Gjermania deklaron dy kushtet e panegociueshme për Ramën

Ambasadori i Gjermanisë, Karl Bergner, deklaroi sot se lufta kundër korrupsionit në nivelet e larta është një kusht i panegociueshëm dhe paralajmëroi Ramën për heqjen e imunitetit të Ballukut duke i kërkuar të zbatoje standardet e Komisionit të Venecias për imunitetet. .

DEKLARATA E PLOTË

“Arritja e objektivave të ndërmjetme në grupkapitullin “Fundamentals” përbën një hap të rëndësishëm në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Përgëzoj me këtë rast të gjithë qytetarët e Shqipërisë si dhe të gjithë ata në politikë, administratë dhe drejtësi, që kanë kontribuuar duke u angazhuar fort në këtë drejtim.

Shqipëria është pjesë e familjes evropiane. Ndaj Gjermania e mbështet fuqimisht anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian.

Një shtet ligjor i fortë, mbrojtja e të drejtave themelore dhe një demokraci pluraliste janë thelbi i vlerave evropiane. Kësisoj hapat përpara në lëmin e „Fundamentals“përcaktojnë shpejtësinë e Shqipërisë në rrugën drejt BE-së.

Ndaj arritja e objektivave të ndërmjetme përbën pikënisjen për hapa të mëtejshëm të Shqipërisë në funksion të forcimit të shtetit ligjor. Dakordësia për IBAR-in është shprehje e pritshmërisë dhe inkurajimit tonë të qartë për vijimin e reformave, zbatimin e tyre me vendosmëri në praktikë dhe konsolidimin e institucioneve përgjegjëse.

Respektimi i pavarësisë së drejtësisë dhe lufta pa pengesa e korrupsionit edhe në raste të nivelit të lartë janë kushte të panegociueshme për progresin e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në BE. Këtu bën pjesë edhe fakti, që vendimmarrjet lidhur me heqjen e imunitetit duhet të jenë në harmoni me rekomandimet e komisionit të Venecias.

Shtetet anëtare të BE-së i kanë ankoruar shumë qartë këto pritshmëri në Deklaratën e tyre të Përbashkët si kushte për përmbylljen e bisedimeve. Ashtu si institucionet dhe shtete të tjera anëtare të BE-së, edhe Gjermania do të ndjekë me shumë vëmendje zhvillimet në vijim si dhe do të mbështesë hapat e mëtejshëm të reformave”.

About Redaksia

Check Also

Dy lajme të gëzueshme në një ditë për familjen Rama…

Nga Xhevat MUSTAFA Më 14 qershor 2026, Edi udhëtoi për në Zvicër, si turist, si …