Një përplasje ligjore në Gjykatën e Miamit ka zbuluar prapaskena të rënda që lidhin një investitor kontrovers izraelit me kupolën e qeverisë shqiptare. Ron Yeffet, i skeduar në SHBA për mashtrime në shuma miliona dollarëshe, pretendon se ka humbur një projekt gjigant ndërtimi në Shqipëri, me vlerë përfitimi prej 30 milionë dollarësh, pikërisht për shkak të ekspozimit të raporteve të tij të afërta me kryeministrin Edi Rama.
Në mbrojtjen e dorëzuar përpara togave të zeza në Amerikë, avokatët e Yeffet kanë đổshmuar se klienti i tyre u dëbua nga konsorciumi i investitorëve në Shqipëri.
Shkak janë bërë denoncimet e bëra nga një pensionist amerikan, Mark Faist, i cili e akuzon izraelitin se e ka zhvatur përmes skemave mashtruese. Sipas prapësimeve ligjore, jehona që mori ky skandal në mediat shqiptare dhe alarmimi i opozitës—të cilat zbuluan se Rama kishte ortakëri me një person nën akuzë—detyroi drejtuesit e projektit që ta largonin urgjentisht Yeffetin, nga frika se mos bllokoheshin financimet dhe lejet e ndërtimit.
“Në veçanti, Yeffet ishte pjesë e grupit të investitorëve për një zhvillim të pasurive të paluajtshme në Shqipëri. Për shkak të deklaratave shpifëse të Faistit, të cilat kanë prekur faktin se Yeffet e njeh Kryeministrin dhe Ambasadorin e Shqipërisë në Francë, opozita dhe mediat në Shqipëri i kanë transmetuar gjerësisht ato dhe kanë pretenduar se Kryeministri ishte mik dhe kishte bërë biznes me një mashtrues. Bazuar në këto histori, baza e të cilave ishin deklaratat shpifëse të Faistit dhe të cilat e identifikojnë Faistin me emër, Yeffet u hoq nga grupi i investitorëve për projektin shqiptar sepse palët që drejtonin projektin vendosën që, për shkak të historive në media, ato nuk mund të rrezikonin miratime dhe financime të caktuara duke e pasur Yeffetin si investitor,” ka thënë avokati i Yeffet.
Udhëtimi në Paris gjatë pandemisë dhe gracka 8.6 milionë dollarëshe
Sipas dokumenteve gjyqësore që Zoom.al disponon, zanafilla e këtij sherri financiar nis me një strategji të mirëkuruar të izraelitit për të joshur investitorin amerikan, Mark Faist.

Ky i fundit pretendon se Yeffet ka përdorur pikërisht autoritetin dhe njohjet e tij me zyrtarët më të lartë shqiptarë për t’i krijuar imazhin e një biznesmeni me ndikim global.
Pika kulmore e këtij manipulimi ka qenë viti 2020. Në kulmin e izolimit nga Covid-19, Yeffet ka organizuar një udhëtim privat me avion drejt Parisit, ku ka prezantuar Faist-in dhe bashkëshorten e tij me kryeministrin Edi Rama dhe ambasadorin e Shqipërisë në Francë. Ky takim, i organizuar në formën e një fasade luksi dhe pushteti, e bindi amerikanin të transferonte plot 8.6 milionë dollarë te kompania “R&I Trading”, me premtimin se do të investoheshin në pasuri të paluajtshme në Nju Jork.
Por, paratë u zhdukën. Pasi nuk mori asnjë fitim, Faist kërkoi llogari, duke arritur të firmoste edhe një akt-marrëveshje në vjeshtën e vitit 2025 për kthimin e borxhit prej mbi 7.6 milionë dollarësh (pasi izraeliti kishte kthyer vetëm 1 milion). Pasi afati i fundit i shkurtit 2026 u shkel përsëri, çështja përfundoi në gjykatë.
Kush është Ron Yeffet dhe kontratat e majme në Shqipëri
Ron Yeffet nuk është një emër i panjohur për publikun shqiptar. Ai njihet si një person me akses të drejtpërdrejtë në zyrën e kryeministrit Rama dhe vizitor i shpeshtë i tij. Përmes këtyre fijeve të forta korruptive, biznesmeni izraelit ka arritur të sigurojë kontrata ekskluzive dhe mjaft fitimprurëse nga buxheti i shtetit shqiptar.
Monopoli i transportit: Furnizimi me automjete i forcave të ushtrisë dhe policisë shtetërore.
Aferat me dronët: Kontrata miliona euroshe për pajisje teknologjike përmes kompanisë “Timak”.
Përveç procesit penal në Miami për mashtrimin e pensionistit amerikan, Yeffet po përballet me drejtësinë në SHBA edhe për një tjetër skandal diplomatik: ai akuzohet nga qeveria e Togos për përvetësim të paligjshëm të ndërtesës së ambasadës së tyre në Nju Jork.
Tashmë, ajo që izraeliti e konsideronte si “armën” e tij më të fortë të suksesit—miqësinë me Edi Ramën—është kthyer në faturën që po i kushton dëbimin nga aferat e radhës në Shqipëri./ Zoom.al
Gazeta RD