Departamenti i Shtetit reagon/ Heqja e “non gratas” ndaj Berishës, interes kombëtar i SHBA

Departamenti Amerikan i Shtetit ka konfirmuar se ka miratuar një përjashtim (waiver) për shpalljen e ish-kryeministrit shqiptar Sali Berisha sipas nenit 7031(c), duke i hapur rrugën heqjes së kufizimeve që ishin vendosur ndaj tij nga administrata e mëparshme amerikane.

Zyra e Shtypit e Departamentit të Shtetit deklaroi:

Departamenti i Shtetit ka lëshuar përjashtime (waivers) për disa përcaktime sipas nenit 7031(c), të vendosura nga administrata e mëparshme, pasi dhënia e këtyre përjashtimeve i shërben një interesi kombëtar bindës të Shteteve të Bashkuara”.

Përgjigjja e Departamentit të Shtetit përbën konfirmimin e parë zyrtar se administrata aktuale amerikane ka vendosur të mos zbatojë më kufizimet e vendosura ndaj Berishës në vitin 2021.

Në maj të vitit 2021, Sekretari i atëhershëm i Shtetit, Antony Blinken, shpalli publikisht Sali Berishën dhe familjen e tij si të papranueshëm për hyrje në Shtetet e Bashkuara, duke e akuzuar ish-kryeministrin për përfshirje në korrupsion të konsiderueshëm dhe minim të demokracisë.

Sipas përgjigjes së fundit të Departamentit të Shtetit, administrata amerikane ka zgjedhur të përdorë mekanizmin e përjashtimit, duke argumentuar se kjo i shërben një “interesi kombëtar bindës dhe të rëndësishëm” të SHBA-së.

Çfarë nënkupton konkretisht ky interes kombëtar, cilat ishin konsideratat që çuan në dhënien e përjashtimit dhe nëse Uashingtoni vazhdon apo jo t’u qëndrojë vlerësimeve të bëra në vitin 2021, mbeten pyetje për të cilat Departamenti i Shtetit nuk ka dhënë ende përgjigje.

About Redaksia

Check Also

Lubonja: Në vend të arrestojnë Ramën për korrupsion, ndalojnë protestuesit pse hodhën vezë!

Analisti Fatos Lubonja komentoi protestën e qytetarëve dhe aktivistëve sot para parlamentit, ku Policia ushtroi …