Eda Grimçi: Familja dhe fëmijët shqiptarë janë në rrezik!

Kryetarja e PD, Dega 9 në Tiranë, Eda Grimci mbajti një fjalim gjatë “Marshimit për Jetën”, të organizuar nga Koalicioni Pro Familjes, ku shprehu shqetësimin e saj për politikat dhe nismat që, sipas saj, prekin institucionin e familjes dhe mirëqenien e fëmijëve.

Duke folur para pjesëmarrësve në tubim, ajo tha se ishte përballur personalisht me reagime të ashpra pas një publikimi në rrjetet sociale ku kritikonte përdorimin e fëmijëve në aktivitete publike dhe propagandistike.

Sipas Grimçit, familja shqiptare përballet me sfida serioze dhe kërkon më shumë mbështetje nga shteti.

Ajo u bëri thirrje qytetarëve që, pavarësisht bindjeve politike apo dallimeve të tjera, të bashkohen në mbrojtje të familjes dhe fëmijëve, duke e cilësuar familjen si themelin e kombit dhe të shoqërisë shqiptare.

Grimçi: Për një mision, misionin më të shenjtë, atë të nënës. Nuk e dija se sa e rrezikshme ishte axhenda që po mundohet të instalohet këtu derisa u përballa personalisht me të. Bëra një status si një nënë, ku pashë fëmijë të përdoreshin për propagandë duke u përdorur si kavje eksperimentesh në tubime, manifestime erotiko-politike, ekonomike. Dhe qëndrova dhe pata një reagim, nuk e keni idenë sulmet që pësova nga ky reagim. Aty kuptova që gjithçka që kishte thënë familja Pano ishte e vërtetë. Ne jemi në rrezik. Familja shqiptare është në rrezik, fëmijët shqiptarë janë në rrezik. Janë në rrezik nga një shtet i cili nuk kujdeset për familjen, nuk e ndihmon familjen, por kujdeset për axhenda të cilat e shkatërrojnë familjen. Sulmi që m’u bë mbas atij postimi ishte i jashtëzakonshëm. Aty kuptova se ata janë të organizuar, janë shumë dhe ngrohen nën petkun e viktimizimit, po na godasin në gjënë më të shenjtë tek fëmijët tanë. Nëse deri më sot kemi luftuar për punën, për bukën, për rrugët, për mirëqenien, sot duhet të çohemi të gjithë tej çdo ndasie, tej çdo ngjyre jemi për fëmijët, nuk ka asgjë më të shenjtë sesa fëmijët.

Është detyrimi i çdo prindi, është detyrimi i çdo nëne. Misioni i nënës është të mbrojë familjen, është të mbrojë fëmijët. Pa familje të fortë nuk ka komb, nuk ka atdhe. Është pikërisht kjo familje që na ka mbajtur të bashkuar, është pikërisht familja dhe rreziku që na kanoset që na bashkon sot në këtë shesh. Prandaj, kështu siç jemi të mos ndalemi, të mbrojmë familjet, të mbrojmë fëmijët, të mbrojmë kombin sepse familja shqiptare është në rrezik dhe nuk duhet ta lejojmë këtë gjë.

About Redaksia

Check Also

Pano: Ne efuzojmë që fëmijët shqiptarë të bëhen pjesë e eksperimenteve ideologjike

Në protestën e organizuar nga Koalicioni ‘Pro Familjes’, kundër trajtimit hormonal në QSUT që ka …