Nga Bujar Leskaj
Dhjetra protestat e shpërthyera në vend në 11 ditët e fundit kundër keq-qeverisjes dhe arrogancës së sektit Rama në pushtet, duke marrë shkas dhunën ndaj protestuesve në Zvërnec, kanë prodhuar një lëvizje të fuqishme rinore, e cila sot ka hyrë në ditën e dhjetë të protestave masive në Tiranë.
Protestuesit, krahas dorëheqjes së kryeministrit, kanë artikuluar katër kërkesa të qarta: shfuqizimin e ligjit famëkeq Nr. 55/2015 “Për Investimet Strategjike”, shfuqizimin e Paketës mafioze të Maleve, anulimin e ndryshimeve të vitit 2024 në ligjin për Zonat e Mbrojtura që 20 përqind të zonës së mbrojtur e jep për biznes, si dhe anulimin e ndryshimeve në ligjin për Trashëgiminë Kulturore, që fut privatin në menaxhimin e aseteve kulturore publike të vendit.
Opozita e PD-së ka qenë gjithnjë kundër këtyre ligjeve dhe ndryshimeve ligjore, duke i kundërshtuar ato fuqishëm. Si çdo deputet i saj, në diskutimet në Kuvend kam denoncuar dhe evidentuar me fakte procesin dhe përmbajtjen korruptive të këtyre katër ligjeve të qepura me dore nga sekti Rama në qeverisje, që sot Partia Demokratike kërkoi në Kuvend shfuqizimin e tyre.
I. Ligji për Investitorin Strategjik: grabitje dhe vjedhje e organizuar e tokës private në bregdet dhe e tokës Shtet
Sekti Rama miratoi në dhjetor 2025 në Kuvend shtyrjen e gjashtë të afatit të ligjit Nr. 55/2015 “Për Investimet Strategjike”, deri më 31 dhjetor 2026. Ky ligj u miratua në maj të vitit 2025, si një masë e përkohshme trevjeçare për nxitjen e investimeve strategjike në ekonomi. Që nga ajo kohë, është shtyrë gjashtë herë!
Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit për klimën e investimeve në Shqipëri, i vitit 2021, ka theksuar se ligji i investimeve strategjike “korrupton logjikën investuese dhe nuk është aspak miqësor me investitorët e huaj”. Në raportin e klimës së investimeve për vitin 2023, DASH theksoi se ligji Nr. 55/2015 për Investimet Strategjike nuk ka tërhequr investime të huaja, ndërkohë që nga 52 projekte të miratuara, të cilat kanë marrë statusin e investimit strategjik, vetëm 2 janë të huaja.
Me këtë ligj, investitorit strategjik i jepet një ndihmë e padrejtë në raport me pronarin e tokës, duke cënuar një nga bazat e tregut të lirë dhe kapitalizmit, respektimin e kapitalit të tokës. Ai ka krijuar një problematikë serioze në raport me të drejtat e pronësisë, duke ligjëruar shtetëzimin e pronës private për interesa të investitorëve privatë të afërt me Ramën dhe sektin e tij .
Ligji ka përbërë një injorim të plotë të master-planeve të zhvillimit të zonave të ndryshme me potencial të madh në vend. Ai jo vetëm që ka dështuar të thithë investime të huaja, por është përdorur për përfitime abuzive, nga njerëz të afërt me Ramën dhe me sektin e tij në qeverisje.
II. Programi mafioz “Paketa e Maleve”
Ligji i miratuar për këtë program duhet abroguar sa më parë. Shqipëria mbart prej dekadash ndër problemet më të ndërlikuara të pronësisë në rajon, të tilla si (i) mbivendosje e titujve të pronësisë, (ii) legalizime të pjesshme, (iii) kthim dhe kompensim prone thellësisht i papërfunduar, (iv) konflikte trashëgimie dhe (v) mungesë regjistrash të plotë kadastralë.
Në këtë kontekst, çdo skemë që hap mundësi për përdorim, transferim apo dhënie në zhvillim të tokave krijon rrezik të lartë konfliktesh, nëse statusi juridik nuk është i qartë. Dhe pronat në zonat malore janë ato me paqartësi ekstreme të gjendjes juridike.
