Kulla te Pallati i Kongreseve/ Tabaku: Kush janë këta që marrin vendime pa transparencë

Deputetja e PD Jorida Tabaku ka reaguar ashpër lidhur me projektin për ndërtimin e një kulle pas Pallatit të Kongreseve në kryeqytet.

Tabaku thekson se qëndrimi i saj nuk lidhet me ndonjë ndjenjë nostalgjie për të shkuarën, por me mbrojtjen e pasurisë së qytetarëve.

“Asnjë nostalgji për reliket e vjetra të komunizmit. Vetëm respekt për pronën publike dhe pasurinë publike,” shkruan deputetja demokrate, duke vënë theksin te menaxhimi i këtyre hapësirave nga institucionet shtetërore.

Tabaku ka lëshuar akuza të forta ndaj Korporatës së Investimeve, duke deklaruar se ky institucion po sillet me pronat e përbashkëta sikur t’i kishte private. Ajo ka ngritur pikëpyetje të mëdha mbi mungesën e transparencës në vendimmarrje, duke listuar edhe zona të tjera të vendit ku po ndodh e njëjta gjë.

“Korporata e investimeve sillet me pronën publike si ta kenë pasurinë e tyre. Kush janë këta që i marrin vendimet pa asnjë proces transparent? E njëjta situatë në Zvërnec, në aeroportin e Vlorës, në Durrës, etj. Nuk ka asnjë vendimmarrje transparente,” nënvizon Tabaku.

Sipas deputetes së PD-së, kjo mënyrë veprimi e pushtetit, e cila përqendron pasurinë në duart e një pakice, po i detyron qytetarët të dalin në rrugë për të kërkuar të drejtat e tyre.

“Ky sistem i nxjerr njerëzit në rrugë për të protestuar. Sistemi që ka përqendruar pasuritë tek pakica, sistemi që e trajton pronën publike si private. Duhet të ketë meritokraci edhe në ekonomi,” mbyll reagimin e saj Jorida Tabaku.

About Redaksia

Check Also

Rezistuam për 49 ditë, do të rrimë dhe për 490 ditë, derisa atë të gjatin ta shkulim prej këtij vendi!

Një prej protestuesve që mori fjalën gjatë tubimit kundër qeverisë së Edi Ramës u bëri …