Nikola Kedhi është Drejtor Ekzekutiv i Institutit Konservator Shqiptar (IKSH), një qendër studimore e themeluar në vitin 2024 në Tiranë, me synimin për t’i dhënë qendrës së djathtë shqiptare një infrastrukturë institucionale përtej partive politike. Ka qenë visiting fellow pranë Danube Institute gjatë viteve 2024–2025. Kedhi ka botuar gjerësisht në Europë dhe Shtetet e Bashkuara, me kontribute në Fox News, Newsweek, The American Spectator, Il Giornale dhe The European Conservative Magazine.
Intervsitë për Álvaro Peñas në revistën “The European Conservative”
Cilat janë objektivat e IKSH-së?
Objektivat tanë janë të përkthejmë parimet tona konservatore në politika konkrete mbi çështjet që përcaktojnë këtë dekadë: sigurinë konvencionale dhe hibride, pavarësinë energjetike, reformat për një ekonomi prodhuese e inovative, shtetin e së drejtës, mbrojtjen e familjes dhe lirive individuale, si dhe qeverisjen e inteligjencës artificiale dhe teknologjive në zhvillim.
IKSH u ndërtua për të qenë një partner i besueshëm i familjes konservatore transatlantike dhe i aleancës në tërësi, në një rajon me ekuilibra të brishtë. Ne besojmë gjithashtu se think tank-et nuk duhet vetëm të reagojnë ndaj politikës, por ta formësojnë atë. Së shpejti planifikojmë të publikojmë një doktrinë të politikës së jashtme të Realizmit Parimor, një tjetër doktrinë ekonomike që synon ta kalojë Shqipërinë nga ekonomia e iluzionit drejt një ekonomie prodhuese, si dhe studime e propozime të tjera për arsimin, shëndetësinë, zhvillimin urban, sigurinë, infrastrukturën digjitale dhe integrimin europian. Faza e ardhshme e vendit tonë ka nevojë për një bazë serioze intelektuale, jo për slogane.
IKSH ishte partner zyrtar i International Democratic Union, IDU, në Forumin e vitit 2026, të mbajtur në Zagreb të Kroacisë në fund të muajit të kaluar, ku mblidhen partitë e qendrës së djathtë. Cilat propozime do të veçonit nga forumi?
Jam krenar të them se ne jemi organizata e parë shqiptare që bëhet partnere e IDU-së, përveç dy partive politike shqiptare, Partisë Demokratike dhe Partisë Republikane. Për ne, partneriteti në Zagreb nuk ishte simbolik. Ishim atje sepse duam të jemi dhe synojmë të mbetemi një partner i besueshëm për IDU-në, për partnerët tanë europianë dhe për homologët tanë amerikanë.
Pati disa diskutime të rëndësishme dhe disa përfundime që do të veçoja. Së pari, duhet një marrëdhënie e re dhe më e fortë transatlantike për sa i përket kapacitetit industrial të mbrojtjes dhe sigurisë së infrastrukturës kritike. Bota ka ndryshuar. Në këtë mjedis, NATO dhe komuniteti më i gjerë transatlantik nuk mund të mbështeten vetëm te deklaratat. Atyre u duhen hapa dhe veprime konkrete.
Kjo nënkupton një pakt të ri transatlantik të ndërtuar rreth prodhimit industrial të mbrojtjes, epërsisë teknologjike dhe mbrojtjes së infrastrukturës kritike. Pyetja nuk është vetëm nëse Perëndimi ka vlerat e duhura, por nëse ka fuqinë prodhuese, bazën industriale dhe qëndrueshmërinë institucionale për t’i mbrojtur ato. Mendoj se sot është bërë e qartë se vlerat pa fuqi janë të pambrojtura, dhe aleancat pa kapacitet industrial janë të brishta.
Pati gjithashtu diskutime më të gjera mbi demografinë, migracionin dhe transformimin teknologjik që po riformëson ekonomitë tona. Europa po plaket, Ballkani po zbrazet dhe tranzicioni i inteligjencës artificiale do t’i rikonfigurojë tregjet e punës në mënyra për të cilat modeli aktual i qeverisjes shqiptare është krejtësisht i papërgatitur. Qendra e djathtë ka nevojë për një përgjigje koherente që shkon përtej alternativës mes kufijve të hapur dhe vetëm frenimit, dhe që i trajton seriozisht tranzicionin e inteligjencës artificiale dhe atë energjetik si çështje të sovranitetit kombëtar.
Integrimi i vendeve të Ballkanit në BE ishte një tjetër temë. A është ai më pranë kthimit në realitet?
Duket pranë në letër, por shumë më larg në substancë, dhe kontrasti mes Malit të Zi dhe Shqipërisë e tregon këtë qartë. Në prill, BE miratoi krijimin e një grupi pune ad hoc për të nisur hartimin e traktatit të anëtarësimit të Malit të Zi, ndërsa Podgorica synon anëtarësimin e plotë deri në vitin 2028. Mali i Zi po lëviz drejt integrimit, por jo Shqipëria.
