Duke folur për reagimin e madh qytetar kundër kreut te qeverisë Berisha tha se, protestuesit kanë të drejtë, Rama është një super-tradhtar. Ai tha se, Rama shpopulloi vendin dhe tradhtoi Kosovën.
Berisha: Kështu që është protestë e qytetarëve, është protestë e fibrës qytetare. Dhe nuk ka gjë më të bukur dhe më të çmuar se kjo. Qytetarët vendosin të ngrihen për interesat e tyre dhe të vendit të tyre.
Ata i thonë Edi Ramës: ‘O tradhtar’.
Po në qoftë se ka njeri që ka tradhtuar Shqipërinë dhe shqiptarët sa Edi Rama, nuk ka.
Dhe thonë, pse e quajnë tradhtar. Ai është sjellë me shqiptarët në Kosovë më i zi se Vuçiçi. Ai është njeriu që vuri i pari sanksione ndaj qeverisë së Kosovës, që s’duhet t’i vinte. Dhe këtej i thoshte Evropës që mos i kërkoni Vuçiçit të respektojë sanksionet ndaj Rusisë.
Ky bëhet avokat i Aleksandër Vuçiçit nga samiti në samit, duke u mburrur që nuk i duhet kërkuar këtij të respektojë sanksionet e ‘Big Brother’-it të tij, dhe vetë i vendoste sanksione Kosovës.
Pse? Sepse udhëheqja e Kosovës, me gjithë respektin, i tha që këtu vendimin e marrin qytetarët e Kosovës dhe përfaqësuesit e tyre, dhe jo ti me Vuçiçin edhe me të tjerë.
Ndaj dhe jo tradhtar, por super-tradhtar.
Hynin në pazare… Ç’punë kishte Shqipëria të ndërmjetësonte, të bëhej shkesi për pazaret në kurriz të Kosovës? Kurrën e kurrës.
Kërkonte tërheqjen patjetër të Rusisë në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve Kosovë–Serbi. Dhe kërkonte, bashkë me Vuçiçin, konferencë ndërkombëtare, në një kohë kur ndërkombëtarët pro-shqiptarë e kishin përzënë Rusinë. E kishin përzënë me qëllim Rusinë.
Dhe kishin marrë vetë, kishin caktuar një ndërmjetës të Bashkimit Europian, i cili bashkëpunonte ngushtë me ndërmjetësin e Departamentit të Shtetit për të ndërmjetësuar.
Ky thoshte të bëhet një konferencë ndërkombëtare tani, sepse kështu i thoshte Vuçiçi.
Por tradhtia më e madhe e tij ndaj shqiptarëve është gjenocidi që ai ka bërë me përzënien e 1.1 milion shqiptarëve, sipas të dhënave të Eurostat-it, vetëm në hapësirën e Bashkimit Europian, pa llogaritur qindra mijëra të tjerë në vende të tjera të Europës dhe të botës.
Kështu që është tradhtar i shkallës më të lartë.
Është plaçkitësi më i madh i shqiptarëve.
4 miliardë euro është plaçka e Portit të Durrësit. 4 miliardë euro, absolutisht!
Dhe tani pallatet e Dubait të ‘1001 netëve’ të tij po futen në rërë, po fundosen në rërë.
Gazeta RD