Aventurierë! Ndërkohë, Presidenti i Republikës u thotë që ‘Jo, ajo marrëveshje s’mund të firmoset kurrë.’ Pse? Sepse Gjykata Kushtetuese urdhëron që në praktikën që do ndiqet për përcaktimin e kufijve detarë, do përdoret metoda e proporcionalitetit.
Dhe marrëveshja që kishin negociuar këta nuk bazohej në këtë metodë. Gjykata kishte përcaktuar mbi bazën e ankesës së Edi Ramës, kishte përcaktuar dhe kushte të tjera që s’ishin zbatuar.
Kotzias që erdhi në Korçë për të sigluar, pa që kishte të bënte me një bandë të papërgjegjshme. Pasi e panë se s’do vihej firma, u kujtuan se ka një vendim gjykate, u kujtuan se ka President e të tjerë me radhë.
Dhe çfarë solli kjo? Çfarë solli, ta them unë ty.
Pala greke u largua nga Korça dhe pas nja dy muaj-tre muaj shpalli rivendikimin e 12 kilometrave në ujërat e veta territoriale.
Ja, ky është Edi Rama. Tani e pret Dendias, sepse ministri Dendias e ka cituar Edi Ramën për lidhje të paqarta, me një hallë, me një gjysha, me një teze, s’mbaj mend mirë tani, se s’kam pse hyj këtu, po e ka cituar, është e njohur.
Dhe tani unë pres rezultatin e takimit.
Gazeta RD