Bozdo: Zhvlerësimi i euros, si pasojë e kanabizimit, pastrimit të parave dhe kapjes së shtetit!

Deputeti i PD, Eno Bozdo, në një deklaratë për mediat, tha se rënia e euros në nivelet më të ulëta historike nuk mund të justifikohet vetëm me rritjen e turizmit apo faktorë të tjerë ekonomikë, por lidhet drejtpërdrejt me depërtimin e parave të krimit në ekonomi, pastrimin e parave dhe dështimin e institucioneve për ta luftuar këtë fenomen.

Bozdo theksoi se Shqipëria po përballet me një kërcënim serioz për prodhimin vendas, eksportet dhe konkurrencën e ndershme, duke i bërë thirrje Kuvendit dhe institucioneve përgjegjëse të reagojnë me urgjencë për të ndalur atë që e cilësoi si një nga sfidat më të mëdha ekonomike dhe shoqërore të vendit.

Deklarata

Dje euro kapi nivelin minimum historik të saj: poshtë 94 lekëve, duke shënuar një zhvlerësim të paralajmëruar.

Ky fenomen që karakterizon prej një dekade qeverisjen Rama, ka sjellë zhvlerësimin total të euros me rreth 33% që nga viti 2016, vit i cili jo rastësisht përkon me mbjelljen masive, në nivel industrial, të kanabisit, dhe kthimin e Shqipërisë, për herë të parë në historinë e saj në një republikë kanabisi.

Dhjetë vite më parë, nën mbrojtjen e policisë së shtetit, droga u mboll kudo, nga lindja në perëndim dhe nga veriu në jug. U braktis bujqësia sepse kultivimi i kanabisit ishte shumë më fitimprurës se mbjellja e misrit apo domates. Viti 2016 pra, ishte viti i keq i fillimit të projektit të qeverisjes socialiste për ta kthyer Shqipërinë në një ekosistem droge, ku droga kultivohet, përpunohet, por edhe ku fitimet e saj mund të investohen me shumë lehtësi.

Dhjetë vjen më vonë, kur euro është zhvlerësuar me rreth 33%, dhe kur goditjet e Prokurorisë Speciale kanë provuar shkrirjen e qeverisjes Rama me krimin e organizuar, situata është shumë herë më tepër dramatike.

Sektori bujqësor, për shkak të këtij fenomeni por edhe të braktisjes nga qeveria, është në vitin e tij të gjashtë të rënies së prodhimit në terma absolutë; sektori industrial është në vitin e tretë të rënies së prodhimit në terma absolutë; sektori i eksporteve, veçanërisht ai i manifakturës, po përjeton një kolaps të plotë: vetëm në 5 mujorin e parë të këtij viti, sipas INSTAT, ai shënon një rënie prej 14%.

Sot, pikërisht prej projektit të filluar në vitin 2016 nga qeverisja socialiste, gjendemi në një situatë dramatike përsa i përket jo thjesht rënies drastike ekonomike dhe produkteve “made in Albania”, por mbi të gjitha sepse kapitali i kriminalizuar ka depërtuar thellë në cdo sektor të ekonomisë, veçanërisht në ndërtim në qytetet kryesore e ato bregdetare.

Me ritmin e parashikuar, sidomos kur të dhënat e para tregojnë se për vitin 2026 janë dhënë qindra leje dhe miliona m2 sipërfaqe ndërtimi, dhe duke e ditur se një pjesë e rëndësishme e kësaj industrie shërben si makineri gjigande e pastrimit të parave të pista, parashikimi për euron, fatkeqësish, nuk është veç rënie e mëtejshme.

Nga ana tjetër, qeveria shqiptare dhe agjencitë e saj bëjnë sikur ky fenomen që po i merr frymën ekonomisë dhe shoqërisë, nuk ekziston. Refreni i përsëritur se e gjitha vjen nga turizmi dhe se jemi duke thyer rekordet e numrit të turistëve çdo vit, thjesht nuk qëndron. Po, turizmi ndikon, por shumë pak kundrejt tërësisë së këtij fenomeni.

Përballë këtij realiteti, edhe agjencitë e specializuar për të mbrotur Shqipërinë nga depërtimi i parave të krimit dhe terrorizmi, kënaqen vetëm me disa raporte konstantuese, por fakti është që ka një mungesë të plotë vullneti për ta trajtuar seriozisht këtë fenomen. Ndryshe nuk kishte sesi të zbulohej që ditën për diell, ndërtimet e disa kullave në qendër të Tiranës apo resorteve dhe hotelerisë turistike të nivelit të parë, të ishin instrumentë të pastrimit të parave, haptazi, pa asnjë kontroll apo mbikqyrje!

Po ashtu, Banka e Shqipërisë, vitin e kaluar, bleu 1 miliardë e 27 milionë euro në treg, ku vlerësohet se rreth 800 deri 900 milionë euro janë blerë vetëm për të mbajtur nën kontroill rënien pikiatë të euros.

Banka e Shqipërisë iu bashkua refrenit qeveritar duke justifikuar këtë fenomen me “fondamentet e forta” të ekonomisë shqiptare, por faktet flasin se pa ndërhyrjen e saj masive në treg, euro do të kishte kapur nivele shumë më të ulta.

Me pak fjalë jemi përpara një situate kur pastrimit të parave u janë hapur dyer plotësisht. Institucionet nuk funksionojnë sepse nuk ka asnjë vullnet për të kundërshtuar fenomenin më të rrezikshëm dhe sfidues për ekonominë tonë në 30 vitet e fundit!

Në këto kushte, Kuvendi i Shqipërisë duhet ta trajtojë këtë çështje me seriozitetin maksimal! Sigurisht kjo nuk varet vetëm nga deputetët e opozitës, të cilët kanë denoncuar që përpara 10 vitesh fenomenin e kanabizimit, atëherë kur askush, madje edhe ndërkombëtarët, nuk flisnin, edhe pse ishin plotësisht në dijeni!

Qëndrimi i deputetëve të mazhorancës është kritik për të luftuar këtë fenomen! Ne jemi pikërisht në kohën e hartimit të rezolutave parlamentare, për një pjesë të madhe të institucioneve që janë zyrtarisht përgjegjës për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit!

Këto rezoluta duhet të shprehin vullnetin e palëkundur të ligjvënësve për të luftuar këtë fenomen, duke detyruar institucionet përgjegjëse për të reaguar!

Nëse kjo do ndodhë apo jo, mbetet për tu parë. Por të mos harrojmë: kemi të bëjmë me një fenomen që po prek rëndë dhe po infekton me krim jo vetëm ekonominë, por edhe shoqërinë tonë, ku familjet tona janë pjesë e saj. Dhe këtu nuk ka më as të majtë e as të djathtë, por ka individë që e duan apo jo vendin e tyre, e duan apo jo Shqipërinë në Evropë!

Shpresojmë që mazhoranca të kalojë nga fjalët tek veprat! Dhe veprat më urgjente duhet të jenë ato të luftës ndaj pastrimit të parave të krimit të organizuar, trafikut të drogërave dhe korrupsionit!

Ju faleminderit!

About Redaksia

Check Also

Berisha takim me drejtuesit e Forumit Rinor të PD Vlorë

Kryetari i PD, Sali Berisha, ka zhvilluar një takim me drejtuesit e Forumit Rinor të …