Nëse programi Paketa e Maleve do të zbatohet, sipërfaqe të mëdha në zona malore do të kalojnë de facto nën kontrollin e investitorëve ose subjekteve me kapital më të fortë, favoritë të sektit Rama në pushtet, ndërsa komunitetet lokale do të humbasin kontrollin ekonomik mbi territorin. Kjo do të sjellë dobësim të pronarëve të vegjël, ulje të fuqisë negociuese të banorëve lokalë dhe përqendrim të aseteve strategjike të vendit në pak duar.
“Paketa e Maleve” do të aktivizojë toka me status të paqartë pronësie ose me pretendime të shumta. Kjo do të sjellë përplasje mes pronarëve historikë dhe përdoruesve aktualë, konflikte të thella mes familjeve dhe trashëgimtarëve dhe procese të gjata administrative dhe gjyqësore. Në mënyrë paradoksale, ajo do të paralizojë edhe ato pak investime private që po realizohen në mënyrë spontane sot në malet tona. Duke përfshirë toka në projekte pa zgjidhje paraprake të pronësisë, Paketa e Maleve do të shumëfishojë konfliktet mes familjeve dhe trashëgimtarëve, mes komuniteteve dhe investitorëve, si dhe mes pronarëve dhe institucioneve shtetërore.
Në zonat malore toka nuk është vetëm aset ekonomik, por edhe identitet familjar, trashëgimi dhe burim jetese. Paketa do të krijojë presione të forta, me banorët që do të ndihen të përjashtuar nga vendimmarrja, ose të kërcënuar nga humbja e aksesit mbi kullota, pyje apo toka me përdorim tradicional.
Çdo ndërhyrje që prek tokat private, kullotat, pyjet dhe pronat familjare të trashëguara, ka rrezik të lartë të aktivizojë konflikte të fjetura prej vitesh ose dekadash. Përplasjet mes komuniteteve dhe investitorëve të miratuar nga Paketa, me projekte që avancojnë pa konsultim real me komunitetet lokale, do të sjellin një tension social të skajshëm. Në vend të zhvillimit ekonomik, programi mafioz “Paketa e Maleve” do të prodhojë polarizim ekstrem social dhe vëllavrasje!
Ja përse me të drejtë protesuesit e lëvizjes rinore kërkojnë abrogimin e ligjit “Paketa e Maleve”.
III. Ndryshimet kleptokrate në Ligjin për Zonat e Mbrojtura
Përmes një ligji që përbën krim ekologjik, më 22 shkurt 2024, shumica qeverisëse në Kuvend, në rolin e saj të rëndomtë të noteres për kapriçiot dhe dëshirat-ligje të Sektit Rama, miratoi në seancë plenare ligjin e ri për Zonat e Mbrojtura, megjithë kundërshtimet e forta të organizatave mjedisore dhe të gjithë shoqërisë civile të përgjegjshme të vendit, si dhe rezervat e shprehura nga Bashkimi Evropian.
Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë kërkoi me forcë për këtë ligj transparencë, parashikueshmëri dhe konsultim me palët e interesuara, duke deklaruar se “Në kuadrin e negociatave të anëtarësimit, miratimi i ligjeve mbi çështje që mbulohen nga legjislacioni i BE-së, presupozon konsultim publik të mirëfilltë dhe gjithëpërfshirës, si dhe një proces të parashikueshëm dhe transparent”.
Rama dhe deputetët e tij në Komisionin për Veprimtarinë Prodhuese dhe Mjedisin, praktikisht u tallën me Kryetarin e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato, i cili, me synimin që interesat e Shqipërisë dhe të BE-së për mjedisin në Shqipëri të mbroheshin, zhvilloi më 2 shkurt 2024 një vizitë në Komisionin për Veprimtarinë Prodhuese dhe Mjedisin, ku pas takimit me kryetarin dhe nënkryetarin e Komisionit, u shpreh se “U kërkova atyre të garantojnë që çdo ndryshim në kuadrin ligjor ekzistues për zonat e mbrojtura t’i nënshtrohet një konsultimi të plotë, të bazuar në fakte dhe gjithëpërfshirëse me të gjithë aktorët”.
Në fakt, ndryshimet përfundimtare në ligjin e mëparshëm të vitit 2017 u bënë në një mbledhje online të Komisionit për Veprimtarinë Prodhuese dhe Mjedisin, me votat vetëm të shumicës, pa debat dhe dëgjesa të organizatave mjedisore. Këto organizata nuk u lejuan të ishin të pranishme, edhe kur projektligji u miratua në Komisionin për Çështjet e Integrimit, në një kohë kur organizatat mjedisore kishin treguar në detaje shkeljet dhe kundërshtitë që kishin ndryshimet e propozuara në ligj, me direktivat e Komisionit Evropian në fushën e mjedisit!
