Deklarata e Berishës/ “Do shkoj në Shtetet e Bashkuara për takime”

Kryetari i PD, Sali Berisha deklaroi në një konferencë për shtyp se do të shkojë për takime në Shtetet e Bashkuara pas pushimeve të politikës amerikane.

Berisha tha se Rama duhet të heqë dorë menjëherë nga antimitingjet dhe nga organizimi i tubimeve të Partisë Socialiste, duke i cilësuar ato si provokim ndaj protestave qytetare.

Berisha u bëri thirrje socialistëve të distancohen nga këto tubime dhe i kërkoi komunitetit ndërkombëtar të mbështesë protestën, të cilën e cilësoi si lëvizje për shpëtimin e Shqipërisë nga autokracia.

Berisha: Por unë jam sot këtu për të denoncuar me forcën më të madhe qëndrimin e papërgjegjshëm cinik, armiqësor të Edi Ramës dhe rrethit të tij ndaj protestës, kërkesave të protestuesve dhe paralajmëroj se me këtë qëndrim, ai kërkon të zhysë vendin në kaos.

Është e pafalshme, e papranueshme përpjekja e tij për të sfumuar uraganin e fuqishëm me antimitingje anakronike, gjoja po festoj 85-vjetorin e partisë së krimit.

Është cinike, është poshtëruese dhe fyese për çdo shqiptar t’i kundërvihesh protestës së rinisë dhe qytetarëve shqiptarë me takimin e zgërbonjave të krimit të PS, takime që ngjasojnë nga alfa tek omega me takimet e mafies.

Edi Rama duhet të heqë urgjentisht dorë nga antimitingjet.

Të heqë dorë nga antimitingjet, të mos sfidojë uraganin e fuqishëm paqësor të rinisë studentore me antimitingje mafiozësh, banditësh, delinkuentësh të mbledhur me detyrim.

U bëj thirrje socialistëve të braktisin antimitingjet e Edi Ramës kudo që janë dhe të mos harrojnë se ato nuk kanë asgjë të përbashkët me idealet e PS.

Se ajo parti ka marrë fund, nuk ekziston, është shndërruar në Rivdekjen e saj, që është Rilindja gjoja, që e varrosi PS-në.

Ndaj dhe edhe njëherë dënoj me forcën më të madhe.

I bëj thirrje opinionit publik ndërkombëtar, atij politik dhe atij publik, të mbështesin fuqishëm këtë protestë, e cila ka përcaktuar si mision shpëtimin e Shqipërisë nga diktatura autokratike apo narkoregjimi i Edi Ramës.

About Redaksia

Check Also

Pse nuk po mblidhet Këshilli Kombëtar?/ Berisha: Absolutisht vetëm arsye teknike

Anesti Bajramemaj, A2CNN: Një temë tjetër. Në 30 maj nisi ripërtëritja e Partisë Demokratike, por …