Mos e bëni protestën parcela-parcela!

Nga Agim XHAFKA

Protestat e këtyre ditëve ma kanë bërë zemrën mal. Ngaqë janë masive dhe që në to marrin pjesë të rinjtë.

Por mos bëni diferencime. Mos thoni të mos vijë kjo parti, apo ajo tjetra. Le të vijë kushdo që proteston me zemër.

Nuk ka ndasi në të tilla lëvizje. Nuk ka armiq dhe hatërmbetje. Këto qëndrime më sjellin ndër mend takimet që bënin shahistët tanë nëpër botë. Nga që kishim shahistë cilësorë paraqiteshim me dinjitet në çdo takim ndërkombëtar. Por nuk ia dilnim dot që të kapnim qoftë një kupë të vetme.

Pse? Se ato mote na binin përballë shahistë izraelitë. Me ta ne nuk pranonim të ndesheshim, kështu ishte porosia. Dhe kjo na penalizonte.

Një ditë një gjyqtar i takimit e pyeti shahistin tonë:

-Ore, pse nuk pranon të luash shah me Izraelin, ti je shahist cilësor? Me siguri e mund.

-Se Izraeli ka pushtuar arabët, -i tha shqiptari.

-Po arabi vetë po luan shah me Izraelin. Ja, te tavolina atje! Shihi!- u çudit gjyqtari.

E kështu-kështu vazhdojmë ende ne. Protestojmë dhe vendosim kushte. Kushte për ata që duan të protestojnë bashkë me ne, për ata që duan të jenë në krahun tonë.

Çudi duket. Ama çudi s’ka pse të ngelet.

About Redaksia

Check Also

Dil e protesto, mos paragjyko!

Nga Bislim AHMETAJ Qoftë edhe i vetëm, dil dhe protesto kundër një qeverie që, sipas …