Noka: Sot për demokratët, për Partinë Demokratike, po për çdo qytetar dhe për çdo qytetar të lirë të këtij vendi, për çdo njeri që demokracisë i thotë demokraci, lirisë i thotë liri, është një ditë e madhe.
Sot një betejë për dinjitet u fitua nga njeriu që ka fituar çdo betejë.
Sot Sali Berisha fitoi një betejë me forcat më të errëta jo vetëm të vendit, por edhe në nivel global. E vërteta vonon, por nuk harron. Sot Sali Berisha triumfoi mbi George Sorosin, padrinon e këtyre këtu, mbi Blinkenin, kukullën e George Sorosit që vinte vërdallë dhe kreun e një narkoshteti e uronte si një shtetar i madh.
Sot Sali Berisha hodhi si rrecka tutje Kimeten e Sorosit, e cila u thoshte demokratëve dhe shqiptarëve se do të hani bar.
Sot Sali Berisha, i përbaltur prej rreth pesë vitesh, i kryqëzuar dhe i sulmuar si askush tjetër, i burgosur nga këto forca të errëta të së keqes, ju del këtu dhe ju thotë: ‘Ja ku jemi!’.
Më i hetuari, më i luftuari, më i sulmuari, doli si kristal. Sot Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ajo Amerikë që ka ëndërruar gjithmonë çdo shqiptar, i hoqi njollën që Edi Rama, George Sorosi dhe gjithë mafia ndërkombëtare u përpoqën t’ia vendosnin mbi shpinë.
Kjo është një fitore shumë e madhe dhe për vendin tonë.
Por, bota është e rrumbullakët thotë populli. Kujtoj ditët kur këtu na kryqëzonit sapo përmendej emri, apo sapo hynte në sallë Sali Berisha. Ngriheshit dhe thonit që populli nuk ju do.
Tani është rrotulluar, ja ku e keni popullin! Tani populli po ju flet juve, po ju flet direkt. Nuk ka nevojë t’ju flasë as me Blinkenin, as me Sorosin. Jo, jo! Ka dalë, po zbret rrugëve të Tiranës t’ju flasë me zë dhe me figurë mafies që keni uzurpuar.
Koha e juaj dhe e karteleve për të qeverisur këtë vend ka marrë fund. Është koha të jepni llogari. Harrojeni, ai popull që ka dalë atje, nuk ka lidhje me Sali Berishën. Jo, jo!
Ai ka lidhje vetëm me një gjë: për të vendosur të drejtën mbi padrejtësinë që keni bërë prej 13 vitesh.
E keni vjedhur dhe e keni shtypur dhe e keni shpopulluar këtë vend. Është koha të jepni llogari. Kur jua thonim, qeshnit.
Tani gëzohuni, zgërdhihuni se po ju vjen fundi.
Gazeta RD