Raporti i Komitetit për Punët e Jashtme të Parlamentit Europian, AFET, i miratuar më 5 maj, gjithashtu dhe IBAR, e bëjnë të qartë këtë: përparimi i Shqipërisë në hapjen e grupeve të kapitujve shihet pozitivisht, por gjithçka kushtëzohet nga ajo që vjen më pas. Eurodeputetët dhe shtetet anëtare theksojnë nevojën për rivendosjen e shtetit të së drejtës dhe luftën kundër korrupsionit, ndërsa vetë raporti vëren se Shqipëria ka rënë me 11 vende brenda një viti në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International për vitin 2025. Ngrihen gjithashtu shqetësime për keqpërdorimin e burimeve administrative, zbehjen e kufirit mes shtetit dhe partisë në pushtet, pretendimet për blerje votash, presionin ndaj votuesve, presionet mbi gjyqësorin dhe zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Këto nuk janë më pika diskutimi të opozitës. Kjo është gjuha e vetë Parlamentit Europian.
Raporti i AFET-it është i qartë se besueshmëria e zgjerimit varet nga kushtëzimi i rreptë, përparimi i bazuar në meritë dhe zbatimi real i reformave, jo nga miratimi formal i legjislacionit. Për ne, kjo është linja e duhur. Integrimi do të thotë të përmbushim standardet së pari për hir të vetes sonë dhe, së dyti, për forcën e kontinentit. Nuk është një detyrë shtëpie që na imponohet nga jashtë.
Situata në Shqipëri justifikoi një rezolutë që i referohet Shqipërisë si “autokraci elektorale” dhe “narko-shtet”. A është vërtet kaq keq?
Në 14 muajt e fundit ka pasur 8 rezoluta ndërkombëtare për Shqipërinë. Renditja e vitit 2026 e Institutit V-Dem e klasifikon Shqipërinë si një “autokraci elektorale”. Raporti i OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e majit 2025 përmend zbehjen e kufirit mes shtetit dhe partisë, përdorimin e burimeve shtetërore për qëllime elektorale, presionin ndaj votuesve dhe, për herë të parë, ndikimin e grupeve kriminale. Një raport i Departamentit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara e identifikon Shqipërinë si një qendër të narkotrafikut. Vetë rezoluta e Parlamentit Europian kërkon intensifikimin e veprimeve kundër pastrimit të parave dhe rrjeteve të trafikut të drogës.
Nga ana tjetër, Prokuroria e Posaçme ngriti akuzë ndaj zëvendëskryeministres për korrupsion në tendera të mëdhenj infrastrukture. Shumica parlamentare refuzoi t’i heqë imunitetin, gjë që ishte një nga faktorët kryesorë të ngadalësimit të procesit të integrimit në BE. Më pas, qeveria shtyu përpara amendamente për të mbrojtur ministrat e kabinetit, madje edhe kryeministrin, nga pezullimi gjyqësor gjatë hetimeve.
Shembuj të tjerë seriozë përfshijnë operacionin kundër Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, AKSHI, institucioni që menaxhon infrastrukturën digjitale dhe të survejimit të shtetit, ku u ekspozuan veprimtari të kryera në kuadër të një organizate të strukturuar kriminale; si dhe koncesionin e Portit të Durrësit për operatorë të lidhur me subjekte të sanksionuara të lidhura me Rusinë. Një kontratë për infrastrukturë survejimi u nënshkrua me një kompani të huaj, lidhjet ushtarako-inteligjente të së cilës janë ngritur si shqetësim në Kongresin e Shteteve të Bashkuara.
Në janar dhe shkurt shpërthyen trazira serioze në Tiranë. Protestuesit kërkuan dorëheqjen e qeverisë për shkak të korrupsionit, ndërsa zëvendëskryeministrja Belinda Balluku dhe pesë ministra të tjerë u detyruan të largoheshin. A mendoni se këto protesta mund të ndodhin sërish?
Protestat nuk kanë përfunduar. Ato kanë vazhduar, në forma të ndryshme, që prej dhjetorit. Pyetja nuk është pse njerëzit protestojnë. Pyetja është pse nuk protestojnë më shumë.
Shqipëria sot është ajo që mund të quhet një shoqëri e tërheqjes. Që prej vitit 2014, më shumë se 1.1 milion shqiptarë janë larguar vetëm drejt zonës Schengen. Në shtatë prej qarqeve tona, vdekjet tashmë tejkalojnë lindjet. Fatkeqësisht, mbetjet e diktaturës komuniste, instinkti për t’u tërhequr nga sfera publike sepse ajo shihet si e rrezikshme, vazhdojnë të ndikojnë mënyrën se si shqiptarët e mendojnë politikën. Thyerja e këtij modeli është vërtet e vështirë.
