Aksidenti/ Tentoi t’i largohej policisë, por u përplas, humb jetën vëllai i zv.ministres

Një aksident me pasojë vdekjen ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në qytetin e Lushnjës. Ernis Xhumari, 43 vjeç, nga Karbunara e Lushnjës, ka mbetur viktimë.

Raportohet se pak para aksidentit, 43-vjeçari ka shkuar para Komisariatit të Lushnjës duke xhiruar gomat dhe duke përdorur fjalor ofendues. Menjëherë pas këtyre manovrave, grupi i gatshëm i Policisë së Lushnjës është vënë në ndjekje.

Në tentativë për t’iu shpëtuar forcave të policisë, 43-vjeçari ka marrë drejtimin drejt Karbunarës me shpejtësi. Si shkak i shpejtësisë së lartë, ai nuk ka mundur të shmangë rrethrrotullimin, duke u përplasur në të, dhe më pas makina është përfshirë nga flakët. Edhe pse i është dhënë ndihma e parë, 43-vjeçari nuk ka mundur të mbijetojë.

Mësohet se 43-vjeçarit, rreth dy muaj më parë, i është hequr leja e drejtimit pasi është kapur në gjendje të dehur, ku më pas është proceduar.

43-vjeçari Ernis Xhumari është vëllai i zv.ministres së Mjedisit, Elda Xhumari.

“Rreth orës 01:45, të datës 02.06.2026, punonjësit e sallës operative të Komisariatit të Policisë Lushnjë, nëpërmjet kamerave të sigurisë, kanë konstatuar përpara Komisariatit, një automjet tip “Mercedes-Benz”, duke kryer manovra të çrregullta, dhe më pas drejtuesi i automjetit ka dalë nga automjeti duke bërtitur para Komisariatit, veprim të cilin e ka përsëritur disa herë.

Në këto kushte, salla operative ka njoftuar Patrullën e Përgjithshme që ishte me shërbim në qytet, për t’u afruar në Komisariat, me qëllim verifikimin e drejtuesit të automjetit dhe arsyen e sjelljeve të tij.

Drejtuesi i automjetit, sapo ka parë Patrullën e Përgjithshme që vinte drejt Komisariatit, është larguar me shpejtësi të madhe dhe pas disa minutash dyshohet se për shkak të shpejtësisë së madhe dhe humbjes së kontrollit mbi drejtimin e automjetit nga ana e drejtuesit, automjeti është përplasur me bordurat anësore të rrugës, në vendin e quajtur “Rrethrrotullimi i Plasmasit” dhe është përmbysur. Si pasojë, drejtuesi i automjetit, shtetasi E. Xh., 43 vjeç, banues në Tiranë, ka humbur jetën”, njoftoi policia.

Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkakut të aksidentit.

About Redaksia

Check Also

Rezistuam për 49 ditë, do të rrimë dhe për 490 ditë, derisa atë të gjatin ta shkulim prej këtij vendi!

Një prej protestuesve që mori fjalën gjatë tubimit kundër qeverisë së Edi Ramës u bëri …