Deputetja e PD për qarkun Vlorë, Ina Zhupa, ka bërë akuza të forta, në lidhje me situatën në Sarandë.
Gjatë një interviste në emisionin “Kafe Shqeto” në Syri TV, ajo ka deklaruar se qyteti është përballur me një rritje të kriminalitetit dhe degradim të institucioneve, duke theksuar se shpesh në media mungojnë lajmet pozitive dhe dominojnë ato për ngjarje të rënda kriminale.
Sipas Zhupës, problematikat në Sarandë lidhen edhe me funksionimin e institucioneve vendore dhe qëndrore, të cilat sipas saj nuk garantojnë shërbime bazë për qytetarët duke degraduar qytetin.
Zhupa: Po, fatkeqësisht ti e përmende që në hyrje, nuk bëjmë shumë lajm shpesh për gjëra të mira, për aktivitete, për investime të mëdhaja publike. Pothuajse s’bëjmë fare lajme nga këto, po bëjmë lajme pothuajse ditore ose një në dy ditë për një vrasje, për një plagosje, për një tritol, për banda që përplasen, për sherre masive. Dhe kjo në fakt nuk ka qenë ndonjëherë fytyra e Sarandës. Është kthyer në këto tre vitet e fundit edhe nga degradimi në fakt, edhe i pushtetit qëndror, edhe i pushtetit vendor, janë pleksur t’i themi ne andej bashkë edhe funksionojnë në fakt si një bandë paralele strukturat e shtetit.
Ju e patë arrestimin e shefit të komisiariatit edhe kërkimin e drejtorit tashmë të inspektoriatit lokal të IKMT-së dhe keni parasysh që të tre bashkë me këtë drejtorin e policisë bashkiake, funksiononin si një bandë më vete, si një grup më vete të strukturuar zyrtarësh që lejonin ndërtimet e paligjshme, favorizonin një bandë në krahasim me një bandë tjetër. Dhe në fakt kjo nuk duhet të ishte fytyra e një qyteti me potencial të jashtëzakonshëm turistik, me njerëz të mrekullueshëm punëtorë, me biznese të ndershme. Ka jashtëzakonisht shumë biznese të ndershme që punojnë në Sarandë.
Një qytet që shtatëfishohet gjatë tre muajve të verës për nga numri i turistëve që vijnë atje, dhe nuk garanton dot as kushtet minimale. Ju e ndoqët seancën e pyetjeve, se vetëm pyetje ishte, se përgjigje nuk kishte, në Komisionin e Reformës Territoriale. Unë prita deri në fund të komisionit për të marrë fjalën, për të dëgjuar njëherë se çfarë do të thonin, pra, reklamën që do t’i bënin vetes. Dhe kur erdhi momenti që realisht do duhej t’i jepnin llogari, edhe të thonin që a është e mundur, kur ti mburresh dhe thua kam buxhetin më të lartë ndonjëherë.
E në fakt e ke, sepse me ato resorte, me ato investime strategjike që janë bërë atje dhe me taksën që ata duhet të paguajnë për infrastrukturën, ti e ke buxhetin dhe me taksat që ke rritur. Si ka mundësi që në vitin 2026, një qytet i tillë, i vogël, turistik, nuk arrin dot të garantojë ujë 24 orë. Si mund t’i lësh ti qytetarët e Sarandës që të bëjnë jetën e tyre me bidona 5 litrosh nëpër Sarandë, apo turistët e Sarandës të vijnë dhe të gjejnë një qytet me ujë me orar në rastin më të mirë, me depozita. Si e lë kur mburresh për këtë gjë? Dhe Saranda është një qytet që rrethohet nga burimet ujore, që një investim minimalisht do ta kishte mbaruar këtë çështjen e ujit.
Gazeta RD