Kurban Bajrami/ Besimtarët muslimanë falin namazin në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’

Besimtarët myslimanë festojnë sot Kurban Bajramin, një nga 2 ditët më të rëndësishme në kalendarin e besimit mysliman. Mijëra besimtarë u mlodhën në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ për faljen e namazit.

Ceremonia u shoqërua me mesazhe paqeje, solidariteti dhe harmonie mes njerëzve. Udhëheqësit fetarë apeluan për më shumë mirëkuptim, ndihmë ndaj njerëzve në nevojë dhe forcim të vlerave familjare e shpirtërore.

Kreu i KMSH-së ka përcjellë edhe një mesazh urimi para besimtarëve, duke theksuar rëndësinë e solidaritetit, respektit dhe bashkëjetesës mes njerëzve. Në fjalën e tij, ai u shpreh se Kurban Bajrami është një festë që i fton besimtarët të largohen nga egoizmi, urrejtja, padrejtësia dhe indiferenca ndaj njëri-tjetrit.

“Kurban Bajrami është festa që na mëson të largohemi nga egoizmi, urrejtja, padrejtësia dhe indiferenca ndaj njëri-tjetrit. Në këtë ditë të shenjtë, Allahu na kujton në Kuranin Famëlartë: ‘O ju njerëz, ne ju krijuam prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni me njëri-tjetrin. Më i miri te Allahu është ai që është më i devotshëm’. Ky ajet është një mesazh i madh për të gjithë: të jetojmë me respekt dhe me dinjitet ndaj njëri-tjetrit”, tha kreu i KMSH-së, Bujar Spahiu.

Pas faljes së Namazit, besimtarët shkëmbyen urime për festën, ndërsa shumë familje vijojnë traditën e therjes së kurbanit dhe ndarjes me të afërmit dhe familjet në nevojë. Festa e Kurban Bajramit simbolizon sakrificën, devotshmërinë dhe bamirësinë në fenë islame.

About Redaksia

Check Also

Protestuesja humb ndjenjat në tubimin para Ministrisë së Arsimit

Një protestuese ka rënë pa ndjenja gjatë protestës që po zhvillohet para Ministrisë së Arsimit, …