Partia Demokratike mbledh sot Kuvendin Kombëtar, që është forumi më i lartë vendimmarrës brenda kësaj partie. Kuvendi filloi në orën 10:00 në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, nën logon “Ripërtëritje”.
Në një deklaratë për Syri TV, deputeti i PD, Gjin Gjoni u shpreh se këto ndryshime përbëjnë një hap të rëndësishëm në ripërtëritjen e partisë, duke theksuar se përfshirja e diasporës me rreth 15% në organet drejtuese dhe në Këshillin Kombëtar është një risi që vjen për herë të parë.
Ai theksoi se, këto vendime synojnë modernizimin e PD-së dhe kthimin e saj në një forcë më të hapur, më konkurruese dhe të gatshme për të marrë përgjegjësinë e qeverisjes në të ardhmen.
“Padyshim janë risi të cilat vijnë për herë të parë në raport me Kuvendin e Partisë Demokratike. E gjithë situata për të cilën ne sot jemi mbledhur është, ashtu siç është shkruar edhe në shpërndarjen që është realizuar, ripërtëritja e Partisë Demokratike dhe kjo ripërtëritje është për të modernizuar partinë, për ta hapur atë dhe njëkohësisht për ta bërë një forcë konkurruese për të ardhur në pushtet. Ndryshimet statutore të cilat realizohen dhe përfshirja e diasporës është një element shumë i rëndësishëm, pasi sipas ndryshimeve statutore rreth 15% e organeve drejtuese, por njëkohësisht edhe e anëtarëve të Këshillit Kombëtar, do të jenë përfaqësues të diasporës, gjë e cila vjen për herë të parë.
Kemi një shtim të numrit të grave në politikë dhe kjo është një risi tjetër të cilën Partia Demokratike po e realizon dhe, besoj, Kuvendi Kombëtar do ta vendosë në mënyrë unanime. Kështu që Partia Demokratike po futet në një fazë të re, një fazë e cila padyshim po e përgatit partinë për katërvjeçarin e ardhshëm, por nga ana tjetër po kërkon që të ofrojë figura dhe kapacitete të cilat të jenë të gatshme nesër për të qeverisur dhe për të marrë pushtetin në lidhje me të ardhmen e shqiptarëve.
Në radhë të parë, përveç pikëpamjes organizative, është edhe numri i anëtarëve të Këshillit Kombëtar, i cili merr një trajtë tjetër në momentin aktual. Dhe padyshim që anëtarët e Këshillit Kombëtar, të cilët unë shoh se kanë edhe një konkurrencë shumë të madhe midis tyre, rezulton që ka një interes të jashtëzakonshëm për të konkurruar me njëri-tjetrin. Dhe ky është një sinjal pozitiv, që tregon shenjat e para të një lloj frymëzimi që ekziston në radhët e demokratëve dhe një mobilizim për të krijuar një frymë totale, jo vetëm në raport me protestën, por edhe në të gjithë pjesëmarrjen aktive të përditshme të demokratëve në jetën politike.
Është e vërtetë, dhe këtu nuk mund të bëhet krahasim sepse ka një ndryshim rrënjësor midis frymës dhe mënyrës se si organizohet Partia Demokratike, duke kaluar nëpërmjet procesit “një anëtar, një votë”, i cili është një proces që realizohet vetëm në një numër të vogël të partive botërore, dhe sot vetëm Partia Demokratike pothuajse në pak vende në Evropë e realizon këtë. Dhe është parimi i një demokracie të drejtpërdrejtë në raport me njerëzit. Ndërsa në raport me partitë e tjera rezulton që Partia Socialiste është gjithmonë një parti e cila është e mbyllur, një parti e emërimeve, një parti e cila vendos lideri dhe nuk kanë asgjë të përbashkët dhe të krahasueshme njëra me tjetrën”, u shpreh Gjoni.
Gazeta RD