Ndryshimet në ligjin e 2017-ës përfshijnë dhënien nën administrim të bashkive të 20 përqind të territorit të zonave të mbrojtura, si dhe lejimin e investimeve dhe aktivitetit industrial në këto zona, duke ulur ndjeshëm dhe praktikisht zeruar, nivelin e mbrojtjes së tyre.
Projektligji gjoja u erdhi ndër mend të dymbëdhjetë deputetëve të Partisë Socialiste, nga një letër e disa kryebashkiakëve të Partise Socialiste, që i paskan kërkuar Kuvendit që ligji t’u jepte atyre mundësi të merrnin pjesë në administrimin e zonave të mbrojtura në territoret e bashkive të tyre.
Në të vërtetë, sektit Rama në qeverisje dhe vetë Ramës ia kërkuan me ngulm oligarkët e vet, që të kishin duart e lira në ndërhyrjen dhe investimet në zonat e mbrojtura. Dhe Rama, duke nuhatur fitim të majmë, vuri në lëvizje në kohë rekord shumicën në Kuvend.
Oligarkët e Ramës nuk janë nginjur akoma me të gjitha tokat e grabitura në jug dhe në bregdet, por tani i kërkuan dhe ia arritën të grabisin edhe zonat e mbrojtura me ligj.
IV. Ndryshimet ligjore që pollën Marrëveshjen-grabitje të Butrintit
Ndryshimet në Ligjin për Trashëgiminë Kulturore në vitin 2018 sollën Marrëveshjen e vitit 2022, për dhënien në administrim me koncesion të Parkut Kombëtar të Butrintit. Kjo marrëveshje përbën një njollë të turpshme të rëndë të qeverisjes së sektit Rama. Ajo nuk ishte një reformë menaxhimi, sikurse u paraqit, por një akt politik që relativizoi kufirin mes interesit publik dhe interesave të ngushta të sektit, duke prekur një nga simbolet më të rëndësishme të identitetit historik shqiptar.
Butrinti nuk është një aset ekonomik i zakonshëm. Është trashëgimi botërore, simbol kulturor dhe kapital identitar. Prandaj dhe çdo vendim mbi administrimin e tij kërkon transparencë maksimale, konsensus publik dhe përgjegjësi shtetërore, elementë që në marrëveshje munguan dukshëm.
Marrëveshja për Butrintin (i) dobësoi rolin e shtetit në ruajtjen e pasurive strategjike, (ii) krijoi një model ku pasuritë publike trajtohen si projekte menaxheriale dhe jo si përgjegjësi sovrane, si dhe (iii) zëvendësoi transparencën publike me marrëveshje të negociuara në rreth të ngushtë.
Butrinti përfaqëson histori, identitet dhe kujtesë kolektive. Kur administrimi i një pasurie të tillë kalon jashtë kontrollit të drejtpërdrejtë shtetëror, lind me të drejtë një ndjesi humbjeje sovraniteti kulturor. Kjo është arsyeja pse cilësimi “grabitje” për marrëveshjen e Butrintit është i plotë, bazuar në ndryshimet ligjore në Ligjin “Për Trashëgiminë Kulturore” të vitit 2018, si perceptim politik dhe simbolik i një ligji që çimentoi shkëputjen e Shtetit nga përgjegjësia kulturore dhe historike.
xxx
Partia Demokratike ka kërkuar interpelancë urgjente me kryeministrin në Kuvend, për kërkesat e protestuesve. Ajo mbështet investimet e huaja, por është për një model zhvillimi, i cili kombinon investimet, punësimin dhe rritjen ekonomike, me mbrojtjen e pasurive natyrore dhe kulturore të vendit.
Të gjitha nga kërkesat e artikuluara gjatë protestave përkojnë me kuajt e betejës për Shqipërinë Evropiane të Partisë Demokratike. Sot ripërcolla në FaceBook për kujtesë diskutimin që kam mbajtur më 22 shkurt 2024, ditën e miratimit të ligjit-kuçedër për Zonat e Mbrojtura.
Gazeta RD