Megjithatë, qendra e djathtë dhe qytetarët e lirë të këtij vendi po rezistojnë, dhe ata kanë nevojë për solidaritet nga partnerët tanë europianë dhe amerikanë, sepse ajo që po mbrohet në Tiranë nuk është vetëm demokracia shqiptare. Është kufiri lindor i rendit demokratik europian.
Konservatorët shqiptarë, të udhëhequr nga Partia Demokratike, kanë një vizion për këtë vend, dhe ne kemi politikat, ekipin dhe planin për ta realizuar atë. Midis viteve 2005 dhe 2013, nën udhëheqjen e qendrës së djathtë të liderit aktual të opozitës, Sali Berisha, Shqipëria lëvizi në drejtimin e duhur: anëtarësimi në NATO, reforma energjetike, ndërtimi i Gazsjellësit Trans Adriatik që forcoi sigurinë energjetike të Europës dhe uli varësinë nga Rusia, liberalizimi i vizave, ulja e taksave dhe politika që nxitën prodhimin. Ajo periudhë është prova se ky vend mund të lëvizë, madje të lëvizë shpejt, kur qeveriset seriozisht.
Në vitin 2021, Berishës iu ndalua hyrja në Shtetet e Bashkuara. Ai akuzoi George Soros dhe Sekretarin e atëhershëm të Shtetit, Anthony Blinken, si përgjegjës për atë ndalim. A ka ndryshuar kjo me zgjedhjen e Trump si president?
Situata ka ndryshuar. Departamenti i Shtetit, nën administratën e re, ka sinjalizuar se vendimi i Sekretarit Blinken për ta shpallur Berishën non grata u konsiderua një akt politik i administratës së mëparshme.
Masa e vitit 2021 ka qenë gjithmonë e motivuar politikisht: Departamenti i Shtetit i administratës Biden, me nxitjen aktive të kryeministrit shqiptar dhe të rrjetit më të gjerë që vepron rreth tij, siç është Fondacioni Shoqëria e Hapur, e përdori shpalljen non grata jo si instrument antikorrupsioni, por si armë politike kundër liderit konservator të opozitës shqiptare. Fitorja e Trump nuk e ka shuar brenda natës atë padrejtësi, dhe ne nuk pretendojmë të kundërtën, por ajo i dha fund mbulesës dypartiake amerikane që qeveria socialiste kishte gëzuar për më shumë se një dekadë. Marrëdhënia po rindërtohet mbi një bazë më të ndershme, me njohjen se qendra e djathtë shqiptare është aleati natyror i Shteteve të Bashkuara në këtë pjesë të Europës. Ky është ndryshimi i vërtetë, dhe ai është më i rëndësishëm se çdo vendim i vetëm për vizë.
Çfarë mendoni për marrëveshjen e migracionit që Edi Rama ka bërë me Giorgia Melonin?
Partneriteti strategjik mes Shqipërisë dhe Italisë nuk u shpik nga Edi Rama. Ai u sanksionua në Deklaratën e Partneritetit Strategjik, të nënshkruar dhe hyrë në fuqi më 12 shkurt 2010, mes qeverive Berisha dhe Berlusconi, kur u arrit kulmi i këtyre marrëdhënieve. Edhe sot, vetë Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë i referohet asaj deklarate si bazë e partneritetit strategjik mes dy vendeve. Kjo ka rëndësi sepse tregon se çfarë do të thotë shtetformim serioz.
Marrëveshja aktuale për migrantët, ashtu siç u negociua, ka qenë një dështim operacional. Kostoja e raportuar ka arritur rreth 670 milionë euro për periudhën 2024–2028, ndërsa qendrat kanë hasur vështirësi për të funksionuar siç ishte parashikuar fillimisht. Rama dhe Meloni kanë nënshkruar një marrëveshje që ka prodhuar një strukturë pothuajse bosh dhe një barrë diplomatike.
Çfarë mori realisht Shqipëria në këmbim? Pak vullnet të mirë nga BE-ja, një mundësi fotografie me kryeministren Meloni dhe një precedent të pritjes në territorin shqiptar të përpunimit të migracionit të një vendi tjetër, pa shqyrtim të mirëfilltë parlamentar.
Problemi më i thellë është metoda. Rama e trajton politikën e jashtme si prerogativë personale, për interesa personale. Shqipëria mund të jetë një partner serioz i Italisë, Bashkimit Europian dhe aleancës transatlantike, përfshirë edhe në çështjet e migracionit, por vetëm nëse negociojmë si shtet me strategji, dhe me doktrinë në politikëtë jashtme, në mbrojtje të interesit kombëtar, jo si skenë për teatrin diplomatik të një njeriu të vetëm.
Álvaro Peñas është autor për europeanconservative.com. Ai është redaktor i deliberatio.eu dhe kontribues në Disidentia, El American dhe media të tjera europiane. Ai është analist ndërkombëtar, i specializuar në Europën Lindore, për kanalin televiziv 7NN dhe autor pranë SND Editores.
*Nikola Kedhi, Instituti Konservator Shqiptar
Gazeta RD